Sindroma e Karshtetit

Publikuar më: 22/07/2018

Oooo sa kohë u bë! Sa kohë u bë i dashur lexues që nuk e kam trazuar përroin psiqik dhe të rrëfej. Shumë, shumë fare madje! Kjo nuk është gjë e mirë, se të rrëfesh në mot motit i ka bërë mirë njerëzimit, atij që e nxjerr dhe atij që e dëgjon. Nga krahu tjetër, jo se nuk ka patur perla, marrina, apo dhe gjëra të bukura… ooo si jo! Ka patur plot dhe ti lexuesi im i rregullt dhe me durim gomari e di që unë çoç i vëzhgoj mirë këto. Kam mbajtur shënime pa fund duke pritur kur t’ja plas. Se këtu që thua ti, faktikish e thash unë(!), është bërë për t’ja plasur!

Që thua ti, ky vit ishte shumë intensiv, shumë punë dhe pse të qahem me bereqet ishte… Por, do që iku shpejt?! Doli shkurti, hyri marsi, vdiq Bimbashi, erdhi vera dhe nga ngeli te dera… Ngeli, se kjo verë më duket si hemafrodite, nuk ka as formë, as shije, as ngjyrë, e ndoshta as leka :) Por prit se do kthehem prap te vera…

Para disa ditësh dola me një mikun tim rreth mesnate nga blloku. Duke kërkuar për një person tjetër që po na sorollaste, befas më kapi një pështjellim, e mu bë një top në bark, si të kisha ca hithra që po me rrotulloheshin për qejfin e tyre, e një gogël në fyt, e me kapi një ankth, e të thuash ti aq e pata… E di pse gjithë kjo?!... Kisha shume kohe qe nuk dilja në atë orë e në atë kontekst, e në atë vend dhe kur vura re c’ndodhte, ishte tmerr! Mu kujtua libri "100 Vjet Vetmi"… Mu kujtua shkolla e mesme, mbi një dekadë më parë, kur unë ikja nga ky mut vendi për ti marrë erë botës. Nuk kishte ndryshuar asgjëëëëëë!!!!

E njëjta sasi horrash të kompleksuar, të trashë, që e kanë të shkruar në ballë që janë barbarë, të njëjtat sjellje, të njëjtat xhiro me makina ku asnjë nuk nxiton për asgjëkundi e për të kompensuar mungesa të tjera. Të njëjtat femra të mbytura nga komplekset e të dukurit perfekte e që fshehin deri në neveri (ose përpiqen) çdo lloj defekti,dhe ngrene ne kult perfeksionin e tyre te qelibarte, e të tjera që dëshpërimisht kërkojnë burrë, të tjera më të vogla që sigurojnë një mbijetesë, të tjera që vetë kënaqen në sedilje ngjyrë qumështi, të tjera që pas fjalisë së tretë që i dëgjon të vjen t’ja futësh vetes… Tani më kujtohet një e njohur që më thoshte me një shqetësim të madh se: "Blloku është si një krevat i madh, të gjithë flenë me të gjithë!" Ore nuk thua shyqyr që flenë i them, por mua nuk më duket ashtu se fytyrat e njerëzve prap të ngërdheshura janë… sikur nuk shkarkojnë fare!

Nejse, ideja nuk është te diagnoza e emancipickimit të bllokit por te diçka tjetër që po përpiqem të them.

Nëse kthej kokën pas dhe bëj krahasimin, ka qënë më mirë apo më keq atherë, mendoj se ka zero dallim. Tani janë bërë gjërat më hashiqare, e jo se nuk vihen re por nuk reagon më njëri.

At Zef Pllumi thoshte: "Të gjithë të marrtë, idiotët e të smundët nuk dijin me ba kurrgja tjetër, por me shtue marrinë, idiotsinë." E kështu më duket dhe mua tani pas kaq kohësh. Më duket se është shtuar marria e idiotsia, e se ne si shoqëri nuk kemi bërë asgjë për ta ndryshuar. Njerëzimi kultivon kuaj, derra, lopë e deri edhe pela e gomerë, ndërsa ne nuk kultivojmë dot veten. Si është e mundur?! Më duket sikur kjo shoqëri është në grahmat e fundit të njerzillëkut! Pra më e keqja është se nuk jemi njerëz! Po mo po njerëz, pa le më të flas për profesionistë për të bërë dy gram punë. Thagmat që kam përjetuar këto kohë, duan netë të tëra me ndonjë gotë në dorë për tu tjerrur, aq të frikshme, sa ndonjëherë më dukej vetja sureal, apo në ndonjë ëndërr të keqe ose ose në ndonjë përrallë makabre. 

Në një vend si i yni, ekonomia, shoqëria, edukimi, e ku di unë ç’tjetër mbajnë era mut! 

Në ekonominë tonë dalin çudira! Psh: nga një krah raportohet se bumi i bujqësisë me eksportet është i frikshëm, nga krahu tjetër që ndër 10 artikujt më të importuar janë frutat dhe perimet… Ore, nëse eksportojme fruta e perime, pse importojmë po fruta e perime? Cudi që nuk ka ekonomist me master shkencor të marrë e na e shpjegojë… Ose neve po na e fut dikush, ose ne po ja futim dikujt… por që kjo e para ka më shumë mundësi, thjesht kaq shumë herë na është futur sa nuk ndjejmë më!

Në eknominë tonë sipas qeveriut rritet punësimi, por rritja nuk reflektohet në ekonomi, prap këtu do na duhet një ekonomist…

Në ekonominë tonë ndërtimi i 1 km rruge kushton 16.3 mln euro. Tani këtu bën mirë i dashur lexues të ndalosh e ta lexosh dhe një herë shifrën. E di pse?! Po se përdhunim më të madh se ky, e vjedhje më të madhe se kjo, nuk do ketë njohur asnjëherë bota! E pikërisht po bëhet në mes të Tiranës, në ditën për diell, në rrugën Kashkar - Te Theodhoriut, që mos arriftë ndonjëherë…

Në ekonominë tonë kemi projekte bujqësie që vetëm në bujqësi nuk shkojnë. Se të kishin vajtur, ky nuk do ishte sezoni më i frikshëm dhe i dështimit të madh. Jo vetëm që kompanitë eksportuese i braktisën fshatarët, por edhe ne fakirët që hamë këto kancerogjenet e këtij tregu, i braktisëm masivisht. Më ka marrë malli për një bostan qëëëë unë e di… e për një koqe rrushi që ka era rrush!

Në ekonominë tonë 1 kg djathë do 8kg qumësht, 1 kg qumësht është 100 lekë, si përfundim çmimi i kilogramit të djathit në treg është 400 lekë! T’ëmën ore, çfarë po hamë ne…

Në ekonominë tonë rritet çmimi i naftës kur në gjithë botën bie…

Në ekonominë tonë pordhohet… asnjë gjë. 

Po pse ò, vetëm në ekonomi?

Po në shëndetësi?! Është pjesa më e dhimbshme! Mos të rëntë, të biesh në ato dyer se nuk kam fjalë ta përshkruaj… Në shtet nuk ka ilaçe, ndërsa në privat ti nuk vdes kurrë! E di ti i dashur lexues që në një spital privat nuk raportohen asnjeherë vdekje? Sa bëhet gati ndonjë për të vdekur e nisin për në QSUT në mënyrë që në fund, raporti të dalë që në spital privat nuk vdes njeri… 

Po në drejtësinë e rendë? O tempora o mores! Në vendin e çudirave gjyqtari i nxjerr lekët nga dasma e vajzës dhe nuk i bën njeriut përshtypje fare. Tjetri ka vjedh e ka vrarë, e thotë e bëra për hir të dikujt tjetër! Tjetri, kur e pyesin pse baba ka 18 shtëpi, thotë se ç’punë ka ai me babën! Po ta marrësh hollë-hollë edhe ka të drejtë… Dhe ja fiks këtu ty të duket vetja daulle! Po mo po, daulle! Se është ai momenti që të gjithë e dinë që ai është qelbësir, por del një media e i shpëlan trutë dynjasë me argumentin se ç’punë ka ai me babain.. E aty, ti avash-avash fillon e justifikon gjëmën, e racionalizon absurditetin… deri sa ai zotëria del i pafajshëm… Dhe me këtë idiotësi kolektive, bëhet çdo gjë në këtë mut e hale vend! Ku gjyqtari thotë nuk e di se nga ka dalë shtëpia, prokurori thotë nuk janë lekët e mia poshtë krevatit, e ministri thotë shoferi u vra me 6 plumba, se me një nuk dukej mirë! O lexues?! O ore?! A e kupton çfarë po ndodh? Se unë për vete nuk po marr vesh më gjë …

Po në shkolla?! Shkollat, thosh Zef Pllumi, janë ato që përgatisin udhëheqësit e kombit. Në kjoftë se i shuejmë këto, i kemi ba atentat jetës së përparimit të kombit. Nji komb pa udhëheqësa të pregatitum kurr nuk do të përparojë. Thoshte i shkreti, po kush e dëgjonte, e kush e dëgjoi, ashtu siç nuk na dëgjon njeri ne të tjerëve sot!

Po këta lidera të pa shkolluar e pa edukuar, i ke në biznes, në politik-bërje, e kudo! Po ku pjerdh i pashkolli për shkollën?! Po këta të pa shkollët mund të prodhojnë çudira, njësoj siç prodhuan çudira 7 dekada më parë, kur me injorancën e tyre e dinin se të ishe françeskan, ishe francez! 

E njëjta gjë dhe sot! Shkollës së mesme i vete përmbarimi se i ka dalë pronari, Universiteti i Elbasanit është bërë bordello e akoma i thonë universitet, për të mos folur për Universitetin e Gjirokastrës. Bordello po të them! Shiko, kisha një studente që kishte ngelur për të katërtin vit rradhazi. Kur hapa të dhënat në kompjuter, vura re se kishte hyrë çdo vit nga tre herë dhe çuditërisht sa herë hynte bënte një ose dy pyetje më shumë. Këtë vit - i thashë - po të kaloj sepse jam mahnitur nga progresi yt 4 vjeçar dhe nga këmbëngulja jote! Unë e di që ti lexues i dashur po qesh tani, por unë u mahnita vërtet…

Edukimi është gjëma e madhe që i është bërë kësaj shoqërie, ose më saktë mungesa e edukimit. Më thoshte një përfaqësues i një firme të madhe në Shqipëri: "Kemi hapur akademi trajnimi. Në vit vijnë 400 aplikantë që trajnohen në lloje e soje formash." 

Po super! - i thashë unë, - Po sa dalin pra në vit që punësohen?  

4 - tha ai. Ramë të dy në qetësi për një moment…

Po trajnonim ekonomistët e qendrave shëndetësore të Shqipërisë. Kur flas me një prej trajnueseve dhe e pyes se si vajti trajnimi, më përgjigjet: "Nuk mendoja se në 2018 do kishte ekonomistë që nuk dinë se çfarë është mouse…" Duke parë situatën vajta vetë në terren. Në një prej trajnimeve hyn një person që ishte biçim drejtori rajonal dhe u thotë se të gjithë duhet të paguajnë dritat e qendrave shëndetësore ose perndryshe burg. Nga salla ngre dorën një burrë i vrarë e dukej që ishte veshur me mundim për tu bërë përshtypje pedegogëve që kishin ardh për trajnim nga Tirana.

Zotëri! - i thotë - po unë që nuk kam qendër shëndetësore në dorëzim se është e rrënuar prej vitesh, por kam një infermiere që falë projektit ka çantën me instrumente e barna që vjen vërdallë në fshat kur ka njeri nevojë, ç’të bëj? 

Nuk më duhet mua! - i përgjigjet ky biçimzezi. Të gjithë të paguajnë dritat, se përndryshe kam urdhër nga lart për burg. Kthehet nga mua e largohet duke thënë: "Profesor, faleminderit dhe mirëupafshim". 

Por nuk është thjesht çështje shkolle, është diçka më tepër! Është kultura, është njerzillëku që ka humbur pa nam e pa nishan. Është e kotë të kërkosh njerëz profesionistë, se edhe nëse i gjen, janë qelbësira profesionistë! U bënë disa kohë që po interesohem për punët e bujqësisë, si një ide e vjetër për një iniciativë në këtë fushë. Në tavolinë disa njerëzve u them se janë 6 vende të hapura për pedagogë në një institucion, e nëse mund të më sugjeronin dikë. Kthehet njëri prej tyre dhe me injorancën e vetë aq pozitive dhe të mirë më thotë: "Ehuu ti, profesorë ka plot… fermerë nuk ka". Po të kuptosh kontekstin ti i dashur lexues, ai ka shumë të drejtë! Njerëz që bëjnë si profesora ka plot… Mirëpo nuk më la të futesha në mendime më të thella, se vijoi: Ore fermerë nuk ka! - e më shikonte drejt e në sy. 

Unë thashë ç'pati ky!

- Kisha 320 fermerë të punësuar dhe u thashë vetëm një rregull të thjeshtë! Do ta korrni në ditën që u them unë dhe jemi në rregull. Jo ore! - tha tërë tërsëllimë që vinte nga halli i punës . – E korrin më parë dhe e lagin me ujë bimën që të peshojë më shumë. Unë i kuptova të gjitha dhe pushova nga puna 150 fermerë. Pastaj më vinin burrat e zakonit si legenë. "Për unj e kryj të kalamajve skam bo gjo…", "Goca këndon live… po sot nuk ka punë… a të vij nga ju…"

Pra, si mund të kërkosh profesionalizëm dhe etikë pune nga një shoqëri që shet perëndinë, fëmijët, dhe gruan. 

Treg ka sa të duash! -  bërtet miku im, si për ti vënë vulën muhabetit. Mesoi gjithë ditën këta… është me natyre njeriu… pa largpamësi nuk jetohet këtu… Për sa kohë ka për të qënë shprehja "Me kismet", punë muti ka për të qënë… 

Dhe ka të drejtë, punë muti është!

Ti i dashur lexues mos mendo se vetëm fshatarët e fermave dhe të tjerë pa shkollë kanë këtë sjellje?! Jo! Kjo është habia…

Pse u braktisën fshatarët? Pse nuk e mbron njeri teatrin? Pse nuk e mbron njeri liqenin? Pse janë në burg kuksianët që protestuan? Pse nuk flet njeri për krizën e madhe ekonomike që ka pllakos këtë vend? Pse nuk flet njeri për paranë kolosale që po pastrohet? Pse nuk bashkohet njeri në kauza?

Të gjitha këto janë probleme të këtyre që kanë një okë me shkollë… Se mesa duket shkolla pa njerzillëk të bënka më të rrezikshëm! 

E di që të mërzita, u zgjata shumë, se ndoshta ti tani nën zhegun e vapës je shtrirë gjetiu, duke bërë gati selfien e rradhës e do mendosh "vetëm llafe ka ky", por unë do bej timen, si durimmadh që jam duke e mbyllur me këta njerëzit me shkollë.

Le fshatarët së gjykuari, se mendoj se aq dinë e aq bëjnë, plus që sikur i shikon ndonjë forcë natyrore. Sa më keq sillen, aq më keq i ndëshkon natyra, e ndaj nuk rriten ndonjëherë. Po shikoj rrotull meje këta që më rrethojnë, që po u del shkolla e edukimi nga veshët… ore janë më keq. Më duken ndonjëherë si piranja, ku çdo fjalë i ka 9 kuptime nga mbrapa, se a thua çdo fjalë duhet të kalojë rrathët e Dantes. 

Ke një kategori që janë si butakë. Bien dakord me çdo gje dhe nuk mbajnë asnjëherë qendrim. Janë më të këqinj seç hiqen, principmëdhenjë! 

Ke një tjetër, të cilët nuk komunikojnë mbrapsht sepse janë shumë të zënë, por në momentin që u duhet diçka… bëhen si larva.

Ke një kategori tjetër që unë e quaj sindroma e karshtetit. Kjo më erdhi në mendje nga një diskutim së fundmi. Shumë shokë e shoqe të vjetër, kolegë, etj. Pozicione shtetërore e jo-shtetërore, por me pozita vendimmarrëse. Ketu nuk po u hyj si i kane marrë pozitat, se është diskutim tjetër. Por më e rendësishme është se ti njihesh (ose njiheshe) aq mirë me ta dhe në forma informale të ndryshme. Një herë kur kishim një projekt me një mikun tim punëtor, vajtëm të takonim te M. Transporteve atherë një shokun tonë që sapo ish emëruar shef kabineti. Ne e takuam si të ishte shoku… por shoku na uli si të ishim delegacioni. Nejse, pasi dëgjuam principet e funksionimit të shtetit, teorinë se si efektiviteti operacional i shitjes funksionon në ekonominë moderne, e t’ëmën e sëmës së tij, dolëm dhe po shikonim njeri-tjetrin, se nuk po na besohej. “Ore”,-  i them këtij mikut- "ky bole është?!"… Ideja është se këto vite më ka ndodhur shpesh situata të tilla, të cilat shpjegojnë mungesën e njerzillëkut dhe shpirtit të njeriut. Pra, unë këtë e quaj sindroma e karshtetit, duke bashkuar spontanisht dy fjalë që u përmendën shumë gjatë diskutimit për këtë punë: karrige shtetërore (lexo pushteti). Ideja ishte se sa ulen në karrige, ndryshojnë si njerëz në gjenezë. Karrige + Shtet = Karshtet. Shiko, të të them një sekret! Sindroma e karshtetit funksionon në çdo lloj rrethane, i transformon njerëzit frikshëm, madje edhe nëse i ke parë lakuriq ata…

Të treja kategoritë e mësipërme kanë të përbashkët sindromën e "apres moi le deluge" dhe një delir madhështie, se njerëzit do të jenë përherë ashtu e aty! Pak a shumë sindroma e çdo mendjeje të semurë, çdo diktatori, çdo batakçiu, çdo kurtizani, e çdo… e kupton ti lexues i dashur. 

Tani unë po e mbyll këtë përrua psiqik të gjatë, jo më me fjalë, por me një pjesë nga një film si ata që nuk i bëjnë më sot, një film kur aktorët ishin aktorë, e një film që ndoshta ti nuk e ke parë fare se ke shumë instagram, e story e pordhë në ajër. 


Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}
I madh ngelesh profesor në çdo kohë, në çdo situat! Nëse shoqëria jonë ka qënë mut le të themi, dhe vazhdon të ngelet e tillë nga kjo analizë (që na bie ta vërtetojmë të gjithë në fund të ditës) atëherë me rregull 3shi përsëri e tillë do të mbetet?!
Ahuuuuuu na lodhe, se si budallaqe i vajta deri ne fund. Po keto gjera dihen, quhen fare normale. Ne gjithe kete perrua psiqik ti je "anormali"qe çuditesh
Perlë

Artikujt më të fundit