Cudirat e vitit te vjeter, dhe hallet e te riut

Publikuar më: 30/12/2014

aaaa_5589Ne që kemi zgjedhur të jetojmë në këtë qerbela në krahasim me ata që jetojnë se nuk kanë nga tja mbajnë, kemi një avantazh! Avantazhi është se ne nuk jemi pjesë e asaj që të gjithë e dinë se çfarë ndodh por asnjë nuk flet.  Do thuash ti lexues i dashur në pritje të open-barit të vitit të ri, po çfarë bëni ju ndryshe nga të tjerët? Ne nuk flasim fare, ne bëjmë humor me atë çka ndodh. Si rrallë here po flas me “Ne” për arsye se ne këtë mejhane ka njerëz që dinë të bëjnë humor dhe njerëz që nuk bien dakord me shume gjera këtu. Kjo do të thotë se sistemi ty nuk të bën për budalla, por në pamundësi të gjërave te tjera ti bën humor.

Do pyesësh ti po si bëjmë humor? Vetëm ky nuk është problemi, ka material pa fund. Lexues i duruar, ky vit që u mbyll ishte ku thërret qameti!

Po ja, në 12 vrasje të bujshme, si në kohen e Cosa Nostres, vetëm njërës ju kap autori, edhe ai i shkreti u kap se ishte bërë daulle në miell dhe mezi vraponte. Ku është humori këtu? Po i dashur lexues nëse e kujton për secilën vrasje të ndodhur ka pasur një emision në darkë? E mban mend? Po për secilën vrasje të ndodhur ka dalë në modë që ti po të kesh një X6 në media thuhet se është biznesmen ai qe u vra. Shqipëria është i vetmi stan në botë ku fjala biznesmen ka konotacion të keq. Kur je biznesmen në rastin më të mirë je lopë për tu mjelë sidomos në fushatë  dhe në rastin më të keq je kokrra e trafikantit.policiaPo ja, këtë vit u bë dhe reforma e pensioneve. Plaka time ka punuar mësuese 35 vjet, fshat, qytet dhe ku e degdisi sistemi. Tani që vjen puna për pensionin e vendos se sa do marri një tip që në jetë të vet nuk ka firmosur një herë në bordero, një shok i këtij të parit që mezi ka mbaruar anglishten, dhe një tjetër që arritja më e madhe në jetën e vet ka qene tre fletëshi. Për të mos folur për sistemin që teknikisht është tipik ai i parazitëve, sepse si logjikë ekonomike sistemi i merr kontributet atij qe punon dhe deklaron të ardhura të rregullta dhe ja jep atij që ka qenë shtrirë lëndinave për vite me radhë.

Po ja, këtë vit u nis një reformë në arsim që nuk u bitis, dhe u mbyllën aq shkolla sa u rihapen prapë. Gojët e këqija thonë se i mbyllen vetëm sa të mbaronin regjistrimet, në mënyrë që nxënës dhe studentë të mbetur rrugëve nga këto kioskat të venin te mallagarët e sistemit, por unë nuk e besoj këtë, jo kurrë! Madje këtë vit u pajtua dhe një kompani britanike që do vijë të punojë për frymën e shenjtë, siç e beri Toni Bler, Xhesi Xhej, dhe shumë adhurues të Shqipërisë. Kjo kompania do vijë do bëjë atë që quhet akreditim, ose në gjuhën tonë të mëmës do ti japi certifikatë arsimit të lartë për koqe-kanarizem. A thua nuk e dinim ne këtë?

Po ja, këtë vit ne shtrënguam rripin. Po se mendjet e ndritura të ekonomisë menduan se rritja e taksave në kohë krize është ilaç për popullin dhe ekonominë. Edhe pse kjo ishte e pa dëgjuar ndonjë herë në historinë e ekonomisë, në gjuhën e mëmës kjo tingëllon si ajo shprehja: “...bar do hamë, e gjak do derdhim, vetëm partia të na rrojë...” Mirë po në politikën fiskale dhe ekonomike gjithë bota punon për interesa të vendit të vet, ndërsa këtu ministri përkatës në mbrojtje të buxhetit që vetë kishte shkruar nuk mori asnjë kërkesë parasysh nga biznesi vendas, por nuk i harroje nja dy porosi nga ambasada Austriake dhe Hollandeze. I kemi me kimet ata, nuk ua prishim dot – tha ministri. Bir Selman i nënës kë të qaj më pare!

Po ja, ditën kur shqiptaret do festonin Kristmasin e radhës me kokrrën e vesë 30 leke, një institucion i pavarur si ERE shpall rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Tani kanë mësuar ti fshehin mirë këto, që pas fiaskos së armëve kimike, kujdesen për komunikimin publik. Një dozë e caktuar opiumi, kaq i mjafton këtij populli se RAM te vogël ka. Pjesa më e bukur ishte me argumentimin që një daulle nga ata të ERE i beri propozimit për rritje çmimi: “Do përmirësojmë cilësinë e energjisë elektrike, - tha!”. Ka qenë një kanar tjetër si puna e këtij që do përmirësonte cilësinë e diellit, ai klouni nuk është dukur më pas asaj, shpresoj dhe këta te ERE-s.

Po surealizmi me energjinë nuk mbaron këtu. Mesa duket ti mund të pushohesh nga puna po nuk paguan dritat! Edhe pse kjo është krye këput shkelje e të drejtave të njeriut, abuzim, e nuk ka anë e udhë ca emri ti ve, kjo u quajtka vendosje shteti. Shteti në këtë rast vendos logjikën e atij kriminelit që të kërkon lekët borxh, dhe po nuk i ke të vret, duke humbur kështu dhe lekët. Në kësi rastesh avokati i popullit kujdeset për sumat e komunitetit LGBT, se mesa duket shqiptaret i kane siguruar sumat e tyre, dhe tani u kanë mbetur të ruajnë e të tjerëve. Po mire, po nëse ikën në punë dhe nuk punon fare, por i paguan dritat, a je në rregull?

Po ja, këtë vit u prishen dhe ndërtime dhe doli në mode tritoli. Nëse është një gjë që ky vend vuan ajo e ka emrin padrejtësia. Këtu hyn dhe ai i shkreti që vrau veten në burgun e Rrogozhinës për një fature dritash. Kur lexoja historinë se si kishte ndodhur, me kujtohesh Kështjella e Kafkës. O tempora O morës! Mendoja të futesha në mendjen e tij, përballë absurditetit dhe surealizmit të pafund, dhe një mekanizmi të kalbur shtetëror. Çfarë është jeta dreqi e mori?! Sa pak vlen jeta këtu! Sa një fature OSHE-je, sa një debil me makine, sa një psikopat me arme ne brez...

Mirë po, për një fature e hëngri dhe një zëvendësministre. Që për turp ti vije që nuk tha asnjë fjalë, se me demek kishte ardhur nga shoqëria civile. Jam mëse dakord që dritat duhet të paguhen se kjo gjendje është e pafalshme, mbi te gjitha kur duam të hyjmë në Evropë. Se në Evrope nuk hyn me nallane, por pse kjo padrejtësi kaq e madhe? Njerëzit i vret më shumë padrejtësia, se sa masat e mara kur ato janë për te gjithë njësoj. Ore çdo vend i ka 4 a 5 të forte, por në Shqipëri dolën të gjithë të fortë. Çdo njeri e shikon kur grupi i rokut të INUK prish katër ndërtesa rresht le 2 dhe prish prapë. Kjo është antireklama, që edhe atë që bën ja heq vlerën.

Po ja, ky vit ishte viti i çertifikimit të medias shqiptare jo vetëm si grupe delenxhinjsh e qoka-bërësish por dhe diletantizmit në profesion. Kam një koleg që i dëgjon lajmet te ABC në mëngjes për të ngritur humorin, një tjetër i dëgjon nga dy TV të ndryshme për të qenë në mes. Por këtë vit kam parë çudira ku çmimi naftës ulet nga 170 lekë në 172, ku Rolls Royce i thonë rollos rois, ku Spice Girls i thonë siç e lexon, ku viçit i thonë viq, kur rënia ekonomike është rënia e rritjes ekonomike, ku Alketa të uron të vesh te spitali Amerikan, dhe ku Arditi të pyet si e ke hallën dhe kur ti i thua sëmure ai te shet ilaç rrobash. Gazetarët janë aq të frustruar dhe të lodhur sa kur kryeministri tha emrin e të birit të vet Zaho, të gjithë u kërleshën (lexo kompleksim) dhe prisnin ndonjë çudi. Nga që e kishte shkruar  “...solli në jetë Zahon”, këta me të mesme teknike e morën sikur e kishte emrin Zahon dhe jo Zaho, po sepse Zaho qenkerkish shumë i thjeshtë dhe i zakonshëm për gazetarët e facebookut e instagramit që i marrin lajmet në kafe ose në banjë, ose bëjnë pohime dhe presin përgjigje se pyetjet kërkojnë shume angazhim intelektual.

Për të mos folur për porno festivalin e këngës magjike ku mund të jetë fëlliqësia dhe hipokrizia më e madhe ku një grup njerëzish që besojnë se janë Beyoncera dhe Majkella Xheksona, e metalare e rokerë këndojnë pa mikrofon dhe u bien kitarave elektrike pa i venë në prizë. Në fund mblidhen dhe i bëjnë qoken njeri tjetrit sikur votojnë filmin me te mire porno. Po ky nuk mjafton, por harxhimi i radhës i taksave të këtij populli është festivali i RTSH. E vetmja vlerë për të cilën i duhet hequr kapelja është se aty këndohet, lajf! Ndaj dhe disa prej jush, lexues të dashur nuk e panë aty Ciljeten, Zajminen, dhe disa syresh. Nuk po zgjatem se vetë prezantuesi ja vuri kapakun: “Dy ka nxjerrë Berati – tha, mua dhe Kozma Dushin. Atij nuk i dhatë çmim asnjë njëherë, dhe me këtë rast më dhatë mua prezantimin!” Mirë që nuk është Ilir Meta nga Berati. Ndërkohë, në krah të prezantuesit qëndronte gjithë shend e verë ajo që jep emisione mode te Akademia e Shkencave. Një kolegia ime kishte dy bileta për natën finale dhe nuk po ja ngecte dot njeriu. I thashë as për një selvie dhe një check-in nuk vlekan përderisa nuk i merr njeri.

Po meqë jemi te arti, këtë vit u be kërdia te panairi i librit ku në 5000 vizitore, doli një tip që shiti 11000 libra, u paska dhën mbi 2 për kokë. Ministria e Kulturës, pasi financoje lloje e soje kapsllëqesh, dasmash, festivale dritash pa drita, nuk financojë panairin e librit për arsye se nuk kishin letrat në rregull. Taksirat i ra ministrisë, këtë vit doli dhe moda që dasmat bëhen dy e tri here, një herë në gjirin e popullit me turshi të marra borxh dhe një herë në kalara të papara. Dhe meqë jemi te ministria e kultyres, vendosi që këtë vit të mos mbahesh as ekspozita e përvitshme Marubi për arsye se nuk e pa të udhës, dhe tha se në vend të saj ministria dhe galeria e arteve do të mbajnë disa tryeza ku do pinë çaj me barëra ekzotik dhe do kërkojnë frymëzim. Turp!

Po ja, këtë vit përveç qeverisë ne pamë risi dhe nga opozita. Ngaqë janë shumë të ngarkuar, nuk lodhen të bëjnë opozite por shkruajnë në facebook. Kur je në qeveri dhe te sulmojnë është normalitet, kur ndodh e kundërta duhet të shqetësohesh. Por kur je në opozitë dhe të ndodh kjo, duhet te jesh shumë poshtë. Në kuadrin e provincialiteteve (ndoshta dhe te drejta duke marre parasysh ruralitetin e shoqërisë tone ose katunarizmin) u prezantuan disa koordinatorë. Më e bukura ishte se kishte disa që kishin bërë shkollën e mesme jashtë, dhe atyre u fillonte përshkrimi i resumes që në shkollë të mesme, ndërsa të tjerëve u fillonte atje ku kishin eksperienca jashtë. Opozita është aq larg njerëzve, dhe është formalizuar aq shumë sa kreu i saj here pas here duhet ti kujtoje gazetareve se kujt po i drejtohen, dhe dy ore te Kol Balla si nuk i dergojë njeri një sms ti thosh që nuk ulet njeriu ashtu në karrige, e jo më ne TV. Largimi nga njerëzit vjen sa nga formalizimi, sa dhe nga qenia e komplet atij formati politik jashtë kontekstit. Për të kuptuar këtë mjafton të dëgjosh pamfletet e lexuar keq nga të rinj të shpërfytyruar, dhe opozita publike që është aq e dobët sa ç’janë dhe letrat që lexon ndonjë ish ministër kur me demek denoncon, pa kurrfarë mundimi. Nuk e kuptojnë qe njerëzit ne mos janë te zgjuar mësuan ne kurriz, u bën të zgjuar nga halli, votuan LSI.

Po ja, ne kishim dhe suksese në futboll. Ku si komb bosh që jemi, mjaftohemi me krenari me frymën fushaeKamzse shenjtë, me gjëra që janë si opiumi. Se kur vjen puna për gjera praktike, reale, të prekshme, gjithmonë dalim si ai laroja. Por ne edhe kur humbim nuk ndjejmë gjë, se hymë te kategoria e kombeve që na mjafton pjesëmarrja, ose të paktën dolëm krenare. Pra të dhjerë se në tavoline humbëm, por krenare! Po këtë vit sporti u nderua aq shumë sa ngriti dhe flamurin në Vlorë për ditën e pavarësisë, por kur analizat e kampioneve tanë dolën me doping justifikimin e gjetëm një soje si në komunizëm. Fajtori ishte ose bari i keq që kishin ngrëne, ose greku i poshtër që na stërviti! Asnjëherë gishtin vetes! Ndoshta asnjëherë vetes, se po ta kthejmë nga vetja vetëm një vend ka për atë të shkretë.

Po ja, këtë vit policia erdhi vërdallë nëpër shkolla i pyeti kalamajtë se çfarë ngjyre e deshën makinën e policisë dhe si përfundim nuk u pa as nam as nishan nga bojnat. Po këtë vit, shteti hyri në Lazarat, e mori barin dhe e dogji, por mesa duket qenka rritur vetë bari se edhe pas një viti asnjë i dënuar dhe i arrestuar përveç Gates! Po këtë vit policia vuri 600 milionë lekë gjoba, mori mbi 1000 patenta (ndër to dhe timen), asnjë semafor të ri, makinat e policisë po pa nafte, saqë kur pash një femër police që kishte bllokuar rrugën te rrethi i Kaza Italia thashë se kish ndodhur aksident, por jo. Ishte policia qe po shtynte makinën se i ishte fikur. Thashë të beja fotografi, por pata hallin se me kapin që nuk kam paguar ujin dhe po më japin ujë ne burg.

Si përfundim, me lejo të të them the tre te vogla. Po e para, u shpërndanë çmimet Bleta e Arte. Teorikisht këto çmime i jepen sipërmarrjes për përformancë të mire. Mirë po në parodinë e çmimeve ku katunaria me papionë imitonte çmimet oskar filloje ti ndante çmime vetes. Kështu shteti i dha shtetit një çmim, ku bleta me punëtore ishte drejtoresha e tatimeve. Perle! Së dyti, shteti shpërndau në Kamzë 2002 letra legalizimesh, vetëm numri 2002 vlen për të mos komentuar më tej butaforinë. Perle! Së treti, bashkia e Tiranës, asaj qe i ka humbur portofoli, vendosi që të vetmen pedonale që ka ky qytet kancerogjen ta kthejë në treg. Ajo rrugë ndodhet afër institucioneve më të sigurta që kanë rroje 24 ore, afër Ministrisë së Brendshme, asaj të Transportit, afër Parlamentit dhe prapë është len sikur sapo ka kaluar gjermani me tanke dhe diagaçë sipër. Nuk e di nëse barkderrave dhe këtyre të kënaqunve u bën përshtypje kur kalojnë aty për të ikur në parlament apo për të hyrë në bashki gjendja e rrugës. Është e vetmja rrugë ku njerëzit kalojnë dhe ndihen socialisht ndryshe.


I dashur lexues, unë e di që u mërzite po se helbete, shume e zgjata, por nuk mi mbante xhani këto pa i nxjerrë! Pastaj, ti mendon tani erdhi viti i ri, e të gjitha ti lemë pas dhe të shikojmë me sy dhe zemër nga e ardhmja se diç për ne të mirë do ketë. Mire po, lexues i dashur, unë hallin te viti i ri e kam, se ai i vjetri iku...

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit