Opozita kaps

Publikuar më: 26/10/2015
2

Kjo vjeshtë ka për të qenë e bukur, jo për arsyen se morra 20.000 lekë gjobë për vonesë të deklarimit tatimor, por se kam një ndjesi të brendshme që më bën të besoj se do jetë e tillë. Sidomos pas një vere të veshtirë ku përvec vapës, thatësire ishte dhe ekonomia e shoqëria bashkë.

Pasi vijuan aksionet për ribërjen e shtetit një e nga një, njerëzit ngaqë u mësuan keq, tani presin aksionin e rradhës, derisa të vijë ai i fundit i uljes së pantallonave (ose në gjuhën e ambasadës që na do të mirën 'bend over'). Unë e kuptoj që ti lexues i dashur dhe i paduruar do pyesësh pse aksione? Sado që e kam inat fjalën popull, më lejo të të them që ky popull kështu e do, i pëlqen aksioni.

Mirëpo të mbytur në aksione dhe reforma të cilat në vend të na nderonin na e lëruan, fajin për ideimin, implementimin, realizimin ose mos realizimin e tyre e ka gjithmonë ai që ka kapistrën e kalit në dorë. Me gjërat e pabesueshme, surreale dhe hashiqarllëqet që po ndodhin ketu në këtë vend me erë të keqe, ka aq shumë material saqë po ka ndonjë zot, të na ruaj mendjen. Ky vend është kthyer në një teatër të madh ku përherë "krisma nuk ka patur". P.sh: Kur drejtoresha e shkollës zgërdhin mesueset në dru, raporti thotë që mesueset nuk kishin c’bënin dhe u rrahën me njëra tjetrën, ja pra që krisma nuk ka patur. Kur u përmbyt Fieri dhe Vlora, ne na rroftë kombëtarja se uji që vuri para kallaballëkun, u tha që ishte për hajër, se kish bërë shurrën perëndia. Ti lexues e dëgjon shpesh shprehjen: "Shqipëria ka mbaruar", por kjo është gabim se nuk ka mbaruar Shqipëria, por kanë mbaruar shqiptarët.

Megjithatë, në gjithcka po ndodh, një vend nuk eshte i pafat kur nuk ka qeveri të mirë, por është i mallkuar kur nuk ka alternativë ndaj saj. Dhe nëse është një gjë që ka mbaruar ketu, është opozita. Ketu vijmë te pika që shoqëria ka mbetur pa opozitë dhe opozita pa kallaballëk. Mungesa e opozitës është ogur i keq për shoqërine në të cilën jetojmë, e sidomos në fazën në të cilën Shqipëria është. Po po aq e nderë sa është situata përreth, me e nderë është dhe ajo e opozitës dhe frymës opozitare.

Të kuptohemi drejt, kur them opozitë nuk e kam fjalën më për partinë që ka dalë në bankinë e po bën sehir, por edhe për frymën e opozitës si princip, si ide… Partia që teorikisht duhet të përfaqësonte opozitën nuk është më parti, por grumbullim i stisur me njerëz që akoma nuk kanë vënë kembët në tokë, dhe që jetojnë akoma jashtë kontekstit në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq me brekë salep. Teoria i njeh fazat tranzitive dhe lëvizjet strukturale të organizatave, por kjo që po ndodh në atë organizatë është dicka që teoria nuk e ka si kapitull.halimi

Mungesa e udhëheqjes dallohet jo vetëm në retorikën e mykur nga përtesa e të marrit të lapsit në dorë, por dhe kur prijësi i organizatës ulet dhe flet përballë gazetarit, a thua se po del nga kolltuku duke ju përgjëruar në shpjegimin e pyetjeve. Dreqi e morri nuk qënka një këshilltar PR-i aty nga ata 24 karatët që merr erë nga ajo punë ose që është i vëmendshëm dhe nuk ha miza. Problemi i këtyre rrishtarëve të prurë si kordinatorë nuk është vëmendja, por mendja. Kallauzet e tyre u panë që në fushatën e fundit politike ku menduan se me facebook e pa lëvizur menderen do merrnin pushtetin e do bënin kërdine. A thua se të gjithë ishin të zbritur nga lart për një mision sublim dhe gjaku jeshil i tyre ishte cka i bënte bashkë dhe të vecantë vetëm ata. Rezultoi që jo vetëm të ishin një dështim nga një kronikë e paralajmëruar, por dhe përfunduan në komentues anonim nëpër media online.

Një organizatë e tillë ka nevojë për gjak të ri. Nëse ish ministri i financave mezi begenis të lexojë një fletë rrufe shtypi, ishi i drejtësisë është bërë si mufkaxhiu i lagjes, ishi i KQZ-së si daja që bën qoftet, ishi i mbrojtjes po shijon jetën, ishi i mjedisit ka bo krushqi me biznes, ishi i policisë ka një lumturi Zhvejkjane, dhe ishi i parlamentit është mos o zot, mos e fol.Daullet ne aksion

Duke qënë të gjithë kaps mbetet që nga rinia të vijë një gjak i ri me energji, shpresë, vizion dhe mendësi të reja. Po dreqi e mori as kjo nuk ndodhi. Të jesh buzë qumësht dhe brek salep nuk do të thotë të mos jesh i vjetër në shpirt, ashtu sic janë një pjesë e mirë e këtyre që për hir të sistemit janë të rinjtë e plakur. Forumi rinor dikur ka qenë një repart që ka patur prurje, dhe një prej këtyre prurjeve po e qajnë akoma. Ndërsa sot është kthyer në barcaletë edhe mes atyre që janë aty. Eshtë aq e keqe situata sa dhe vetë qeshin pa zë. Ishi i fundit në krye të forumit, pati kurajon të ikë pa bërë zë, edhe pse i vonuar. Por këta që po bëjnë zë për të marrë vendin e tij kanë probleme të medha. Po si fillim, janë kordinatorë të entiteteve fiktive, ose kanë ofiqe në parti që janë të sajuara, pra janë si pa portofol. Dhe kur nuk duhet bërë kjo punë, në fazën më të keqe promovohen se është djali i babit, është miku i mamit, apo janë djemtë e Cilit. Mjafton të shikosh që forumi rinor, organi i cili furnizon me vizionarë organizatën, është nën drejtimin strategjik të Greta Kocit. Nëse mendohem më gjatë, strategjikisht më mirë do ishte që të mbetej në dorën e kësaj të fundit se sa të diversantëve nga Korca, kjo për arsyen se kjo e para më duket më shumë burrë se ky i dyti.greta_koci_forumi_rinorErvin-Salianji-dhe-e-dhunuara-Servete-Xhafa-

Por dy fjalë nuk mund ti lë pa thënë dhe për këta që merren me ekonominë te kazani opozitës. Si rregull kapsllëku vjen nga thatësira, ndaj dhe kazani i tyre ka vetëm gurë. Sikur të merrje një gafë në javë të qeverisë nga aspekti ekonomik, tani kishe publikuar buletinin enciklopedik të gafave ekonomike dhe do kishe material për opozitë dhe për brezat që do vinin. Mirëpo, këta esnafët e ekonomisë të opozitës, sa herë dalin i bëjnë njerëzit tapë. Njëherë, një tip prej tyre, në një forum të hapur për tu mbushur mendjen njerëzve se politika ekonomike e qeverisë ishte gabim u shpjegonte njerëzve se pse 5% bënte 6 lekë, ose një filozof ekonomik tjetër që shkruan rrallë se është aristokrat dhe i ka me përtesë mendimet.

Ekonomia nuk paraqet alternativë, nëse nuk je dakord nuk mjafton, duhet të japësh një alternativë që njerëzit të kuptojnë pse je ndryshe. Por në kohën e sotme nuk mjafton alternativa, duhet ti bindësh njerëzit për atë. Dhe kjo opozitë po bën një punë mjaft të dobët në bindjen e njerëzve. E di pse lexues i dashur? Po se as vetë nuk janë bindur… Hapi i pare i shërimit është të pranosh, që je sëmurë. Opozita nuk e ka kuptuar akoma. Eshtë aq e rëndë situata me atë organizëm saqë opozita ka ngel në dorë të Erion Braces, i shkreti është merzitur se fshatari nuk ka numër nipt. A thua se halli i vetëm i fshatarit është numri nipt-it, ndërkohë që i ka ikur nipti i kokës.

Kriteret teorike tregojnë se sipas të gjitha kritereve organizacionale dhe menaxheriale opozita nuk është gjëkundi. Por dhe nga ana e frymës dhe marketingut, është një punë shumë diletante. Vëtë personazhet janë aq të shtirur sa nuk ngjallin as habi kur i shikon dhe dëgjon. Une e di i dashur lexues që fola shumë, e gjykova shumë. Ti do thuash që unë jam daulle, madje më daulle se Eduard Zaloshnja që është gjithmonë opozitar me opozitën. Por të më besosh se nuk do ta kisha marrë përsipër këtë risk dhe konsum kohe nëse nuk do kish qënë kaq keq… Madje, ti lexues i nderuar nuk më kupton dot sa po e mbaj veten, një shpirt ma di!

Së fundi, më duhet të shtoj patjetër një mungesë fryme te njerëzit, një mungesë besimi nga të gjithë krahët, një apati e frikshme që na përgatit për ditë të frikshme. Njerëzit duket sikur kanë bërë paqe me sistemin, ca nga e mira e ca nga e keqja. Po ndodhin gjera sureale, hashiqarllëku ka arritur kulmin, për tatimet flasin diletantët, për mjeksinë kaushët, për arsimin ata që nuk e njohin, dhe për muzikën ata muzeqarët. Një barcaletë tregon se njëhere Cari vendosi të ngrinte taksat. Pas pak kohësh, vjen me nxitim keshilltari i tij dhe i thotë që është ngritur populli në kembë dhe po bën rremujë.  Ngriji akoma, - u pergjigj Cari. U cudit keshilltari dhe u nis me vrap të zbatonte urdhrin. Erdhi prap dhe i thotë që tani po bëjnë më keq, njerëzit po protestojne dhunshëm. Cari i qetë u përgjigj, ngriji akoma. Keshilltari i habitur iku prap. Kur u kthye për të tretën herë duke dalluar fytyrën e tij, Cari nuk priti, por e pyeti: "Heee cpo bëjnë tani?!" - Po festojnë, - tha keshilltari. Ka aheng, po hanë, po pinë e po gëzojnë. Shumë mirë, ju pergjigj Cari, aty leri taksat.

Historia është pak a shumë si kjo e sotmja, por vetëm se ahengu sot bëhet me qofte duke parë futboll.

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit