Zgjidhja e diferences se madhe

Publikuar më: 27/01/2014

Para se ti futesha profesionit të ekonomistit, shumë vite më i ri, në moshë kur quhesh i 'vogël' akoma, kisha një problem me idenë e të falurit. Këtu nuk e kam për një bluzë, bukë apo sheqer, e kam fjalën të falurit e parasë. Nuk e kuptoja mekanizmin ekonomik që ishte mbas atij procesi, por idenë e të falurit para’ nuk e gëlltisja dot. Që ta mbyll me pjesën e patetizmit,  kur isha i vogël kisha një si gjysëm ëndrre, një si mision. [pulledquote]Vizioni im nëse bëhesha 'shumë' i pasur ishte jo te dhuroja para’ ose gjëra, por të ndërtoja shkolla, kopshte, e tu jepja njerëzve mundesi.[/pulledquote]

Sot debatohen shumë çështje ekonomike, disa prej tyre të pazgjidhshme prej shumë shekujsh e disa të tjera të reja e të freskëta. Një prej tyre është dhe diferenca e madhe në të ardhurat mesatare të individëve sot në botë, ose ai që quhet indeksi ose koefiçenti Gini. Ky indeks mat në mënyrë statistikore disproporcionin e shpërndarjes së të ardhurave mes banorëve të një shteti. Ku vlera 0 do të thotë shprëndarje perfekte, dhe vlera 1, shpreh një disproporcion perfekt. Ndërsa vlerat e ndërmjetme interpretohen.

Ky debat zhvillohet sot në shumë vende të zhvilluara si: SHBA, Francë, etj. Por edhe në Shqipëri është një çështje përveç se shumë e rrahur, le të themi që për hir  të argumentit, solli dhe ndryshimin e balancave politike. [quote]Se në një farë mënyre njerëzit votuan pro kryqëzatës që do tu bëhej të pasurve, pro gjërave falas që do merrnin dhe pro një rishpërndarje më të mirë të të ardhurave. Po në një farë mënyre kundër të pasurit barkderr dhe indiferent të shoqërisë.[/quote]

Tani përtej anës letrare, ky diskutim ekonomik është i asaj kategorie që krijimin e argumenteve dhe pyetjeve shqetësuese e vendos mbi bazamente të një formimi filozofik dhe politik të caktuar. Pra, pyetjet dhe argumentet ngrihen nga një lloj shqetesimi politik dhe më pas ekonomik. Nje majtist do të bënte pyetje nëse shumë të pasurit i japin shoqërisë aq shumë sa i marrin? Ndërsa një djathtist do të pyeste nëse këta shumë të pasurit kanë shumë të ardhura sepse janë shumë produktivë apo tregu ka ndonjë problem dhe ata e shfrytëzojnë? (Mankiw 2013)

Pyetja që unë shtroj ose më saktë që kam, se e gjeta të shtruar, është: pse kjo diferencë?

Duke anashkaluar kësaj rradhe majtistin dhe djathtistin, përgjigjia e parë pa argumentim është: pse jo kjo diference në të ardhura? Pra po e anasjellta e kësaj situate do të kishte kuptim? E kunderta e kësaj situate do të ishte, sikur këta që janë të pasur të ndërrojnë vendet me të varfrit, ndërsa e anasjellta do ishte sikur shpërndarja e të ardhurave të jetë më e barabartë; diferenca mes të varfërve dhe të pasurve të jetë e vogël dhe jo miliona dollarëshe si është sot. E kunderta nuk do kishte kuptim si logjikë, edhe pse do ishte mirë të ndodhte. Do ishte mirë sepse duke marrë parasysh që shumë të pasurit janë 1 deri në 5% e popullsisë, po të ktheheshin në të varfër do zgjidhej problemi i varfërisë. Por për hir të argumentit, prap, le të themi se nuk është mirë. E anasjellta do të ishte sikur të dyja ekstremet të vinin më afër njëri-tjetrit, dmth të varfërit të pasuroheshin më shumë, dhe të pasurit të mos fitonin $10mln por $5mln. Dikush mund të ketë pretendimin që pse të mos pasurohen të varfërit shumë, por të varferohen të pasurit, etj pretendime si këto. Edhe njëherë, për hir të argumentit të pranojmë këtë skenar. Në fund të fundit si në çdo analizë në ekonomi supozohet dhe modifikohet realiteti.

Për mendimin tim  nuk do të kishte kuptim që njerëzit të fitonin të gjithë njësoj. Pa patur nevojë për shkencë; po sepse jo të gjithë punojnë njesoj, jo të gjithë kanë të njëjtin produktivitet, jo të gjithë gëzojnë të njëjtat aftësi, jo të gjithë duan të punojnë shumë, jo të gjithë kanë të njëjtin utilitet, jo të gjithë vlerësojnë një orë pune njësoj dhe një orë pushimi njësoj, etj të tilla.

Të ishte kaq problemi, do ishte shumë e thjeshtë! Kjo diferencë e madhe në të ardhura nxit debate të tjera, disa ekonomike dhe disa me përmbajtje më shumë sociale e politike.

E para kjo diferencë nxit debatin e taksave. Debat ky i cili në më të shumtën e rasteve është keqinterpretuar ose dhe turpërisht deformuar.

Çështja e taksimit është e madhe, nuk do ti jepet zgjidhje në këtë shkrim, por është me interes të madh të sqarohen disa elementë të cilët në të kundërt deformojnë perceptimin mbi realitetin ekonomik dhe social.

[quote]E para, argumenti se të pasurit taksohen më pak se të varfrit nuk është i vërtetë në rastin më të mirë, dhe një gënjeshtër me dashje në rastin më të keq. Është e vërtetë që në ekonomi ka shumë vend për interpretim, por numrat e lejojnë atë në kufijtë e arsyes dhe të mirën e përgjithshme të debatit, e jo deri në deformim.[/quote]

Rasti më i përfolur është ai në SHBA , sipas të cilës 1%-ëshi më i pasur paguan më pak se shtresa me të ardhura të ulëta, përveç kësaj shtohet dhe pretendimi se sistemi i taksimit është regresiv, pra të varfrit taksohen më shumë se të pasurit. Llogaritjet e bëra nga Zyra e Buxhetit të Kongresit Amerikan (institucion rigorozisht i besueshëm) dhe disa llogaritje të tjera në studime në lidhje me problemin rezulton se asnjë nga pretendimet e mësiperme nuk është i vërtetë. Që ta konkretizoj me shifra: Pjesa më e varfër në SHBA e cila fiton mesatatisht $23,500 ne vit, paguan vetëm 1% në taksa federale. E ashtuquajtura shtresë e mesme me të ardhura mesatare $64,300 paguan 11.1%. Ndërsa pjesa me të ardhura mesatare më të larta $2232,500 paguan 23.2%. Dhe së fundi 1%-shi më i pasur në SHBA me të ardhura mesatare mbi $1,219,700 paguan 28.9% në taksa federale (të dhënat e fundit të vitit 2012).

E njëjta situatë si më sipër është dhe në Shqipëri, vetëm se dinamika e progresivitetit është më e vogël, edhe pse me realitet ekonomik dhe shoqëror të çalët. Ku shtresa me të ardhurat me të ulta paguan efektivisht 1.4%,  edhe pse taksa ka qenë e 'sheshtë' taksimi ka qenë progresiv, ku me rritjen e të ardhurave rritet dhe përqindja e taksimit.

Si ky argument janë dhe të tjerë si: “ A justifikohet ajo që i japin shoqërise të pasurit me atë që i marrin?” Ose, “a përfitojnë më shumë nga infrastuktura fizike, sociale, juridike shumë të pasurit në krahasim me pjesën tjetër të shoqërisë? Përgjigjet e këtyre argumenteve në formë pyetjeje po i lë për herë tjetër, ose ndoshta asnjëherë. Ç’ka më intereson më shumë është një lloj teorie e re që shpjegon këtë diference të krijuar në shoqerinë dhe ekonominë e sotme.

Sa surreal dhe abstrakt është argumenti aq dhe interesant duket. Dhe tingellon kështu: Arsyeja e krijimit të differencës së madhe mes shumë të pasurve dhe atyre me të ardhura të ulta ose të mesme është ndërthurja e teknologjisë me edukimin (C. Goldin, "The Race between Education and Technology"). Në shoqërinë e sotme rritje e asaj që quhet ‘knowledge based society’ ka bërë që të krijohet një grup shoqëror me aftësi të larta dhe që kërkon shpërblime shumë të larta për ato aftësi dhe njohuri të cilat i ofron në treg, dhe që detyrimisht janë të rralla.

[quote]Dmth rritja e kësaj diference në të ardhura është rezultat i rritjes së të ardhurave në njërin krah. Dhe kjo është derivat i aftësive, edukimit, cilësive që vijnë si rezultat i ndërthurjes së teknologjisë me edukimin.[/quote]

Ose më saktë e rritjes së numrit të individëve me edukim dhe aftësi të larta. Aftësi të rralla të cilat tregu i vlerëson, dhe mesa duket i bën ata më produktivë. Tani dikush mund të mendojë, dreqi e morri ç’farë produktiviteti ka Kim Kardashian?! Ekonomikisht është një argument mjaft i gjatë i cili vërteton se ka (une nuk e besoj), por siç e thamë më sipër, për hir të argumentit të mos shkëputemi nga thelbi.

Në këtë kontekst përgjigjia e duhur për  zvogëlimin e kësaj diference, të kthyer në një debat të madh soocial, do të ishte rritja e individëve të edukuar dhe me aftësi në tregun e punës, në mënyrë që ato që paguhen më shumë të mos jenë aq të rralla sa jane. Pra zgjidhja na qënkërka edukimi i njerëzve, në këtë mënyrë u japim atyre aftësi, i mësojmë të jenë më produktivë, dhe në treg do të ketë më shumë njerëz me të njëjtat aftësi, duke patur më shume lojtarë ather loja është e thjeshtë, dhe topi kalon në fushën e kërkesë-ofertës.

Si përfundim, një konkluzion i tillë kërkon vërtetim empirik dhe studime të shumta. Mirëpo përpos argumentave, bota e sotme është bërë e çuditshme në aspektin se ndonjëherë edhe argumentat nuk bindin, ose dhe numrat nuk duken të bukur.

Përpos të gjithave vjen një pikë që është ajo e besimit. Njëherë, një fizikant tmerrësisht i zoti, i nderuar me dhjetra çmime, i njohur për zbulimet e tij, i zgjuar, i aftë, etj, etj habiti duke thënë se ai mendonte se bota ishte 2-dimensionale. Të gjithë shtangën! Në fund pasi u mundua ta argumentonte, tha une këtë e besoj. Pra dhe fizikanti u dorezua në një farë mënyre. Edhe unë besoj se përpos numrave, edukimi i njërëzve do të ishte një zgjidhje për ngushtimin e differencës në të ardhurat e tyre, në mos zhdukjes së saj.

R.Prifti

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit