Të bësh paqe

Po të drejtohem ty që ke humbur shpresën, ty që ke dhënë shpirt, ty që nuk të shkon në mendje se ka gjë ndryshe, ty që të ka humbur zembereku i ndërgjegjjes apo nuk ke diçka të till fare, ty që nuk e ke nocionin e kohës dhe nuk e ndjen sa shpejt po të ikën jeta, ty që do të martohesh dhe pllenohesh shpejt të mbyllësh hesapet, ty që mjafton një punë për të shtyrë jetën, ty që nuk ta pret mendja ku do rritesh fëmijët, ty që ke ardhë në këtë pik sot dhe po pyet, ore çfarë bëhet këtu?!… Mbaj mend kur erdha në Shqipëri këtu e 6 vjet më parë ndenja rreth një vit si porozi duke vuajtur trotuareve të Tiranës. Gjithë të njohurit e mij që ishin të brezit tim ishin rregulluar me parti dhe kur un u kërkova ti takoja filluan të më shpjegonin se si me parimet socialiste të punës unë duhet të përpiqesha dhe se si me punë dhe me përpjekje arrihet çdo gjë. Tëmën ore thash, po edhe me cigare të kam mbajtur. Mirëpo, kur fillova për herë të parë në akademi vija re që shumë gjëra nuk funksiononin dhe ishin shumë gjëra bazike. Pas disa kohësh që u dukesha njerëzve si lunatik më afrohet një koleg i imi dhe më thotë: Shiko kjo punë këtu ka marrë fund dhe ti mos prit që të rregullosh gjë sepse është sistemi. Institucioni ynë është pjesë e një gjëje më të madhe që nuk funksionon. Kaluan dhe ca kohë dhe pasi vuri re sa mundohesha e flisja vjen prap e më thotë: Ti shoku duhet të bësh paqe! Si paqe? – i kthehem unë. Ore lre fare, mos reago hiç, kap ça të kapësh dhe shiko punën. Kjo punë para 5 vitesh  Së fundi në një mbledhje pune po dëgjonim një studim idiot dhe në festivalin e kotësisë që të gjithë ishin angazhuar duke bërë gjasme, kthehem e i them: Ore nuk ndihesh sikur po vdes duke dëgjuar këtë debilen që flet? Nuk ndihesh sikur po të vdes shpirti e ngordhin neuronet? Jooo shoku! – tha. I kisha këto mendime deri në 40 vjec, tani jam 45 e kam bërë paqen  Për vite me rradhë kam tentuar që të nxjerr studentët nga ajo që njihet si zona e rehatisë (comfort zone), për vite me rradhe kam dëgjuar të njëjtin slogan: Lere mor burrë, ça mundohesh, për çfarë, me kë? Gjatë periudhës së protestës thuajse në çdo diskutim, pas çdo paneli televiziv më vinte ai reagimi tipik: “Profesor kauza është shumë e drejtë, por edhe këta studentët janë krunde, nuk dinë të lidhin dy llafe” A thua ti se profesori nuk e dinte atë punë! Po çfarë bënë gjithë dynjaja rreth atij fakti? √áfarë bënë rreth faktit që fëmijët e tyre po rriteshin debila funksional? Asgjë! Ndaj pra u ngriten ata, ndaj isha aty që ajo zonë rehatie të mos ish më zonë rehatie. Një ditë të bukur kur çdo gjë kish marë erë nga kauza e madhe dhe unë në përpëlitjet e mia të fundit pasi nuk ma donte shpirti të mbyllesh konfliktohem me ministren e arsimit duke i thënë publikisht asaj e pa-aftë, mendim dhe gjykim të cilin vazhdoj e ruaj dhe sot. Një mik tinëzar, nga ata që zakonisht të do të mirën dhe kryesisht funksionon si mesazher më merr në telefon. Profesor, ti je unik, bravo për mundimin, por ti e di o burrë  duhet të bësh paqe Kur bëra katapultën politike e zgjodha me atë që unë kisha besuar përherë si kahje politike dhe si vlerë të rrymave që unë besoja. Në asnje moment nuk më vinte në mendje të bëja kompromis. Një darkë të bukur më vjen një telefonate dhe më thotë: “Rezart a i ke fluturat në bark?!” Në mendjen time përgjigjia e parë ishte: Whaaaaaat!!! (dëgjoje me një zë të hollë e të çjerrë në anglisht). Pasi pranoj angazhimin tim fillova siç ma do zakoni të lexoj, të pregatitem për strategji për njohuri, e për dreq e për shejtan. Po mendoja për çdo detaj që nga ekonomia, rinia, arsimi, shëndetësia, prona edhe tëmën e sëmës. I mendova, i shkrova dhe nisa ti prezantoja. Po pse ore më dëgjonte njeri? Mu kujtua që lulet këtu i hanë gomerët. Thash o Zot ku hyra. Ore si nuk gjeta njeri që të ishte gjysëm koqe kanari?! Por të gjithë të plotë. Profesor lere këtë punë nuk është çështje ekonomie, të vijmë njëherë pastaj e rregullojmë ekonominë! Po jo ore nuk funksionon kështu, i thosha, duhet ndryshe. I ke dëgjuar njerëzit çfarë hallesh kanë?! –  çirresha unë. Ehuuuu  njerëzit, lere mor burrë me njerëzit atë avaz kanë. Profesor mos u merr me ekonomine ti se nuk të bën njeri minister ekonomie ty! O Zot mendoja këta nuk janë në terezi. Por sipas modus operandi të tyre isha unë ai që nuk ish në terezi. Për pak ditë që ndenja kam njohur dy ministra dhe një ministre potenciale financash, ku të tre kishin marrë premtim nga lartë se me të ardhë në pushtet ata daullet dhe ajo daullja do ishin ministra ekonomie. Opo mendova kjo punë qënka bëre si ajo kurtizanja që merr lekë nga gjithë dynjaja. Por historinë më të bukur nga këta e kishte vetëm njëri. Kam një hall të madh tha! Unë u tërhoqa të mbaja vesh se thashë ç’ka i shkreti. Ore të gjithë kanë dashnore, vetëm unë kam veç gruan dhe nuk po duroj dot! Aty nuk dija se çfarë ndjesije të shfaqja, por mu kujtua më i respektuari prej meje, At Zef Pllumi që thosh në fund të ditës se u zhbënë të gjithë vlerat dhe besimet dhe ngeli njeriu lakuriq  Megjithatë pas shumë mundimesh dhe peripecishë që unë bëra për tu mbushur mendjen që duhet një përqasje tjetër, me gjithë besimin dhe mundin që nuk jam dorëzuar kurrë erdhi prap momenti. Ne takim me një mesazher të rradhës më thotë: “Profe, kam shumë respekt për ty dhe pavarësisht se nuk di gjë ti por shumë të ndruhen. Shiko, kjo parti është kështu, nuk e rregullon dot ti ndaj duhet të bësh paqe”.Në jetën time kam punuar me llojë e sojë njerëzish dhe me llojë e sojë tipash, nga e gjithë bota, nga më i pa arsimuari deri te më aristokrati, nga më i varfri deri te multimilionerë. Mirëpo, në shoqerinë tonë mosmirënjohja është si gjenetike. Dhe besimi se shkolla të bën njeri të mirë është i gabuar. Nëse je njeri i keq ashtu ke për të ngelur, nëse i shton shkollën bëhesh shumë më i keq akoma, madje cinik, qelbësirë. Nëse do më shumë informacion rreth kësaj pune lexo se kush ja futi Skënderbeut. Kam një kohë të gjatë që kam nisur një gjyq për të marrë hakën time dhe në këtë vend padrejtësishë dhe legenash kjo është gjëja që vonon më shumë. Në projektin që kisha u prish marrëveshja kontraktuale duke qenë se unë nuk i dhash qokën zotërisë në detyrë, dhe asnjëherë në jetën time nuk e kam bërë. Dhe që thoni ju nisi gjyqi  prit, e prit, e prit, e prit e prit na thërret gjiqtarja për seancën e parë. Pasi na vë në rresht që të rreshtonim dokumentat që duheshin rreshtuar për zonjën na thotë ti shpjegonim njëherë se për çfarë bëhesh fjalë. Ka kaluar një vit e gjysëm dhe në seancen e parë ajo nuk e kish haberin fare se ku ishte. Në moment mu kujtua i Huaj te Kamy që i bie dielli në sy  Perëndi e madhe, oshëtiva brenda shpirtit, çfarë bëhet këtu. Pasi e sqaruam për një orë vendosi që seanca e dytë të bëhej  pas tre muajsh. Kur dëgjova që do bëhej pas tre muajsh gati sa u çova pupthi. Avokati dhe miku im më shtrëngon dorën dhe më thotë që të mos ndihesha. Për momentin u ftoha dhe vura re një krim! Aty të gjithëve nuk u bënte përshtypje asnjë gjë, as vonesa, as sjellja, as vapa e tejskajshme, as arroganca e gjyqtares, as arroganca e asaj që shkruante, asgjë, asgjë  Kur dalim më thotë avokati po ti çpate? I thash, je në terezi ti, pas tre muajsh vetëm seancën e parë? Ehuuuu  ja mbeti ky plako duhet të bësh paqe Për të mos e zgjatur me më shumë shembuj përrallen e jetëve që ikin si turma ogurzeza pa një qëllim në vetvete sepse të gjithë kanë berë paqe, të gjithë kanë bërë paqe të përjetshme. Sot mora vesh që nga departamenti do iki e treta kolege rradhazi. Kur e mora vesh po haja dreke dhe më kapi një angusmë. Deri diku nuk desha ta besoja se duke njohur kontekstin e dija që nuk iku se ish në hall, ose se nuk kish bukë, apo nuk kish punë të mirë. E dija që iku se mendojë për fëmijët. Se e di që këtu nuk ka ku ti rriti, se këtu nuk ka shkollë, nuk ka çerdhe, nuk ka park, nuk ka trotuar, nuk ka mjekë, nuk ka as dreq e as shejtan dhe për të mos përfunduar si ai rahmetliu në Kavajë që u vra në punë të vet iku.Më e keqja akoma është se nuk i vete njeriut në mendje për ti menduar se si do bëhen. Dhe e kuptoj se po ikën se ka vdekur shpresa, se po ikën se për një grusht horrash po digjet gjithë Shqipëria, për një grusht pushtash i ka marrë njerëzit arratia, për një grup hajdutësh po digjen jetë të tëra, e për një grup barbarësh janë bërë njerëzit si rëra.Nuk e di se sa dhe a do vazhdojë paqja e përjetshme në këtë vend e me këtë shoqëri, megjithatë di të them se komunizmi u përmbys kur shqiptarët nuk kishin më bukë  a mos duhet të presim deri sa të mos kenë më bar për të ngrënë të ngratët?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *