Konsulenti

Publikuar më: 12/01/2017

Fjala konsulent në Shqipëri është si një epitomë për mua. Por nga koha që mbarova shkollën dhe deri te koha që fillova punën dhe u njoha me mënyrën se si operojnë konsulentët më ndryshojë shumë mendimi. Sot kur dëgjoj fjalën konsulent më vijnë në mendje dy gjëra: E para, më vjen në mendje Andi Bandi Zulullandi, dhe e dyta, më vjen në mëndje një derr i kënaqun.

Në Tiranë shikon gjithfarësoj konsulentësh, sidomos këta që janë të huaj. Ndaj të huajve ne si vend na kanë rënë ca komplekset, por ndaj konsulentëve të huaj kemi akoma një fetish të paparë.

Para disa kohësh, kur unë në treg dhe në punë isha aguridh dhe sa isha futur në botën akademike të inovacionit, një kolegu im më thotë që kanë ardhë delegacion medemek nga Banka Botërore dy Francez të cilët do bëjnë analizën e gjendjes së inovacionit në shqipëri dhe do të intervistojnë dy përfaqësues të shtetit, dy nga akademia (të cilët presupozohet të ishim ne), dhe dy nga ku di unë se nga. Patjeter, i them. Me entuziazëm të madh madje pregatitem dhe me diligjencë të madhe bëra atë që kisha mësuar në shkollë: Prepare! Prepare! Prepare!

E kishim lënë në një kafe ku ishte taksative që ti ose ulesh aty për kafe biznesi, ose je daulle dhe nuk e di se çfarë po bën. Unë dhe kolegu im mbërritëm më herët, si normalisht. Pasi erdhën dhe ATA, vura re se ishin një meso burrë dhe një meso grua. Kur them meso, e kam fjalën nga mosha dhe jo nga gjë tjetër… Pasi na shpjeguan se çfarë kishin në plan, qëllimin e vizitës, dhe si do vijonin na drejtuan disa pyetje. Ky kolegu im, që ishte më i rrahur se mua, filloj në mënyrë perfekte të tirrte lesh. Ne kemi bërë këto reforma, kemi kaluar këtë ligj, akademia ka nxjerrë kaq shumë doktoratura (lexo pordhatura), etj. Unë në fillim po bëja sehir…. U krijua një atmosferë, ku tirr njëri - tirr tjetri, e kuptonin shumë mirë njëri tjetrin. Mirëpo unë isha ai i jashtmi (outsider), nuk isha mësuar me të tilla kapslliqe, dhe si natyrë e paduruar fillova të shikoja orën, dhe bëja uf e buf. Francezët nuk nxitonin për diku, kishin ardhë me terezi, se pret inovacioni për në Shqipëri. Pasi vunë re që unë nuk po e mbaja më, u kthyen nga mua dhe më pyetën se çfarë mendimi kisha për sa ishte diskutuar. Unë kisha vajtur i pregatitur dhe madje kisha plan me vete, por aq të padurueshëm mu bënë sa që thash po e përmbledh në dy pika sa të bëja adetin. I them se ne, vëlla konsulent francez kemi nevojë për para se inovacioni nuk bëhet me frymën e shenjtë. Sa unë mbarova këtë fjali, nuk mu turrën francezët, por mu turr ky imi. Ku ta dija unë se armikun e kisha me vete…?! Nuk je në terezi!- më thotë mua në shqip, po pse menjëherë lekë u kërkon?!... Mua nuk më vrau më shumë veshin leku, se sa fjala "menjëherë". Ore tëmën e sëmës -  thashë, nuk u kërkoka që në herën e parë. Mua të shkretit tërë jeta më kish ikur, pa filma, isha mësuar pa komplekse, që me herën e parë! (Bëj shaka! Ndoshta?!)

Konsulentët francezë si për të thënë që ne duam të të dëgjojmë kërkuan që unë të shtjelloja propozimin. Po ja i them, bashkia atëher kish marrë nja $2 mln dhe kish dhënë grante nga $2000 për bizneset e vogla. Unë propozoj që këtë punë të mos ta bëj bashkia (që për hir të së vërtetës atëher flinte për tetë palë qejfe) por një bord ekspertësh, dhe grantet të mos jenë nga $2000 por të jenë nga $30.000 deri në $50.000 për person ose për propozim biznesi.

Prap ky kolegu u hodh pupthi. Si ore do tu japësh aq para njerëzve ti? I them se nga ana financiare, bën kuptim se quhet parimi i financierit. Por ti i dashur lexues sa dëgjove anën financiare, tu bë goja çorape. Por unë do të them vërtet si i thashë, se edhe atij sa i thash nga ana financiare e humba fare. Ore i thashë, po me $2000 sot në Tiranë as për të vdekur nuk vdes dot, jo më të hapësh biznes. Konsulentët francez e panë që po ngroheshim ne midis vedid si përherë në Shqipëri, dhe mendoi që ta mbyllte duke na propozuar diçka. Ne na duhen disa analiza, thotë ai konsulenti francez që mezi po rrinte në karrige, se ishte shumë fine për sumën e tij. Na duhet një analizë për këtë, një për atë, një për këtë, dhe një për atë. Mund ti bëni ju dhe sa kohë do ju duhet? Nuk prita të fliste ky daullja tjetër, dhe i them direkt sa është pagesa.

Ai sikur u shtang, a thua i kisha thënë unë ndonjë herezi, dhe ktheu kokën nga kolegia e vet konsulente. Jo tha, ju do ta bëni për ndihmën e vendit tuaj… Heu bre… mendova!

Më fal, e ndërpreva duke ja zënë në grykë diçka që do të thoshte, ku po rrini ju aktualisht? Ne, te Rogner Europapark tha. Mendova, ky rri në një hotel që nata vete sa ç’më vete mua qeraja e një muaj shtëpie si i pastrehë që jam, dietën e kanë nja 2000 EU si francezë që janë, shto edhe një koeficient vështirësie që kanë këta për vende si Shqipëria, se me demek i hamë ne këtu, dhe llogaritë bëji vet ti i dashur lexues. Se si u mbyll kjo punë me francezët ta them kur të flasim prap bashkë i dashur lexues se janë gjëra me zarar. Bëj shaka!

Por gjatë gjithë kohës shikoj konsulent në Tiranë që kanë ardhur dhe lërojnë arat tona. Si përherë në këtë vend, duhet të vijë bota të na lërojë gjërat tona. Siç ndodh me ekonominë, me bujqësinë, me drejtësinë, me shëndetësinë, me pak fjalë nuk kanë lënë gjë pa lëruar. Pjesa më e madhe e këtyre konsulentëve vijnë duke e patur të qartë që ne jemi vend eksperimental, duhet të ecim ngadalë, se po të nxitohemi na përzihet, dhe po nxorrëm zorrët atëhere konsulenti duhet të pastrojë.

Në këtë treg përveç këtyre të vonuarve, pensionistëve të stazhonuar, të huajve që vijnë për pushime, atyre që vetëm lërojnë arat tona, kam parë dhe profesionistë të cilët nuk të lenë shkas për llafe. Një ndër këta profesionistë e njoha kur po udhëtonim për në Korçë për një projekt. Ishim unë me një koleg shqiptar dhe zotëria konsulent nga gjermania kvsaj rradhe. Shumë i mprehtë dhe shumë i kujdesshëm. E vetmja gjë që më bezdiste ishte tendenca e kolegut tim për ta trajtuar si perëndi dhe jo si të barabart mes nesh. Megjithatë, nuk ishte ky problemi. Kur i themi përfaqësueses së bashkisë që për këtë projekt do jem unë dhe një konsulent gjerman, kokë lepitka u nxi në fytyrë a thua po i merrnim pronat. Çdo, më thotë mua një gjerman për gjërat që unë i prek përditë dhe jam në terren… Nuk po zgjatem as me këtë se si vajti se është nga ato muhabetet që do ta bëjmë nga afër, unë dhe ti i dashur lexues!

Pas shumë kohësh që zhgënjehesha nga këta konsulentët e huaj, se kisha parë e kisha dëgjuar për lloje e soje nga filantropët te pushuesit, e deri te këta me vese që të kap ligji, kjo me gjermanin më ktheu busullën për termin konsulent. Atë ditë që po ktheheshim nga Korça, ishte ditë e gjatë dhe e lodhshme dhe në Tiranë arritëm në të errësuar. I them këtij kolegut tim pasi i kishim lënë shëndenë gjermanit, që të kthenim ndonje birrë. Mirë më thotë dhe si mikro borgjez që është vajti të parkojë makinën paradoksalisht tek Hotel Rogner, i them çne këtu? Po e kam blerë me tarifë mujore tha. Nejse, duke dalë nga parkimi dhe për tek hyrja kryesore e hotelit shikojmë nje trio që po dilte, ishte një barkalec duke qeshur me të madhe si derr i kënaqun, një pensionist që i shoqëronte dhe një gocë që pasi i foli taksistit morëm vesh qe ishte shqiptare.  Skena ishte e paparë, ishte fiks si të kish dashur të bënte një pikturë dhe të kish futur të gjithë elementët e epitomës brenda, por që i mungonte diçitura në fund. Ky kolegu im kthehet nga mua, dhe thotë: Shiko shiko, konsulenti! Ajo ishte! Ishte konsulenti, e kish gjetur fiks diçiturën për atë tablo. Ishte konsulenti gjithë shend e verë, duke qeshur si derr, sikur sapo kish firmos një kontratë të madhe me fakirat për tu shitur mend, ishte pensionisti që pasi ka mbaruar punë në botë e degdisin këtej për qoka se nuk ka të ri të huaj në karrierë që e kanë lënë mend e kokës të vijë në Shqipëri dhe ishte dhe ara shqiptare që duhet lëruar…

Ajo pra ishte, ishte konsulenti!

Lexues i dashur, nëse ke arritur në këto rreshta, unë e di që je i pakët, je i fortë, ngordh për çik vuajtje dhe mundim, je ai që një ditë gjithë ato muhabete që mbetën pezull gjatë rrugës do ti them vërtet nga afër. 

 

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit