Panairi i Këlcyrës

Publikuar më: 30/04/2015
3

U nisa me një kolegun tim për të parë se ç’bëhej nga “Panairi i Punës”, i cili u shpall në darkë dhe u bë në mëngjes, pak a shumë si emisionet kaps që bëhen në televizionet shqiptare. Nga lajmerimi publik që pashë nuk prisja gjë të madhe se niste me një butafori të paperceptueshme, siç ia këpusin përherë për arsye të ndryshme butakët.

Në lajmërim thuhej se duhet të përvishje mëngët, të merrje CV-në dhe ti futeshe aksionit se në panair kishte 50 firma dhe 5000 vende pune. Sa shikoj absurditetin, pyes një koleg tjetër se mos e kisha parë gabim.

-Ore, i them, keta janë në terezi? A i ha njeri më këto? Si ka mundësi 50 firma me 5000 vende pune?

Megjithatë, avash-avash u afruam te ai që i thonë Pallati i Kongreseve.

Screen Shot 2015-04-28 at 10.42.43 PMNga larg dallohej një turmë njerëzish që prisnin jashtë dhe degjohej një zhurmë teneqesh që binin. Në fillim thashë meqë këta përgjegjesit kanë natyrë artistike të çuditshme, mendova se do ishte ndonjë performacë arti kaps. Duke u afruar shikoj që ata ishin protestues të paqartë se çfarë kërkonin, nga këta që i hedhin tipik për zhurmë e me demek nuk janë me asnjë.

Afrohemi dhe shikojmë që dera e Pallatit të Punës ishte e mbyllur. Pyesim aty jashtë dhe na thonë se nuk është hapur akoma. U shtanga! Shikoj orën, ishte 12 pa pak. Ore, thashë, mesi ditës, si ka mundësi që nuk është hapur?! Një goce që më dëgjoi aty afër më tha në një mënyrë simpatike që hapet në orën 13:00. Ore të s’ëmës thashë, ky është leksioni i parë që merr nga panairi i punës, që fillohet puna andej nga barku i drekës.

Pasi presim një orë jashtë duke folur për indusrinë, mundësinë e punësimit, e ndonjë gjë tjetër që të prishte mendjen kur kalonte, erdhi një pikë që u trashëm. Mirëpo kishim investuar një orë dhe në kësi rastesh nuk të lë sedra të ikësh. Pritëm jashtë dere, dhe si thotë dikush, u shelluam në diellin e kësaj pranvere që ka marrë vrull të gjatë për të ardhur.

Pasi shkoi ora 1, shihnim që të dilnin nga dera e pallatit politikej dhe politikuaj. Po bëheshin qoka dhe po thuheshin absurditetet e rradhës se si do të merreshin masa për këtë dhe për atë, se si do hapeshin 5 milion vende pune, se si do të rikualifikoheshin njerëzit nga juridiksa në rrobaqepës, etj, etj si këto.

Po më grinte stomaku!

Në moment u hap dera, kolegu im duke parë drejt derës si Skënderbeu që shikonte horizontin e maleve tha: “Presim njëherë të iki turma dhe pastaj futemi: turma nga një drejtim ne nga një tjetër”.

Ai kishte shumë të drejtë por unë e kisha mendjen te stomaku, nuk bëhet filozofi me barkun bosh. E vetmja shpresë për mua aty ishte që përveç stilolapsave dhe fletushkave të kishte dhe ndonjë gjë për të ngrënë.

Hymë te dera e madhe me të ngjeshur dhe unë marr për djathtas se vura re që turma iku në të kundërt. Kaloj mes dy badigardëve dhe e gjej veten vetëm, por vetëm fare ama. Kthehem dhe shikoj që këtë kolegun tim e kishte ndalur njëri prej rojeve dhe një gocë thuajse simpatike, me një dosje të ministrisë në dorë që i thoshte atij të ecte nga ecte turma. Kthehem dhe i them : “Hajde këtej!”, dhe ne atë moment ky çuni më thotë dhe mua që të kaloja nga e majta. Po pse, ia kthej, është më pak zagushi këtej? Pergjigjia ishte brilante: “Hajde nga e majta që ta nisësh dhe ti mbarë panairin”.

U detyrova të ndiqja turmën, por u ngushëllova me faktin që isha pas dhe jo para tyre, se po të jesh para sot, kanë ardhur kohë të vështira. Duke ecur shikoj një boshllëk në masë, njerëz që pak në numër, por dhe të pavetëdijshëm pse ishin aty, firma që vrap e vrap kishin ngritur stendat e tyre...

Duke ardhur vërdallë ndieja se me diçka më ngjante ai vend, diku këtë emocion e kisha përjetuar, edhe pse aty ishte emocion i kotësisë. Ndaloj dhe shikoj që e vetmja gjë për të ngrënë ishte një çaj që kishte nxjerrë një kompani turke. Pyetja është nëse çaji hahet apo pihet. Për këtë ti i dashur lexues e di kë të pyesësh…

Papritur m’u kujtua se me çfarë po më ngjante ai vend! Me pazarin që bëhej dikur të dielave në Këlcyre. Ahh Këlcyra!

Erdha vërdallë për pak dhe po shikoja me kujdes stendat. Të gjitha firmat i njihja dhe e dija shumë mirë se sa punë ofronin ato dhe se për kë e ofronin. Duke kundruar në mendjen time të uritur për dije dhe për bukë, më prish mendjen një vajzë me një letër që e nxorri me vrap dhe me një gëzim të çuditshëm m’u afrua dhe tha: “Call center në italisht!”

Vazhdova të ecja dhe te merrja stilolapsa kudo qe shikoja në stenda, nuk kisha më arsye që të rrija në panairin e Këlcyrës.

Surrealizmi ka arritur një pikë që ndonjëherë fillon e dyshon per veten, dyshon për çka ndodh përreth, e ndonjëherë për atë që ke ulur në krah. Një i njohur më dërgon një e-mail për një panair tjetër që organizohet së shpejti dhe me idenë se unë mund të shkoj atje me një stendë timen. Se te ky nuk munda se u bë vrap e vrap si çdo gjë nga halli. Kontaktoj me këta të tjerët dhe më thonë se kanë disa paketa (unë që mendova se ishte falas) dhe më e lira fillon nga 700 €. Qyqja, i them, po pse aq shumë? Nuk është shumë tha, Vodafone ka paguar 10.000 €. Sa t’i shpjegoja pse ndodhte ajo, i thashë se po vij më mirë si vizitor dhe e falenderova për mirësjelljen.

Gjithë çka ndodh është pjesë e një lëvizjeje të madhe që ndodh në këtë shoqëri. Një lëvizje perverse, një lëvizje e denjë për t’u studiuar. Me kalimin e kohës njerëzit këtu mbathen mirë por përkeqësohen nga brenda. Vlera ështe kthyer në një mall të rrallë, butakët sa vijnë e bëhen më të paskrupuj, më të pafytyrë dhe karakteristikë më të keqe kanë viktimizimin!

E ke vënë re viktimizimin? Një sjellje si një rudiment supersticiozësh e cila është kthyer në një mjet të paparë për të arritur qëllimin. Eshtë bërë aq normale sa që bashkë me hipokrizinë, mashtrimin dhe genjeshtrën edhe meshkujt e perdorin viktimizimin kur janë në gjueti femrash.

Po pse është perverse kjo lëvizje? Po sepse këtu viktimat janë të forta, viktima në këtë shoqëri ka një aureolë të forti që e nxjerr gjithmonë nga balta! Unë e di që ti lexues i dashur tani fillon e humbet fillin, ndaj po e ndaloj perroin tim psiqik.

Si perfundim…

Mendova të ikja në dëshpërim e sipër, pasi humba dy orë shumë të vlefshme pune, dhe gjithashtu uria po më sfiliste, por papritur doli një arsye për t’u rrotulluar dhe njëherë. Në një stendë të një banke rrinte një vajzë shumë e bukur, por shumë ama, kishte bashkë shumë karakteristika që shumë rrethana nuk me lënë t’i pershkruaj për fat të keq.

Ajo ishte një arsye që t’i rrotullohesha dhe njëherë pazarit të kotësise për të gjetur atë që dhe kotësisë ndonjëherë i jep kuptim.

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit