Ikën të mirët

Publikuar më: 23/06/2022

Është e vërtetë që ka të bëj me natyrën e njeriut, me formimin, edukimin, shumë nga familja si është rritur, sa dashuri ka marre, sa ka lexuar, dhe ndoshta nga ndodhitë në jetë që e kanë formuar të mira apo të këqija qofshin. E kam fjalën për ato që ndikojnë te energjia se si i jep drejtim jetës një njeri dhe sa intensive e jeton. 

Po flas për një tipologji njerëzish të cilët kanë një rritëm shumë të lartë zhdërvjellësie jetësore e cila në raport me normalet duket si anije kozmike, të cilët kalojnë nga një kontekst në tjetrin me shpejtësi të rrufeshme, të cilët kanë një fuqi përshtatshmërie me njerëzit të të gjitha kategorive dhe me situatë të gjithëfarësoji, të cilët janë shumë mendje hapur, të cilët i dallon që kur të përqasin e të flasin që nuk kanë të keqe në kokë, të cilët jo vetëm të vështrojnë por të shikojnë, të cilët jo veç të flasin por të kuptojnë,  të cilëve u gulçon kreativiteti në mënyrë natyrale, të cilëve ngarkesa sizifiane e mardhënieve emotive u shkon përtej përrallave. I dashur lexues po e bëj këtë sqarim për të të futur në kontekstin e natyrës së tyre për të cilët po flas, sepse është shumë i rëndësishëm konteksti. 

Dikur lexoja Stendhal me një libër që është ndër ata që në historinë e këtij rruzulli të trazojnë qënien, Dashuria (De L’amour) quhet. Ndër të tjera perla, thosh:”Shpirtrat e mëdhenj kanë nevojë për dashuri me zemër skllavi”. Sado e rëndë të duket kjo, po ta mendosh mirë e kupton kush nuk ka turp të jetë skllav. Por skllav i kujt, i çfarë? Po e le këtë në imagjinatën tënde duke besuar se do kuptosh çka thotë thellësia dhe do jesh mjaftueshëm mendje hapur të dallosh të bardhen aty ku thellësia thith gjithë dritën. 

Besoj se ka mjaftueshëm kontekst tashmë për të tjerrv se kush janë këta që ikën! Për të prodhuar si njeri, shpirti ka nevojë të marri shume nga çdo gjë që të rrethon, dhe mendja ka nevojë të reduktojë çka merr shpirti. Përndryshe, nëse merr gjithçka, shpirti çmendet. Shumë njerëz kanë një perceptim të gabuar, mendojne se çmendet mendja, por krejt e kundërta është e vërtetë. Sa herë kisha nevojë të prodhoja diçka të frymëzohesha, mblidhja dhe mbaja shënime grimca se çfarë flisnin njerëzit, por mbi të gjitha lexoja, lexoja shumë dhe dilnin gjëra shumë të bukura. Do thuash ti çfarë dilte? Po puna dilte më e bukur, një artikull kur e shkruan, një vrap që bën, një pikturë, një leksion që jepja, një fjalim që mbaja, një këngë që ta do xhani të këndoshë, po içik dashuri kur do ta bësh, apo në rastin tënd çfarë do gjëje që bën ti me jetën për të mbushur shpirtin e për të mbajtur gjallë energjinë që të duhet në rrugëtimin në kërkim të lumturisë. Tanimë ndjej se është ndryshe… Nuk kam nga mbaj shenim, nuk kam ç’të mbaj shënim, lexoj e nuk fryhem por mufatem, lexoj dhe e shoh atë që pordhoj duket si impotente, njerëzit me flasin por nuk më thonë gjë. 

Jam përhere i mendimit se në mijëvjeçarë njeriu ka qenë dhe është qënie sociale e cila zhvillohet mes njerëzve. Edhe në disa diskutime të kohëve tona moderne nëse mëson dot online apo punon nga shtëpia apo jo, kam qenë përherë kundra këtyre hipotezave. Një herë një punonjës më thotë që do largohem nga puna. Ti e di i them, megjithatë ka gjëqë nuk shkon me ne? Jo jo, thotë. Thjeshtë do punoj nga shtëpia se kam gjetur një punë që më jep këtë liri. Qesha,dhe i thashë të priftë e mbara. Kjo situatë para se të binte kjo flama pandemi. Pas nja dy muajsh e takoj rastësisht në një kafe nga këto që punohet ndonjëherë. E shoh si të tulatur dhe i afrohem. Si je, ç'bën këtu? Si të kish dalë nga ekipet xhenierë të tërmetit tonë faqezi me thotë se kish dalë nga shtëpia dhe kish ardhë aty veç të shihte njerëz se ishte bërë daulle kish me ditë të tëra në shtëpi. Duke qeshur i them të paktën ke rrogën mirë, mos u mërzit… E njëjta gjë është me njerëzit në mediat sociale, nuk kanë lidhje me realitetin. U janë zhbërë shumë ndijesi dhe mënyra komunikimi që nuk ke si i merr ndryshe pa mardhënien ndërpersonale. Njerëzit sot në komunikim me shumë mendojne se do mendojë sikur të mendojë se do mendojë po ti them që më tha se i thash. Dhe në fund prap nuk kuptohen… Ke parë njeri të nxjerrë në mdeia sociale si është apo çka në shpirt? Jo, veç si do donte të ishte apo ç'do të donte të kish në shpirt… E njëta gjë është dhe në realitet, tanimë nuk e dallon dot me realitetin. 

Po mendoja e po mendoja deri kur ndodh një nga këto që psikologjia e quan “trigger event”. Më shkruan një tip që nuk e njihja dhe me pak fjalë më thotë. Profesor nuk njihemi por pash që kemi miq të përbashkët filanin dhe fistekun dhe kam djalin e një shokut tim të ngushtë që ka provim me filanin dhe po më ndihmove do ta dij për nder, unë jam në filan qytet dhe të mirëpres… Nuk po i hyj të shpjegoj idiotllikun, surrealizmin, apo nuk di ç'emër ti vë kësaj për arsye se nuk dua ti jap më shumë rëndësi se thelbi, sepse të tilla budallalliqe me shohin sytë pa fund. Në mënyrë instiktive i them dikujt që më njeh të gjitha shtresat e lëkurës, ka kaluar të gjitha sprovat e jetës dhe e di që është…  I them shiko këtë perlën, me shpëto nga kjo marrëzi që e ka kapluar këtë vend! Pergjigjia që mora ishte si rrallë herë e thatë, e shkurtër, dhe më bëri të mendoja për ata që kanë ikur. “Me u zhduk nga ky vend…” - kaq më tha! 

Aty më erdhi në mend titulli “të gjithë ikën”! Aty u kujtova që kanë ikur të gjithë, kanë ikur ata të punës, kanë ikur ata të mirët, kanë ikur ata që nuk të shikojnë nga duart por në sy, kanë ikur ata të mendimit, kanë ikur ata të lirët e të dlirët, kan ikur ata që nuk kishin gjë të keqe në kokë, kanë ikur ata të dashurisë, kanë ikur ata të buzëqeshjes. Kanë mbetur ata që në punë vijnë sikur ua ka njeri për borxh e që hyjne e dalin si zombi, kanë mbetur ata të këqijte, kanë mbetur ata që nuk janë të lirë por të burgosur të vuajtjeve e të komplekseve të tyre dhe projektojnë simetrikisht të njëjtën gjë, kanë mbetur ata që dlirësinë nuk e dinë si fjalë e jo më ta kanë të njohur si ndijesi, kanë mbetur ata që e kanë të keqen në kokë e ta hedhin Ty, kanë mbetur ata që nuk besojnë më te dashuria se e kanë aq të thellë plagën e shpirtit nga abuzimi dhe fajin ua ka qerbelaja, kanë mbetur ata që kur u del e mira para nuk e shohin se janë vrarë shumë nga llojë sojë traumash, kanë mbetur ata që kur ti buzeqesh u dukesh anormal dhe ose je i çmendur ose e ke në terezi, kanë mbetur ata që në krizën e madhe të roleve mendojnë se janë mendërisht ku nuk janë fizikisht, kanë mbetur ata që ndërgjegjia nuk e dallon më se çka është e çka nuk është, kanë mbetur ata që nuk lexojnë edhe kur lexojnë mjaftohen me citate, kanë mbetur ata që nuk dëgjojnë muzikë edhe kur dëgjojnë dëgjojnë hale, kanë mbetur ata që mendojnë se shpirti del me instagramin, kanë mbetur ata që e kanë bërë jetën thiatro, kanë mbetur ata që në terminologjinë e shoqërisë së sotme quhen toksik. Një fjalë kjo e fundit që më parë ja dija kuptimin vetëm nga lënda e kimisë, sot në këtë shoqëri pa zgrip kam filluar të kuptoj që ka njerëz toksik dhe që përdoret përherë e më shumë për njerëz, ka dalë në modë si fjalë...

Unë kam një natyrë që për ti shpjeguar gjërat i konkretizoj me shembuj dhe pse si në përrua psiqik nuk është mirë, në këtë rast besoj se ma lejon natyra artistike të shkruaj çka vështirë të thuhet e të mendoj çka nuk është mirë me zë të lartë të thuhet. 

Sa herë të ndodh që shikon njerëz që e bëjnë punën për ta bërë? Sa herë të ndodh që shikon njerëz që bëje gjoja sikur? Sa herë të ndodh që shikon njerëz që janë entuziast në atë që bëjnë, kanë një ndjenjë përkatësie, hyjnë në një ndijesi fokusi të thellë? Punë të tëra dhe energji e hedhur kot më kot. Projekte që bëhen për të mbushur letra, institucione që egzistojnë për të tjerrë lesh, njerëz që merren me njerëz gjithë ditën, dhe pa kuptuar që në afat gjatë të gjithë ja futin vetes. 

Sa herë të ndodh që shikon njerëz që hanë, pinë, e ashtusen jo për të ngrënë, pirë, e ashtusur por për thiatro? Po sa herë të ndodh që shikon njerëz që nuk dinë çfarë është dashuria, madje më keq akoma nuk e besojnë? Ohh sa të till po shoh se fundi, dhe nuk e dija që ishte kaq rëndë sado që jetoj këtu. 

E di çme ndodhi njëherë? Nuk do flas për punë, pa merak i dashur lexues por për tjatër gje. Ja një ndodhi nga përroi psiqik! Para sa kohësh, po njihja dike dhe në një farë eksperience dhe moshe ti e di çfarë kërkon dhe nuk vjen vërdallë kot, sidomos duke bërë sikur tjetër gjë ke në kokë e tjetër gjë thua, thjeshtë nuk të kërcet më të vish vërdalle. Pasi kalojë içiçkë kohë dhe lakmuesi tregonte pozitiv një darkë simpatike fundvere po ndaheshim duke u percjellë. Në përshëndetje e sipër e ke parasysh kur vete aq afër për tu puth po nuk e bën?!… Po, pak a shumë ashtu! Me shkruan më vonë dhe më thotë po pse nuk më puthë? I them po nuk desha që puthja e pare të ishte te cepi i parkimit të filan vendi. Përgjigje ishte epike: “Pse me ku deshe ti në Bali?!”. Perlë mendova, tregohu qytetar e merresh për naiv, tregohu xhentil e merresh për daulle, tregohu kavalier dhe të bën të dyshimtë… I provova dhe të kundërtat, dhe çuditërisht funksionuan më mirë. Preferuan ashpërsinë, mungesën e qytetarisë, presionin psikologjik të vuajtjes, e ndonjëherë dhe dhunën…

Ti i dashur lexues ndoshta këtu shikon qesharaken, ndërsa unë shikoj komplekset, pritshmeritë, dhe mendësinë e njerëzve sepse kjo është ajo që më bën kurioz. Më bëjnë kurioz motivet e tyre dhe jo verpimet per sè

Nuk i dija më parë këto gjëra, jo se isha injorant por se nuk isha këtu. Nuk i dija se jetoja në një paralele tjetër, dhe këtu rrjedhimisht vij te një kategori tjetër. Ata që janë të lumtur në injorancën e tyre se nuk e dinë çfarë bëhet. Ahhh sa zili i kam, aq shumë zili sa ndonjëherë më plas shpirti pse di kaq shumë. E mendova po sikur ta bëj dhe unë ashtu? Pastaj thash jo! Njeri i till duhet të jesh kur bën paqe me shpirtin, kur pritshmëritë e tua nuk shkojnë përtej hundës tënde dhe kur je kaq plot me veten tënde. Megjithatë, nuk kam asnjë paragjykim se në fund të ditës është zgjedhje. E kush jam unë të zgjedh për jetën e tjetrit? Sidomos në këto kohë të çudiçme ku njerëzit kundërshtojnë kur nuk kanë mendim, argumentojnë kur nuk kanë argument, dhe shprehen se e do adeti të thuash diçka… E ke parasysh atë shprehjen: Ky është mendimi im?... Fakti se është mendimi yt nuk e bën as të vlefshëm në parim, as të vërtetë princip, as të drejtë në praktikë , e as ty më të zgjuar se ç'të është mbushur mendja daulle! "Humble yourself!"

Po duke jetuar në një paralele tjetër nuk e kisha ndërtuar vetëm por me njerëz, me këta që ikën. Dhe kjo e bën një kategori tjetër njerëzish, kategoria e të mirëve. Më fal për mungesën e modestisë, por në ndërgjegjien time kam bërë veç mirë, madje kam bërë goxha… Për pak muaj bëj 10 vjet këtu në këtë vend me diell që nuk të ngroh por të djeg dhe me dritë që ndrin por nuk ndriçon dhe në këtë dekadë ka qenë një rrugëtim si supernova. Nga rrugëtimi kam marrë aq shumë gjëra sa nuk do të mërzis ty me to i dashur lexues, por njëra ja vlen të ta rokanis kokën. Kam mësuar si të njoh njerëzit duke parë, të qesh, dhe të përtoj të kthej përgjigje apo reagoj… dhe prap ti shikoj në sy duke u parë shpirtin e jo sytë. 

Tanimë që kanë ik të mirët, kanë mbetur të tjerët, dhe u bë një dekadë që kam mbajtur harenë, kam bërë aq mirë sa tani që nuk kam nga kush të mbaj shënime po më mbajnë harenë “të tjerët”, kudo shkoj më japin dashuri dhe u jam shume mirënjohës. Është ajo që të mban harenë, por jo ajo që duhet për supernovën tjetër. Deri sa të ndaj mendjen të iki me të mirët, apo të bëhem me të tjerët do vazhdojë shënd e vera si kahera…

 

 

 

 

Jepi like:

Tregoi miletit:

Jepni komentin tuaj

{{ comment.text }}

Artikujt më të fundit