Bunkeri i kujtimit

Publikuar më: 24/11/2014

Jetojmë ne një vend ku njerëzve u kane humbur përshtypjet ne mase dhe ku arritja me e madhe është te jesh anëtar (po te duash dhe aktivist) partie. Thuajse është kthyer në klishe shprehja se historia kur përsëritet për herë të dyte kthehet në komedi. Ku dua të dal me këtë? Po ja ta them:

Pashë se ishte hapur në formë muzeu një bunker i diktaturës komuniste. Një nga ato ndërtesat absurde që kush e di sa njerëz kanë vdekur për ndërtimin e tyre dhe kush e di sa mund e para kane shkuar dëm. E pse? Vetëm e vetëm për të kënaqur ego njerëzish të sëmure, ndoshta dhe seksualisht të frustruar, dhe për të plotësuar njerëz me frika dhe tunele psikike të pa zhbiruara akoma. Në gjithë botën mostrat e diktaturës janë zhbiruar, ndërsa këtu për shumë arsye ende jo, madje po i mitizojnë!

Po ngjisja rrugën e ngushtë dhe të gjelbër drejtë bunkerit, dhe po ndjeja që po më mbusheshin mushkëritë. E ke parasysh kur ajri është aq i pastër saqë ti ndjen erën e ajrit dhe aromën e natyrës përreth, mund ta ndjeje që ishe larg Tiranës se kontradiktës. Ngre kokën dhe shikoj që po zbriste një bashkë vuajtjës i moshës së universitetit. Dikur studionim në oksident bashkë. Sa më pa, pa më prezantuar me të tjerët që kishte përreth tha: “Po ti këtu? Kjo nuk është për ju!” Me demek unë kisha bindje të djathta dhe nuk ishte për mua aty.

Në mendje më erdhën shumë përgjigje, si p.sh: Po ke të drejtë zotrote, në atë kohë i ndërtuat për veten dhe tani për veten i doni ti vizitoni. Ose kjo tjetra: Jo ore, nuk kam bindje të djathta, ore nuk kam bindje fare. Ndaj si rrjedhim dhe mua më lind e drejta ta shikoj. Mirë po, i thashë se e shkuara ishte fatkeqësish e përbashkët. E vura re se nuk e kishte menduar ndonjëherë kështu. Pasi u mendua njëherë me vuri ne dukje se isha shëndoshur, si për te nderuar temë. Edhe në këtë rast tjetër gjë mendova tjetër gjë thashë. Mendova ti theshnja: Ore kur ishim në shkolle isha unë i dobët, e ti i shëndoshë. Tani po shëndoshem unë dhe je dobësuar ti, e me qe ra llafi je thinjur... Mire po i thashë tjetër gjë. Çfarë hipokriti jam bere ëëë?! Pas kapslliqeve të kortezisë të rastit që na i impononte dhe prania e nivelit të lartë të estrogjenit vërdallë, u ndamë secili në punë të vet.

Vura re se tabelat dhe shenjat e orientimi si ato jashtë dhe ato brenda ishin perfektë, dhe organizimi ishte shumë i mirë. Lum ai që ka pasur projektin e realizimit se ka bërë goxha para. I lumtë!!! Kur hyra dallova atë erën e lagështirës që të rriste emocionin për të parë diçka të mbyllur për dekada, diçka të bërë me qëllim faraonik, diçka absurde, por dhe në fund të fundit ti do shikoje diçka nga periudha e frikshme e komunizmit. Ec e ec dhe prit të shikoj diçka për komunizmin e nuk po shikoja gjë. Në fillim, shikoja se çfarë u kishim bërë ne italianëve, pastaj çfarë u bëmë ne gjermanëve, si ua lëruam atyre të gjitha. Pastaj... pastaj... prit unë të dilte diçka e frikshme si ai alarmi i luftës që ishte improvizuar në mënyrë shumë origjinale, dhe të kallte datën, por nuk po dilte gjë. Durim thashë se harta tregonte që ishte e madhe.

Gjatë rrugës në ato dhomat dhe korridoret e ngushta dalloje butakët, dalloje barbarët. Atje ku tabela e thoshte në disa gjuhe mos prek, ai laci ose ajo nuk u bënte përshtypje se atë që po e shikonin ata nuk mund ta prekësh se po e shikojnë dhe të tjerë ndërkohë. Ose mania deri në sëmundje e fotografive në çdo vend, ku një grua (vetëm atë pashe) i bëri dhe fotografi dhe vendit ku Enveri presupozohet se kishte dhjerë. Nuk e ke idenë lexues i dashur se sa herë kam kafshuar buzët pa i fol njeriu! Ndërsa kundroja dhomën e Mehmet Shehut, dëgjoja një debil që thoshte se mungonte organizimi, dhe ndalova të dëgjoja arsyen pse mendonte ashtu. Po ja tha, që të jete organizim i mirë duhet të paktën një person në çdo dhomë, se ja ju tek njeriu të marrë një gjë dhe ta fut në xhep... Po e le me kaq lexues i dashur që të mendosh çfarë të duash vetë për ketë.

Nëse e ka bërë një gjë të mirë ky muze, është që të çlirojë njerëzit nga primitivizmat, komplekset dhe padituria e të vajturit në muze dhe në ambiente të tjera publike, por asgjë më tepër.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të vejë në dukje injorancën e masës, ose provincialitetin e shumëve, por diçka tjetër. Unë po prisja e po prisja për bëmat e komunizmit por ato nuk dolën. Aty doli se si ishte themeluar partia, aty doli se sa fitimtare ishim ne, aty dolën pasojat e tmerrshme që luftërat i lanë Shqipërisë, aty dolën se si një partizane i shkruante Nexhmies se pavarësisht armëve të sofistikuara të gjermanit, shokët partizanë kishin bërë kërdinë, aty doli se si u takuan ATA në Pezë, në Labinot, e diku gjetkë, aty doli se si pastaj shoku Taras udhëhoqi popullin drejt iluminizmit, aty doli se si shoku Taras i drejtoi shqiptarët drejt dijes e drejt alfabetizmit, aty doli se çdo 1 maj ata ishin të gëzuar, aty doli se komunizmi bëri elektrifikimin e na solli dritën që ne kemi sot o ju beftë drita një mijë Atij, aty doli që komunizmi bëri vepra të mëdha, aty doli... aty dolën çudira more!

Po aty doli që ne kemi pasur komunizmin më të gëzuar në botë, aty doli që ky popull e ka dashur shokun Taras më shumë se mamaja e vet, më shumë se fëmijën e vet, aty doli që shqiptarët kanë qenë të gëzuar e të lumtur saqë kush e hodhi atë sistem ju thafshin duart, aty doli se shqiptarët kanë qënë më të lumturit në botë, aty dilte se në fund të gjithë tunelit prej absurdi ti o kafshe sociale pi një kafe dhe një aranxhatë dhe del nja njëqind metra më poshtë ashtu si çdo mbetje tjetër sistemi.

Më falni mua por ai nuk është muze i diktaturës dhe ai nuk është muze fare, por thjeshte një përpjekje për të bërë një fotoshop mbi pesëdhjetë vjet të tmerrshme diktature. Dhe nuk e di cila mendje e sëmurë do të retushojë figurën e mostrës më të madhe që ka njohur jo Evropa, por njerëzimi. Ky i yni vetëm një shok ne Kamboxhia ka pasur.

Jo or lexues i dashur se nuk ka qenë ai komunizmi. Do thuash ti po ku e di unë, nuk kam jetuar atë kohë! Përditë falënderoj çdo lloje gjëje që nuk kam jetuar në atë kohë. Por pse duhet të jetosh që të dish? Aty përreth kishte injorantë me telefon në dorë, kishte dhe injorante që bënin humor me xhaxhin. Do thuash ti lexues i dashur që unë dua t’ju ndaloj humorin? Jo, aspak, madje shyqyr që erdhi kjo ditë. Por unë dua që këta injorantë të mësojnë pak nga historia. Të mësojnë çfarë ka qënë neni 55, ai neni që të dënonte për bërje humori...

Unë nuk e kam jetuar por kam lexuar e dëgjuar. Unë di që At Zef Pellumbi ka shkruar çudira për atë sistem. Ai thoshte së Mehmet Shehu përdorte kafkat e të vdekurve si tavlla duhani, ai shkruante se ata të lidhnin në qeli me shokun dhe të linin me të edhe kur ai vdiste dhe dekompozohej. Shoku Taras vrau gjithë shokët dhe shoqet e veta, madje dhe të afërmit e tij e të gruas, shoku Taras vrau gjithë ata që dinin dhe kuptonin më shumë se ai, ai vrau inxhiniere, vrau doktorë (mbajti disa se helbete i duheshin), vrau artistë, ore çfarë nuk vrau. Unë di qe komunistët kur “pushtuan” vendin në Shkodër dhe në Korçë kanë sekuestruar pianot dhe florinjtë e të gjithë aristokratëve të kohës.Pushkatimi Maliq

Unë di që terrori ishte i tillë sa edhe vëllai ose gruaja detyroheshin të denonconin burrin ose vëllain ose motrën, mjafton të pyesësh Maks Velon, unë di që gjyshi im ndiqesh nga sigurimi se kishte vesh pantallona teritali, unë di që Trifon Xhagjika (daja i mamasë time) u pushkatua për një poezi me titullin “Atdheu është Lakuriq”, unë di që burgjet në atë kohë kanë qene me famëkeqit, unë di që krimet kanë qene nga më të padëgjuarat... Por aty nuk dolën këto...

Po kur i japin opium këtij populli, e krahasojnë dhe me Gjermaninë. Po a është parë në Gjermani që të dali dikush me pankartën e Hitlerit, ose gjermanet të krenohen me atë kohë? Vetëdija gjermane është aq e madhe saqë ulin kokën ndaj gabimit. Pse kaq i bukur ka qene komunizmi te ne? Pse kaq e bukur ka qene diktatura te ne?050

Aty vura re dhe fshirje historie. Këta që fshijnë historinë, kanë akuzuar dikur të tjerë për fshirje historie. Ndaj nuk është mire tu bësh të tjerëve atë që nuk do të tjerët të ta bënin ty. Mirë po sa perverse është kjo shoqëri ku jetojmë, pikërisht bën te të tjerët atë që nuk do që të tjerët t’ia bëjnë asaj, ose dhe atë që e ka vuajtur vetë në kurriz në format më të poshtra. Po nëse vuajtjen dhe gabimin nuk e kupton as ai që e ka hequr në kurriz, çfarë na mbetet më pas?

Si ka mundësi që diçka të pa besueshme që ka ndodhur gjatë asaj kohe ta reklamosh në një bunker absurd dhe ta shesësh si normale, madje dhe te bukur? Vete absurdi i bunkerit flet për atë kohë... Kishte 24 vjet qe nuk flitej për Enverin dhe krimet e tij, u desh të vinte kjo dite që të ngjallej si Kostandini. Aman more gjejini ndonjë Doruntinë atij që e ka hallin që të iki prapë ku e ka vendin.

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit