OMERTÀ DHE ROLI

Publikuar më: 07/06/2019

Që nga koha e qoftëlargut shoqëria jonë është ngritur mbi një fasadë ku të gjithë njerëzit jetojnë rregullisht për të tjerët. Mëkati më i madh kur të jepet vetëm një jetë, të paktën për ne që nuk i japim më shumë rëndësi jetës së përtejme se sa kësaj që kemi sepse do preferoja që virgjëreshat ti kisha në këtë jetë dhe jo në tjetrën, është të mos e jetosh atë për vete edhe pse e di që ke një, por të të tjerët.. Që në kohën e mërhumit shoqëria u ngrit në një lavazh të frikshëm mendor me parimin "mos se na dëgjojnë!". Edhe sot e kësaj dite të bërit gjoja në shoqërinë shqiptare është ngritur në kult. Edhe kur zgërdhihet në dru gruaja në shpi nga burri nuk thotë boll se më vrave, por, mos se na degjojnë komshinjtë. Edhe në plazh, femrat tendosen e meshkujt shtrëngohen e nuk lënë qime pa hequr, por aq shumë sa harrojnë që kanë vajtur në plazh. Do të thuash ti i dashur lexues pse po të telendis unë ty duke të thënë që po jetojmë në një shoqëri fasade, ose si thosh ajo zogëza në eurovizion Fasadè…? Do të thuash ti unë e di këtë dhe pak a shumë e ndjej por nuk është se e flas! 

Kjo pra është ideja! Në vendin tim dhe në vendin tënd omertà bën kuvend. Si përkufizim kodi mafioz i Omerta është "kod heshtje rreth aktivitetit kriminal dhe refuzim për ti dhënë fakte autoriteteve". Ne nga shoqëria fasade kemi kaluar në omertà.

Duke filluar nga gjërat më të thjeshta dhe intelektuale. Nëse unë si ekspert ekonomie them që: “skema e re e taksimit nuk ka funksionuar, ka rënë aktiviteti ekonomik i industrisë së shërbimit me 30%, klima e biznesit është përkeqësuar, etj. dhe sado në shifra të bazohem unë, prap nuk pjerdh njeri fare. Pas 5 muajsh vjen FMN, Banka Botërore, PPT, TTL, PPP, LKL dhe ku di unë ça dreqin vjen tjetër këtu dhe thotë po të njëjtën gjë atëherë vëlon kapslliku mediatik. Kjo për çështje ekonomike, intelektuale dhe relativisht të një shoqërie të emancipuar, por emancipimi këtu është si lulet, i ha gomari…

Duke qenë një vend i vogël omertà merr dhe një formë qesharake. Të gjithë e njohin njeri-tjetrin, të gjithë e dinë si funksionon dhe më e bukura është kur të gjithë bëjnë gjoja sikur nuk e dinë si funksionon dhe kalohen tre shtresat e hipokrizisë dhe mashtrimit. Por më bukur e ka thënë një historian si vijon:

"In the 80s everyone from the top to the bottom of Soviet society knew that it wasn’t working, knew that it was corrupt, knew that the bosses were looting the system, knew that the politicians had no alternative vision. And they knew that the bosses knew they knew that. Everyone knew it was fake, but because no one had any alternative vision for a different kind of society, they just accepted this sense of total fakeness as normal..."

E njëjta gjë edhe me krimin dhe me vjedhjet e zgjedhjeve, se me kë fle apo nuk fle Loni dhe Mira  apo dhe me BILLDIN!

Nuk kam asnjë gjë kundra BILLDIT, por e kam me tallavanë që si përherë do zgjasi tre dite dhe pastaj do venitet. Po a thua ti se nuk e dinë shqiptarët se si dhe ku bëhet korrupsioni? Po a thua ti se nuk e dinë shqiptarët se si dhe sa blihet vota? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët që të dyja partitë vjedhin votat? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët se si partitë në zonat rurale i venë në rresht familjet për të votuar në grup? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët se në zgjedhjet e fundit të treja partitë e mëdha në mes të ditës me kamera dhe me njerëz i vodhën votat e partive të vogla dhe fakirëve të pavarur, HAPUR fare duke i ndarë!? A thua ti nuk e dinë shqiptarët se të bëhesh kryetar bashkie kushton 300.000 euro fushatë? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët se çmimi i deputetit herën e fundit ishte nga 150.000 euro nga opozita dhe 300.000 e sipër nga shumica? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët qe kjo qeveri ka marrë fund nga humbëtira e korrupsionit dhe që politikanët janë bërë si derrat e Orwell në Fermën e Kafshëve? A thua ti se nuk e dinë shqiptarët se opozita mendon akoma se është në pushtet dhe nuk ka lidhje fare me njerëzit?

Pra nga omertà kaluam në rol! Këtu janë të gjithë në rol!

Janë në rol sepse gjatë kohës që në Korçë bëhesh gjëma nga natyra, sepse dhe perëndia na ka kthyer menderen me shi dhe tërmete, këta mallagarët e pusht-etit bënin party. Njëri e kishte party-in të shtunën dhe kish mbledh soje e sorrollop për tu folur për marsin e jupiterin dhe për ëndrrat e haluçinatit. Por për organizimin e përgëzoj sepse përherë në të tilla tregojnë frymë dhe evoluim. Ky tjetri e bënte party-in të dielën në darkë! Imagjino të dielën në darkë! Kur e gjithë dynjaja është pushim dhe ai zotëria nuk është në zyrë fare! Pasi erdhën vërdallë si Ver Llapa për dy orë dhe bllokuan gjithë dynjanë pa qëllim në vetvete hodhën fishekzjarre si dasmë barbarësh dhe ikën në shtëpi. Këto o lexues i dashur janë në rol!

Janë në rol sepse në parlament thirrje kushtrimi për shpërndarje parlamenti e bën Maliqi, thirrje për rregull në komision parlamentar e bën Gjuzi dhe leksionet e moralit dhe etikës politike i mban Murrizi. O tempora o mores! 

Janë në rol sepse edhe kur në televizion debatohet për komunizmin dhe diktatorin prap debatin e fiton komunisti dhe adhuruesi i diktatorit, edhe pse ka kaluar 30 vjet dreqi e mori nga ajo kohë. Por ka qenë aq e tmerrshme sa dhe këta ‘medemek’ të përsekutuarit dhe mbrojtësit e demokracisë nuk kanë tajare për të fol se çfarë monstre ishte ai dhe çfarë sistemi i frikshëm ishte po ai.

Janë në rol sepse sot e kësaj dite pas kaq kohe krizë nuk po flet njeri si këto qytete po ç'popullohen dhe nuk kanë pikën e perspektivës.

Janë në rol sepse kjo ekonomi ka marrë tatëpjetën me rënie besimi me 1/3 dhe mungesë totale sigurie. Kur në kulmin e krizës që po kaplon biznesin në këtë vend, në terren kanë zbritur tamboret e tatimoreve, po dërgojnë selam inspektoriatet e lloje e soje dhe po bëjnë adetin dhe bashqiakët e njeriut që qesh. Mjer kush e heq në kurriz…

Janë në rol sepse varfëria nëpër rrethe dhe fshatra ka arritur ekstreme.

Janë në rol sepse ky turizëm është primitiv dhe këta që e reklamojnë janë qesharak.

Janë në rol sepse shteti ka një vit që nuk funksionon dhe mjerë ai që ka punë me shtetin sepse vetëm pjesa e grabitjes hashiqare është në rregull. 

Janë në rol sepse parlamenti është bërë qesharak nga horrat që kanë qenë dhe nga kllounat që kanë hyrë.

Janë në rol sepse në media ka vetëm diarre, ka gjitholog, ka aktorë që bëjnë politikanin dhe ekspertin e fushës, gazetarë që bëjnë gjykatësin e prokurorin, vetëm politikanë nuk ka më dhe ekspertët nuk duken gjetiu. 

Në një përballje televizive njëherë u kapa në argument me dikë. Por unë kurrë nuk marr gjë personale dhe nuk merrem me personin por idenë ose argumentin. Pas emisionit, ku zakoni e do të mblidhesh një pesë minutësh për të fol rreth asaj çfarë u diskutua ai dikushi më drejtohet dhe më thotë: "Mos u mërzit Rez se aty është tjetër gjë, këtu jashtë është tjetër…"

Me fal i them por unë jam njëlloj aty, këtu, në banjë, në dush, në auditor, në kafe, në rrugë dhe vetëm kur fle gjumë nuk e di si jam se herë më thonë gërrhas e herë më thonë jo…


Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}
Tani qe nuk jemi me pjese e auditoreve, rrofte blogu qe te behemi pjese e ketyre te thenave troc e pa doreza. Qendro keshtu profe
Nje pyetje kisha vetem: Ku e gjeni kohen per gjithcka dhe arrini t'i beni kaq mire?

Artikujt më të fundit