Òoo Bambagjysh!
Publikuar më: 31/12/2017
Ulur me dy miq të huaj duke folur për Shqipërinë. Unë si zakonisht
u qurravitem pse gjerat nuk funksionojnë këtu dhe ata që qeshin ose e kalojnë
me ndonjë batutë.
Papritur, miku më kthehet dhe më pyet se ku
do bëj pushimet.
Ngela unë! “Pushimet?” - pyes unë si i zënë
kaps.
“Po, tani për festat e fundvitit. Cfarë do
bësh, ku do festosh?”
Prap ngela unë! I them se nuk kam ndonjë plan
e as nuk e di se cfarë do bëj, me siguri do sajohem në moment të fundit si
përherë. Unë si natyrë, nuk bëj as urime për vit të ri, të vjetër apo ndonjë
adet tjetër.
Ore u kthye nga mua si të më kapte mat. Une
ca kaps kisha ngelur, edhe mati më duhej!
“Po sikur të ikësh nesër për pushime, cilin
vend të botës do zgjidhje?!”
T’ëmën ore thashë, po ky? Unë prap ngela.
Kur mendoja një ditë më vonë habitesha me
veten se si nuk ma ndjente fare për të ikur dikund, ose për të bërë pushime,
ose çfarë dhurate desha, ose për tu bërë njerëzor… Kur njerëzit më pyesin si
jam, une nuk ankohem duke u thënë se cfarë nuk shkon, por u them atyre se cfarë
ka shkuar mirë. Prap më shikojnë cuditshëm! Po ky mendojnë, nuk ka frikë se mos
prishet, po ja tregove khasabasë…?!
Megjithatë, i dashur lexues këtë vit jam
treguar dorështrënguar në të shkruar dhe kjo për shumë arsye. Koha fillimisht,
përqëndrimi në punë dhe objektivat e vitit, qokat që duhen bërë në këtë
qerbelanë tonë, po dhe ndonjë mërzitje e shkurtër. Une e di që ti e ke ndjerë
mungesën, por sidoqoftë je përpjekur ta mbushësh atë me diç tjetër. Me çfarë?
Ooo, i dashur ky vit ka qenë plot me perla. Ka patur kaq shumë perla dhe kaq
shumë arritje (të paktën për mua), sa nuk di ç’ti kërkoj bambagjyshit.
Këtë vit òoo i dashur lexuesi im humordashës
dhe mendje mprehtë njerëzia mësoi aq shumë për barin sa ndodhi revolucion! Për
50 vjet me rradhë kjo shoqëri bar hëngri e gjak derdhi, ndërsa tani kaloi në
një stad tjetër: bar piu dhe gjumë fjeti.
Këtë vit ekonomia bëri çudira! Ministri tha
se të ardhurat në buxhet vijnë nga populli dhe si rrjedhim i ndaj si të dua. U
çuan nobelistët e ekonomisë në gjithë botën dhe hoqën kapelen, ne akademikët
dorëzuam gradat, e kështu me rradhë… Tatimet këtë vit, ditën e fundit të vitit
falën miliona euro të atyre që nuk i kishin paguar. Po une i shkreti që i
dhashë kokërr më kokër, që mu thaftë kompjuteri që bëra deklarimet… Taksat u
rriten për ne fakirat, dhe u ulën për faqirat! Pijet energjike nuk e meritojnë
taksën e lartë që kanë ndaj dhe si dhuratë qeveriu u hoqi atë barrë të madhe.
Gjak e serum ishalla!
Këtë vit rendi u forcua aq shumë sa vetë
policia ju bashkua aksonit dhe kauzës së madhe të korrjes, shirjes, pirjes dhe
q***. Në Vlorën e dashur nuk ngeli njeri pa marrë dhuratë tritol, pa vdek, dhe
pa u ther. Në Elbasanin e varfër nuk ngeli e kuqe pa hyrë dhe femër pa u shit,
njësoj si në vitin e largët 1997.
Këtë vit mjedisi u çorodit fare, i shkreti!
Në Valbonë u turrën vandalët, në Vjosë katalët dhe nga Liqeni i Tiranës lalët.
Përmbytjet e kësaj natyre të poshtër, kësaj rradhe ishin më të mëdha e më
intensive, por arritjet e qeveriut ishin akoma më të mëdha!
Ciklistët kaq të fustruar të Tiranës këtë vit
morrën një dhuratë të madhe. Trotuaret e fakirave u zvogëluan dhe u bënë korsi
për biçiklistët. A thua se trotuaret ishin 2 dhoma e një kuzhinë, e jo nga 20
pond ku njerëzit ecin në rresht si rosakët pas bibës.
Këtë vit arsimi u kolaudua! Për të 25-tin vit
rradhazi nxënës dhe studentë vazhdojnë të jenë daulle dhe të hidhen nga reforma
në reformë, si të ishin tespie greke. Këtë vit ministrja ishte aq largpamëse sa
me tu ftuar moti shpalli ditë zie në shkolla. “Pushim!” - tha. Më mirë në
shtëpi dhe ngrohtë… të mëson mami, babi, gjyshja, apo kushdo qoftë, sesa në
shkollë apo në klasë me duar në shalë…
Këtë vit shoqëria u ndriçua nga një emancipim
i paparë. U përdhunuan e rrahën më pak femra, u zhburrëruan më pak meshkuj, më
pak lagje mbushën ujë me bot, u ul cinizmi, njerëzit ja futën më pak njëri
tjetrit, e në fund të ditës prap mbetën vetëm. Komplekset u venitën si me
magji. Njerëzit po bëjnë paqe me vegjetimin. Ditët e fundit të vitit kam takuar
disa mikesha që çuditërisht kishin një kërkesë të përbashkët: "Na gjej një
burrë!". Ka rënë zia e burrave më thoshte një tjetër. Epo mendova, mirë që
ka rënë zia për burra, por mua pse mi kërkojnë! Kush e di si më mendojnë … Ose
si njeri të mirë ose si shoqen e tyre, të parrezikshëm. Shpresoj kjo e para.
Femrat u emancipuan goxha! Nuk qurraviten më për t’ju var dikujt në qafë, por
tani bëjnë foto mbi kofano makinash, 7 foto rrugës për në banjë, edhe 77 në
banjë, edhe 777 kur dalin nga banja, vendosin vesh dhe hundë me efekte dhe
bëhen si vitrina kinkalerinash. Xhan, mos harro se çdo gjë që nxjerr tregon se
po komunikon diçka. Pastaj kërkon burrë me doktoraturë!
Meqë jemi te shoqëria dhe te vlerat e saj,
këtë vit edhe viplliku pësoi ndryshime. Njerëz me iluzione që fluturojnë me
panxhar në tajare që mendojnë se janë vipa, intelektuhalë, anaLista, këngëtarë,
ata që bëjnë artin e vet, shoëbizista, e lloj soj sorollopësh që e kanë bërë
këtë shoqëri dhe rini TAP-ë.
Pa le shoqëria civile (ose kopile) ishte aq e
sukseshme sa nga 982 OJF-ë që ka dhe 144 mln Euro në financime nga bashqimi
evropit dhe ambasadat e vendeve të huaja, nuk arritën të pordhonin një figurë
për të bërë një komision vetingu.
Këtë vit drejtësia ishte në pararojë të
ndryshimit. Edhe pse iku viti i rradhës që nuk u vu drejtësi për asnjë gjë dhe
u bënë akoma më shumë padrejtësi, ajo ishte kryefjalë. Lloje soje horrash,
vandalësh e kriminelësh shpëtuan pa u lagur në ditën për diell dhe prap u dënua
me 10 vjet një për një lopë, unë me 10,000 lekë gjobë për deklarim me vonesë,
me heqje patente për 20km mbi nivel shpejtësie… etj, fakira plot. Gjygjtarë që
u gjetën lekët në krevat, të tjerë që thonë se nuk e di si i morri lekët,
prokurorë që shtypin njerëz dhe nuk e merr vesh njeri dhe së fundmi politikanë
që përdhunojnë këtë shoqëri.
Këtë vit media firmosi kapitullimin e saj!
Televizione të tëra të kapitulluara profesionalisht që shërbejnë çaj opiumi.
Burra e gra gazetarë që mendojnë atë që u vendosin në kokë e thonë atë që nuk e
mendojnë. Televizione turqisht e indisht folës, diare programacioni dhe llum
prodhues. Kapitullimi i zërit të një lirie të paçmuar, aq i rëndë sa edhe kur
ua thua në sy qe jeni debila, injorantë, delenxhinj, humbëtira, zhgaravina,
kazan, tenxhere, penxhere, tepsi, tas, legen, etj… pohojnë fatin e tyre të keq
duke u mllaçitur me bar në gojë.
Këtë vit i dashur lexues opozita u hap aq
shumë, sa nuk e morri vesh ça i hyri e doli nga shalët. Diletantizëm i
tejskajshëm dhe fatkeqësi kolektive për këtë shoqëri që nuk po di nga t’ja
mbajë, ku ta kërkojë shpresën që e ka humbur si pordha nëpër brekë.
Këtë vit, lexuesi im shakator, isha mire! Pse
të ankohem?! Shpresoj që edhe viti tjetër të jetë po aq i arrirë sa qy… Po
ishte më i arrirë edhe më mirë akoma. Por mos harro xhan, arritja ka kosto nuk
është e kollajshme.
Nuk po të uroj më kapslliqe, por po të them lere bambagjyshin dhe shiko veten. Po ishe mirë ti, mirë jam dhe unë!
Jepi like:
Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj