Metronomi Grek

Publikuar më: 05/12/2012
metronom

Në financat publike është përherë e veshtirë të zgjedhësh ndërmjet dy opsioneve të financimit të investimeve buxhetore. Ekonomistët diskutojnë ndërmjet rritjes së taksave dhe marrjes borxh, si dy ndër alternativat thelbësore të financimit publik, gjithmonë kur duhet financuar deficiti. Ne rastin e politikanit, ketu nuk ka dilemë sepse shtrohet pyetja e thjeshtë: Sa budalla është një politikan që të rrisë taksat? Me baza historike shumë pak ka politikej kaq budallenj. Gjendja e tanishme në Evrope e më tej demonstron se cfarë bën turma kur ti perpiqesh të ngresh taksat ose u heq atyre qylin e zakonshëm që në gjuhën profesionale quhet asistence ekonomike, e te tjera përfitime të llojit të transfertave sociale. Në rastin e Greqisë kjo telenovelë ekonomike zhvillohet ndryshe. Që në fillim nisi gabim analiza e Greqisë. Diagnoza e problemit nuk ishte thjesht fiskale e që mund ta zgjidhje atë me një kredi multibilion dollarëshe, por qe pak më e komplikuar. Shtetet evropiane nuk patën shumë kohë të mendonin se kujt `po i jepnin borxh. Makina e rendë burokratike evropiane ishte shumë e zënë me cështje të tjera (zgjedhjet lokale në Gjermani), destabiliteti social dhe më kryesorja rritja ekonomike që po gëlltitej prej krizës financiare që dukej sikur skish fund. Greqia është ndoshta një fenomen që do hyjë në histori më shumë në pjesën sociale të saj se sa atë ekonomike. Në rastin e Greqisë nuk kishte pyetje fare të tipit: Taksa apo Borxh? Para se të iki më tutje është mirë të përmend një avantazh (varet se si e shikon) që ka borxhi ndaj taksave. Kur qeveria e atëhershme dhe tashmë e turpëruar vendoste për rritjen e borxhit, ajo gjithashtu zbuste efektin eknomik që qytetarët e saj do ndjenin në xhepat e tyre. Në qoftë se taksën e ndiejnë automatikisht, borxhi shtrihet në breza. Pra grekët nuk po bënin gjë tjetër vecse po pinin frape me paratë e marra borxh nga breza të ardhshëm. Në krimin financiar është një gjë e bukur që mishërohet në një shprehje po të bukur shqiptare. "Vonon, por nuk harron", edhe në ekonomi është i njejti parim që herët a vonë do dalë. Kjo është e lidhur fort me dy specifika; atë të numrave që është e pamundur të gënjejnë dhe atë që në ekonomi gjërat janë në zinxhir dhe kur zinxhiri këputet, dicka nuk shkon. Në universitetet evropiane edhe më tej, dihet dhe diskutohet që që kur hyri në BE, Greqia e filloi me manipulim shifrash dhe madje ato më kryesoret që përcaktoheshin si kritere konvergjence të vendosura nga traktati i Maastricht-it ne vitin 1992. Manipulimi i shifrave vazhdoi për vite me rradhë, ndihmuar edhe nga shpikjet e instrumentave financiarë të ndryshëm, numrat vazhdonin të dukeshin fiktivisht bukur. Një aspekt tjetër që rendonte situatën ekonomike ishte korrupsioni dhe evazioni masiv fiskal. Nuk e kam fjalën për dyqane që deklarojnë më pak bukë sec shesin e gjëra të tilla të vogla, por për skema të mëdha që përfshijnë industri të tëra. Tani që të flas drejt, korrupsion ka në të gjithë botën pavarësisht se sa i sofistikuar është  dhe nëse mund të ketë ndonje emër tjetër, ka dhe në Shqipëri, por që nuk është aspak i sofistikuar sepse bëhet nga barrbarët. Në Greqi ishte dicka e ndërmjetme, dmth i kamufluar. Për të vështirësuar dhe më tepër gjendjen, korrupsioni po shndërohej në një element kulturor të shoqërisë. Kultivimi për një kohë të gjatë i një ambjenti të tillë solli në një shoqëri pothuajse si ajo shqiptare, ku të gjithë e dinë po asnjeri nuk di gjë, ku punonjësit e taksa-tatimeve mbanin në dorë blloqe kot dhe i mbushnin me shifra të rregulluara, e për të mos folur për elementin fè si pjesë e skemave masive të korrupsionit në lidhje me pasuritë e patundshme, ishuj dhe përvetësime pasurie të formave të tjera. Te gjitha këto janë akuza publike me emra konkret manastiresh etj, por që nuk është temë interesi për këtë analizë. Financimi i një jete përtej mundësive nuk ishte një element vetëm grek, pothuajse e gjithë bota u zhyt në thesin e borxheve. Një konsum pothuajse makut dhe mos vrarje mendje për borxhet që do të mbarteshin nga brezat që do vinin. Shumë shtete u prekën nga kriza dhe disa prej tyre falimentuan (jo në letër), por nuk gjen rast analog me Greqinë ku arsyeja e falimentimit të shtetit të jetë politiko-kulturore e jo ekonomike. Argumenti kryesor që mbështes këtë tezë është se manipulimi nuk ka lidhje me ekonominë, dhe Greqia këtë ka bërë pothuajse për 20 vjet me radhë. Në arenën ndërkombëtare ka histori nga më të ndryshmet në lidhje me këtë krizë, madje ka arritur deri aty sa financierët kanë krijuar barsaleta. Ekonomistët e dinin që ky do ishte fundi, thjesht po pritej kur do shpërthente tullumbacja. Nëpër stafet e  bankave amerikane, shefi i institutit te statistikave të Greqisë quhej magjistari (Marilyn the magician). Kjo ndodhte për shkakun e vetëm se ai në fund të vitit zhdukte borxhin grek në raportet që paraqiteshin publikisht. Kjo shkonte dhe më tej, po nga të dhënat që paraqiteshin prej atij insituti kur mblidheshin deficitet e të gjithë viteve në total nuk jepnin shumën që duhet të ishte e barabarte me borxhin e përgjithshëm publik, kjo me fjalë të thjeshta është si të thuash që muaji ka dy javë. Në lidhje me evazionin fiskal ka një karakteristikë shumë të vecantë. Në Greqi taksat paguheshin më shumë (aq sa deklaroheshin) nga korporatat, për arsye se mbaheshin automatikisht nga borderotë (pay-check), ndërsa pjesa që rezultonte e vetëpunesuar deklaronte një shumë qesharake taksash, ja dhe pse Greqia ka raportin më të madh të të vetpunesuarve në Evropë. Ligji parashikon/te që deklarimet e të ardhurave nën 12 000 euro automatikisht nuk taksohen nga shteti. Duke marrë parasysh këtë raport taksimi, kishte doktorë që deklaronin të ardhura nën 12000 euro në vit. Korrupsioni ishte aq galopant saqë ishte formuar ndërgjegjia e turmëzuar. Në këtë galopim ishin përfshirë rëndë dhe institucionet shtetërore kur për hir të së vërtetës kishte dhe cudira si në Shqipëri, ku për një ministri deklarohet nje kolltuk i blerë $15 000. E kështu me radhë që nga skemat më të komplikuara të pastirimit të parave në toka e ishuj që nuk regjistroheshin e deri te ato më banale. Mund të përmendësh shembuj pa masë dhe të analizosh shifra të ftohta treguese, por asnjëra nga këto nuk ka vlerë sa analiza që mund ti bëhet elementit kulturor. Dua të them që një shqiptar e kupton mirë çfarë është një kulturë e tillë, por nuk mund ta them, se nuk di a ka parë ndonjeherë kulturë tjetër që të bëjë një krahasim. Dhe ja pra avash avash kështu erdhi Greqia deri këtu. Në gjendjen e sotme të asaj ekonomie nuk kanë kontribuar vetëm grekët. Jam i mendimit se Evropa ka rritur një fëmijë të pasjellshëm duke marrë parasysh që i gjithë procesi ndodhi për një kohë të gjatë në sy të rregullatorit evropian. Eurokratët për dekada mbyllën një sy, një vesh, gojën e deri sa u bënë të verbër fare. Evropa tani duhet të mbajë përgjegjësitë e veta për atë që toleroi. Ndër të tjera dhe tregjet financiare që po kërkojnë sot nga Greqia duhet të marrin përgjigjen e duhur. Këtu fillon e komplikohet më shumë problemi në këtë botë kaq shumë të ndërlidhur. Situata aktuale paraqitet në dukje alarmante dhe rreziku politik i shteteve evropiane për të ndihmuar Greqinë është i madh. P.sh në Angli gjatë fushatës së fundit elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, pjesë e platformave politike ishte dhe pjesa që taksapaguesit anglezë nuk do të paguanin dembelët grekë, e njëjta gjë dhe në Gjermani. Paçka këtyre reagimeve ndihma erdhi, dhe duhet të vinte patjetër, jo për arsye humanitare të tipit të ndihmojmë Greqinë, por për të tjera. Plani origjinal në lidhje me ndihmën e Greqisë, i cili faktikisht theu shumë rregulla të Bashkimit Evropian, ishte parashikuar të jepte një fond bazë prej 110 mld euro, kjo për shkak se tregjet financiare po kërkonin interesa shumë të larta, në të vërtetë ndihma do të vinte disa herë me rradhë. Por ky plan parashikonte gjithashtu kushte të tipit: Reduktim i thellë i deficitit buxhetor deri në 8.1% te GDP, por në vitin 2010 arriti 10.5% te GDP, ulje e borxhit të jashtëm, i cili po ne 2010 ishte në nivelin 145% në raport me GDP. Ky plan ishte i parashikur deri në 2013 me qëllim që të qetësonte ujrat financiare në mënyrë që Greqia tu rikthehej tregjeve ndërkombëtare për borxh dhe gjithashtu të rikthente besimin te investitorët e huaj. Papunësia parashikohet sipas IMF që në 2011 të kapë nivelin e 14.8% dhe në 2012 të arrijë 15%, edhe pse është më larg nga papunesia e frikshme prej  20% e Spanjës, ky fakt shton një ndryshore më shumë në ekuacionin e komplikuar Grek.Por kur mesohesh me rrëmujë në shtëpi vendosja e papritur e rregullit duket e çuditshme dhe kur në këtë mes shtohet paraja, bëhet edhe më e padurueshme. Shembull të mirë në këtë mes kemi prap Shqipërinë, ku secili prej nesh e di sa e veshtirë është të vendosësh rregull në shtëpi. Aktualisht tregjet e huaja po kërkojnë prej Greqisë 15% normë interesi për obligacionet me pjekuri 10 vjecare. Për dikë që njeh pak financat mund të kuptojë se çfarë norme i duhet Greqisë të paguajë për borxhin afat shkurtër. Kur pranoi planin e parashtruar kryesisht nga gjermanët, Greqia mendoi se të ardhurat nga fiskusi do të ishin të kënaqshme. Mjafton të shtrydhësh pak më shumë dhe disa pika euro do dilnin. Por nuk ndodhi ashtu. Për gjatë gjithë vitit jo vetëm që rritja e GDP zhgënjeu (siç pritej), por dhe të ardhurat nga taksat qenë të dobta. Kjo pak a shumë është gjendja aktuale e Greqisë. Debati i madh aktual nuk është aspak mbi reforma të mundshme, por thjesht mbi spekulime të zakonshme të tregjeve financiare. Shqetësimi i Evropës dhe kryesisht ai gjerman e francez vjen për faktin e thjeshtë se një sasi e konsiderueshme e borxhit grek (mbi 40%) është e mbajtur nga bankat gjermane, kjo ishte dhe arsyeja pse Gjermania u bë iniciatore e fondit të shpëtimit. Me gjithë respektin e mundshëm për Gjermaninë, për disiplinën fiskale të paparë dhe ekonominë më dinamike, një sjellje e tillë nuk është e mirë për unionin. Nga një krah kjo justifikohet kur mendon se cdo shtet lufton për interesat e veta (këtu e përjashtoj Shqipërinë). Megjithatë rreziku politik i vendeve evropiane në lidhje me Greqinë po shikohet në kendvështrimin e gabuar, sikur Evropa qënka viktima. Është shumë e vërtetë që grekët duhet të paguajnë për ato vitë të hedhura dëm, por po aq e vërtetë dhe e drejtë është se ata duhet të vendosin vetë se si. Masat e imponuara janë shumë drastike për një shoqëri të tërë. Përgjegjësia nuk duhet të bjerë mbi masën por mbi krahun tjetër. Bankat evropiane e dinin se ti jepje kredi Greqisë ishte si të luaje në kazino dhe prapë e bënë këtë, githashtu tregjet në të cilat Greqia financohej e kishin informacionin pothuajse të plotë për gjendjen e ekonomisë greke dhe prapë e mbështesnin qeverinë me obligacione dhe kredi. Në të njëjtën kohë agjensitë më se të turpshme të raiting-ut mbështesnin maskaredën që për hir të së vërtetës ishte globale. Personalisht mendoj se Greqia në asnjë mënyrë nuk duhet t’u nënshtrohet atyre masave që Evropa i ka imponuar dhe nuk duhet të ndërmarrë një restrukturizëm të borxhit. Jam i mendimit se do të ishte më mirë që të mos i pergjigjet borxhit të saj të mbartur deri tani duke mos marrë përgjegjësi për të dhe deklaruar falimentimin. Per hir të së vërtetës do të ishte vetëm faliment në letër se deri tani ka falimentuar disa herë. Në këtë mënyrë shoqëria dhe shteti do të marrin frymë lirisht duke hequr një barrë që thjesht do përkeqësojë gjendjen, tregjet do marrin mësimin e duhur e gjithashtu edhe bankat që luajnë bixhoz me parat e taksa paguesëve. Nuk do të ishte as shteti i parë dhe ndoshta as i fundit. Historia ka njohur raste të tilla si p.sh Rusia apo Argjentina. Ekspertët parashikojnë se brenda një pesë vjecari ekonomia Greke do të hyjë në shina dhe do rrigjejë rritjen ekonomike. Çdo ekonomist që ka pak respekt për veten e di qe kjo është e pamundur dhe që ky proces do kërkojë minimumi një dekadë, e për ta bërë më të lehtë do ishte më mirë të mos merreshin këto masa kaq të rënda që po merren aktualisht të imponuara nga jashtë, sepse do të kenë thjesht funksionin e detonatorit të një bombe sociale.   Si përfundim, dikush duke lexuar për krizën e financave publike mund të mendojë për Spanjën, Portugalinë ose Irlandën. Të gjitha këto shtete kanë specifika të ndryshme në lidhje me burimin e krizës, specifika që kanë natyrë të përbashkët më shumë me tregun. Greqia në krahun tjetër, ashtu siç e përmenda më sipër nuk i ka të lidhura arsyet e krizës me tregun, se sa me faktorë të tjerë si korrupsioni, makutëria, evazioni masiv fiskal etj, gjëra që janë në gjithë botën, por jo në këtë farë shkalle sa të hedhin Leviatanin (shtetin) në tokë dhe të bëjnë mizerabël jetët e miliona njerëzve që për hir të argumentit mund të jenë dhe vetë fajtorë. Si konkluzion, masat që po merren nuk i adresohen problemit të vërtetë, është njëlloj si të kurosh syrin kur të dhemb veshi ose më saktë është njëlloj si në Shqipëri, ku problemi thonë që është te ligji nderkohë që ligje ka, po nuk zbatohen.  

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit