Shteti i fotoshopit

Publikuar më: 30/10/2014

Kisha vene qëllim vetes që të mos shkruaja për tema me karakter politik, kjo jo për arsye druajtje por thjesht për te qëndruar larg qelbësirnajës. Mirëpo siç thotë një kolegu im i nderuar nëse do të ndryshosh sistemin duhet ta bësh atë nga brenda sistemit.

Shprehja shteti i fotoshopit mu kujtua kur po shikoja disa aktivitete të Policisë së Shtetit duke tallur menderen me nxënësit e shkollave të mesme me fushatën që i kane vene emrin “Policia që duam”. Disa nga ministria e brendshme dalin nëpër shkolla të mesme, mbajnë town-holle dhe u thonë kalamajve të pikturojnë se si e duan makinën e policisë së shtetit, se mesa duket dizajni dhe bonjat na qenkan problemi.shteti i fotoshopit

Tani për të mos folur më për këtë butafori gaztorësh për të cilën edhe njerëzit e dërguar nga ministria vërdallë nëpër Tiranë për të bërë këto hajgaret me nxënësit e shkollave të mesme jam i bindur që e kuptojnë tullumbacen alegorike që i shoqëron gjithë kohës. Për hir të së vërtetës disa prej tyre duhet të përtypin shumë më shumë, dhe lëpijnë shumë më shumë për të ardhur vërdallë dhe disa e bëjnë me qejf të madh atë punë.

Cili është mendimi im për “Policinë që duam”, ose si do ta doja unë policinë? Duke kuptuar se nuk i kërcet njeriu se çfarë mendoj unë për këtë punë, unë prap së prapi po bej detyrën time dhe po i them nja dy llafe qoftë për eterin dhe qoftë për ty lexues që ke shumë probleme me veten. Edhe një sqarim, unë i shkreti nuk po ankohem, se siç më tha një brekë salep: “Ti profesor – tha, je popull i thjeshte, nuk bën dot gjë”. Me psikozën e këtij tipit do merrem herë tjetër, por këtë e thashë për të thënë që nuk po ankohem, thjesht si bashkëvajtjes në këtë shoqëri, taksapagues shume i rregullt (që mos qofsha), dhe duke menduar se kam dy pare në kamare po e them dhe unë si e dua policinë dhe shtetin, gjithmonë pa të mërzitur ty lexues i dashur.

Po ja, unë dua që policia kur te marri makina te mos mendoje si ti bojatisi por të mendoje ti marri sa me prestigjioze dhe të mira, e jo si ato motorët e picave që u dhanë para pak muajve. Se fjala vjen për të ndjekur ndonjë keqbërës është e pamundur me ato mjete. Ndaj dhe policia është katandisur që rri me bllok në dorë dhe del xhiro me këmbë. Xhiro me këmbë është dhe në kuadër të dobësimit të efektivave të Policisë së Shtetit. Unë nuk kam hallin e keqbërësit, kam hallin e policisë, se pastaj do ndaloje vetëm njerëz me biçikleta siç kishin bere dje rreth orës 24 përballë Filologjikut, dhe atyre nuk u kërkon dot as kutinë e ndihmës së shpejtë.

Po ja, unë e dua policinë që të mos mendojë si te bojatisi, por te ketë benzinë dhe naftë me bollëk për të kapur keqbërësit. Se pastaj na vriten bankierë në mes të qitetit dhe nuk i kap dot policia. Dhe kur nuk i kap dot shteti nuk i bie gomarit por samarit. Nëse e mbani mend, kur u vra bankieri në bllok i vetmi polic që u pezullua ishte ai i shkreti që ju drejtua arma në fytyrë. Po të kish vdekur do ta kishin bërë hero, por i shpëtoje vdekjes dhe e kthyen ne palaço! Një herë një polic i qarkullimit rrugor tregonte se sa e sa here ngeleshin pa benzine dhe e shtynin makinën ose vinin ndonjë 2 mije ose tre mije lekësh nga xhepi për të vajtur deri në filan vend.policia shqiptare

Po ja, unë e dua policinë që të mos ma vendosi gjobën si skuth se ka marre urdhër të bëj normën por ta marr vesh për çfarë gjobitem. Kur një palaço polic në Milot me hoqi patentën pasi nuk nxora kokërr leku për ta gostitur dola në komision, dhe në komision marr vesh që kisha marrë një gjobe pranë një kafeje që nuk e dija ku binte dhe në një datë për të cilën kisha prova që nuk kisha qenë fare në Tiranë. Qyqja, sa më kish vajtur kamata! Mirë po, për të gjetur drejtësinë duhet të kaloja nga gjykata, e cila siç e di ti lexues i durueshëm është me kosto shume. Po do thuash ti pse si do ta marrësh gjobën ti?

Unë i shkreti them se gjoba nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por të ndodhi siç ndodh dhe në oksident. Kur në Florida më ndaloji polici nuk më erdhi rëndë-rëndë me bllok në dorë dhe të më kërkojë dokumentet si të isha një horr ose një keqbërës. Por pasi u përshëndetëm e pyeta se çfarë problemi kishte dhe nëse kisha gabuar në ndonjë vend. Më thotë që zotëria ka harruar të ndeze dritat dhe ka një llambë të targës të fikur. Imagjino, nuk tha të djegur, por të fikur. I them faleminderit, dhe kërkoj ndjese për harresën, dhe më uron rrugë të mbarë. Ndërsa te kjo policia që dua unë nuk ndodh kjo, sepse ti prezumohesh të jesh fajtor. Polici që kur të ndalon e ka ndarë mendjen që do ta nxijë ty ditën. Është si puna e mësueses me nxënësin, kur do të kapet e gjen gjithmonë një avaz.

Po ja, unë e dua policinë që të mos mendojë si të bojatisi, por që të jetë më e kulturuar. Kur po nxirrja makinën njëherë nga parkimi, polici kthen kokën dhe me një prepotence të paparë më thotë: ”Ato xhamat e zinj i ke në letra ti?!”. E pashë, e kisha me shumë nxitim. Instinkti i parë ishte ta shaja në disa breza horrin, dhe ti thosha që hapi sytë horr se janë të errët e jo të zinj. Por një skenë në mes të një rruge të populluar me një daulle do më kushtonte shumë, dhe u mjaftova duke i thënë thjesht: Po në letra i kam. Mirëpo horri nuk u mjaftua me aq dhe shtoi: “Ishalla i ke se do përfundosh si shokët e tu dhe ti...”. Se çfarë bisede vijoi më vonë nuk është subjekt i kësaj liste me dëshira se si e dua policinë!

Po ja, unë nuk dua që policia të mendojë si do bojatisi makinat, por dua që policia të mos jetë gjithmonë nën presion e kujtdo qe do vijë e do iki. Se ka dhe profesionistë, ka dhe njerëz të mirë, ka dhe policë karriere. Por që reprezalja politike i detyron të bëhen mashtrues, haraçlinj, dhe primitiv. Unë dua që polici të mos blej jelek fosforeshent që përdorin punonjësit e ndërtimit, dhe prangat të mos i blejnë në sex-shope por që shteti ti siguroje ato.

Po ja, unë nuk dua që policia të mendojë si do bojatisi makinat, por që shteti të mos i përdorë policët për të bërë video amatore rrugëve të Tiranës duke arrestuar fakirë e ndaluar daulle. Jo për gjë, por është anti reklamë dhe i ul burrërinë atyre efektivave. Se i mëson se si veshja me pushtet të çon drejt abuzimit, dhe me këtë logjike ata rrahin dhe gruan në shtëpi e larg-qoftë ndonjë tjetër. Policia nuk është për të bërë video amatore për t’ja futur vetes. Se turp e faqe zezë ishte ajo e ditëve të fundit, ku me një revansh të madh disa efektiva policie kishin kapur një fakir me një Renault Clio që nga forca e zakonit i kishte nxjerrë policit 5 mijë lekë të vjetra. Të vjetra dreqi e mori, të vjetra! Fakirin që nuk peshonte as sa qeni im e kishin kapur dhe e tërhiqnin si të ishte shtupë për larje çimentoje dhe do kish qenë saldator se as atë përparësen blu nuk e kishin lenë ta hiqte. Dhe lajmi se ishte arrestuar ai tipi buçiste dhe gurgullonte, agjit-propaganda fliste për arritje të mëdha në fushën e krimit kundra fakirllikut. Ndërkohë që këtu vidhesh, pritesh, vritesh, përdhunohesh e lidhesh në pemë dhe nuk ndodh gjë. Ndonjë herë këto skena më kujtojnë këta daullet e policisë bashkiake që duke qenë jashtë loje po i bënin presion një dite një plaku te rruga Myslym Shyri që shiste majdanoz dhe kopër. Kishte nxjerrë dhe bllokun dhe po shënonte në procesverbal sa rigon kishte sekuestruar. Jo zotëri ky nuk është shteti, nuk bëhet dhe as nis aty drejtësia! Mund të ndodhi që të më arrestojnë dhe mua (Ma mos ki frikë!) por mirë të ma bëjnë, siç thoshte K. Azbiu: “Partia ime po me arreston, ashtu posi !!!”.

Po ja, unë nuk dua që policia të mendojë si të bojatisi makinat, por që policia vetë të zbatojë ligjin. Do ishte mirë që policia të mos ishte si kullorese makaronash që rrjedh informacion gjithë andej. Shume njerëz e dinë se çfarë rrjedhje informacioni ka nga policia e këtij shteti. Mjafton të pyesësh ndonjë gazete kombëtare dhe ndonjë televizion të tille. Po unë dua që ai polici të mos e shesë informacionin te gazetarët për 50 mijë lekë. Se emri im nuk duhet të përfundojë në gazetë se më ndaloi policia. Rrjedhja dhe shitja e informacionit bëhet dhe me dashje dhe pa dashje, se helbete do funksionoje dhe propaganda. Po të paktën mos të tregohen aq të trashë. Mirë emri im doli pa dashje se nuk përbën subjekt politik, por te lista që i shet (jep) asaj daulle gazetareje vendos dhe ndonjë rilindas se bie në sy për keq.

Po ja, unë nuk dua qe policia të mendojë si të bojatisi makinat, por mirë do ishte që atë qelbësire qe e quajnë “Komision” ti ndërronin emrin, ta linin thjeshtë procedure administrative. Se ti lexues i dashur qe ke një fare intelekti, standardi dhe ndonjë gjë tjetër që nuk e ke vënë re, vete në komision me idenë që do sqarohesh dhe do dalësh para një paneli profesionistësh. Jo, i dashur lexues, është komplet e anastasjellta! Unë si i bukuri shejtan, u pendova që kisha veshur xhaketë rozë para atij komisioni që edhe pse kishte një zonjë në mes ishte shumë komision burrëror! Kur unë po prisja të më jepesh fjala, zotëria zgjat dorën dhe më thotë se duhet të bëja pagesën te godina e verdhe dhe një kopje ta ktheja prape. Pa parë ato letrat, e pyes nëse kaq ishte apo jo, se nuk e dija çfarë ndodhte më tutje, dhe ai me përgjigjet: “Pse ca do më ti?!”

Unë po prisja të më jepej fjala që të sqaroja çfarë ndodhi, ik or çun tha, sa vine si puna jote këtu. Nuk e desha veten! Dal duke menduar Migjenin, dhe po kërkoja një grusht aty vërdallë ti bija asaj qelbësirnaje... Rrugës për të paguar detyrimet ndaj këtij shteti (që Ooo Zot ju bëftë dita një mijë) shikoj se duhet të paguaja 60 mije lekë gjobe dhe 6 muaj kisha pezullim patente. Kur vajta te posta mu be zemra mal kur zonja atje me tha se paguaja 20% më pak gjobe se isha treguar i ndershëm. Nuk e ke idenë lexues i dashur sa i shtrenjtë mu duk ai pesë qind lekshi i vjetër që më ktheu ajo zonja...

Po ja, unë nuk dua që policia të mendojë si të bojatisi makinat.... E di lexues i dashur u mërzite, se helbete ke dhe punë, por të jap fjalën që kjo është e fundit.

Unë dua që ky shtet të ndajë shapin nga sheqeri! Nuk dua që unë të jem përjashtimi nga rregulli, se dreqi e mori aq i respektoj këto rregulla sa është një ndjenjë e brendshme që nuk më lejon të bej paqe, dhe them pse më ndodh mua kjo. Ndonjëherë them se me shikon perëndia ngaqë ndihmoj më shumë qentë se sa njerëzit.  Është ajo ndërgjegjja, është Shenkolli i brendshëm që më flet.

Dua që shteti të mësojë që nuk i vjen e keqja nga një shërbëtor i dijes (siç thotë një koleg imi i nderuar), se polici është aty si njeri që ndan jo atë që pretendon të ndaje... por diçka tjetër. Kamera që i ka kapur tmerri këta, makinat, kompjuterat nuk ndajnë atë që e ndan vetëm ndërgjegjja njerëzore! Se shteti me gjithë polici duhet të kuptojë që nuk u vendos rregulli dhe drejtësia se penalizohet një individ që efektin neto në shoqëri në fund e ka pozitiv.

Po shteti duhet të kuptojë se rregulli vihet jo me ata që gabojnë por me ata që abuzojnë. E di që është shumë të pretendosh në një shoqëri të tillë një gjë kaq metafizike, por nëse nuk e kupton polici të paktën ta kuptojë ai që i jep frymën e udhëheqjes policit.

Po shteti duhet të kuptojë, në mos mua, ti heqësh patentën 6 muaj ose 1 vit një hallexhiu i pret bukën e gojës, dhe jo një njeriu por zakonisht katër të tillëve.

Po shteti duhet të kuptojë se në ketë qerbela ka horra, hajdutë, halabakë, kriminelë, dhe sojë e sorollop që vijnë vërdalle me dhe pa letra dhe nuk u hyn gjemb në këmbë.

Po shteti duhet të kuptojë se reprezalja, kërcënimi, frika nuk janë instrumente të njerëzve me vizione dhe udhëheqësve modern, por janë instrumente diktatoresh, maniakësh dhe të sëmurësh psikik.

Po shteti duhet të kuptojë se jo frika por edukimi dhe informimi e vendos rregullin!

“Shed some light for Christ’s Sake, enough with fear and photoshop...”

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit