Prej ditësh me radhë më shkruajnë njerëz, më ndalojnë të njohur e të panjohur, madje edhe të afërmit e mi më pyesin se çfarë mendoj, pse nuk dal, apo pse nuk flas për protestën. Nuk po e them këtë për të treguar, a thua se unë jam Niçja, por më shumë për t’i qëndruar një parimi timin, që e kam diskutuar edhe më parë.
Nëse ti, lexues i dashur, mban mend, ka pasur diskutime publike për diplomat e universiteteve të shumë personave publikë, si kryetari i bashkisë, i burgosur tashmë, apo kundërshtari i tij që vinte me autobus falas. Parimi im ishte i tillë: nëse unë bëj muhabet në tavolinë me ty dhe ti më thua që jam pa shkollë, unë kam të drejtën të mos përgjigjem, të të përgjigjem, të të them thjesht “ik e pirdhu”, ose çfarëdo lloj përgjigjeje tjetër, në varësi të edukatës dhe shkallës së marrëdhënies që kemi. Por nëse unë kam marrë përsipër jetën publike, përfaqësoj një institucion, apo nuk i flas më një njeriu, por një grupimi me të cilin kam një marrëdhënie përgjegjësie, atëherë kam detyrimin të dal e të sqaroj me fakte nëse kam apo jo diplomë. Gjë që të dy llaskarat atëherë nuk e bënë, por ky është diskutim tjetër.
Kur mendova se ku do të flisja, u hodha një sy paneleve kryesore. Ç’të shikoja! Atë që kam vite që e them: analistë e kanalistë, gazetarë, mendimtarë, mendimdhënës dhe lloj-lloj sorollopi, që problemin nuk e kanë se flasin në çatrafilosje e sipër, apo thonë trashësira që nuk treten as mes derrave, apo që interpretojnë gjëra pa logjikë, por e kanë te shtylla kurrizore. Janë njerëz që mund t’u falet injoranca, mungesa e dijes dhe e njohurive, sepse janë dembelë të regjur; por nuk u falet fakti që të shesin edhe mamanë e sorollopit për asgjë. E dalloj kollaj meskinitetin e shitësit nga injoranca e të paditurit dhe dembelit. Ndaj, edhe për këtë arsye, nuk e mora mundimin.
Tani, pas protestës së parë, kur isha në syrin e ciklonit, bëra doktoraturë në protestologji, dhe jo vetëm për mekanizmat dhe proceset, por njoh edhe çehret e të gjithëve që janë aty, pa përjashtim: çfarë do të bëjnë, çfarë do të thonë dhe si do të vejë puna.
Shumë njerëz pyesin: besoj te protesta apo jo? Nuk është çështje besimi, sepse ne jemi të vetmit në botë që besimin e kërkojmë si të mirëqenë. U them studentëve, si shembull negociatash: këtu, sapo të njohim, nuk kemi turp që pas një ore të të kërkojmë lekë borxh dhe, kur ti të vrenjtesh në fytyrë, të të themi pa pikë turpi: “Nuk më beson mua ti?” Jo, debil, nuk të besoj, se tani të njoha! Pra, në gjithë botën duhet ta fitosh besimin, sepse është proces.
Dhe këtë proces e kam problem edhe me gruan. Edhe ajo ndonjëherë më thotë të njëjtën gjë: “Lëre ta bëj unë.” I them: “Jo, se është punë me rëndësi.” Dhe përgjigjet, e hatërmbetur: “Pse, nuk ke besim te mua ti?” E thjeshtë, i them: “Nuk merr vesh nga kjo punë dhe duhet të më bindësh që merr vesh.”
Dhe ky proces mbyllet me atë që prapë ne, në botë, e quajmë marrëdhënie. Dëgjoje mirë: marrëdhënie! Gjithë bota e ka dhënie-marrje, “give and take”; ne e kemi të kundërtën, sepse ne vetëm duam të marrim. Edhe pasi marrim dhe premtojmë se do të japim, nuk e bëjmë ndonjëherë për herë të dytë, se na hyn aq shumë në qejf marrja.
Kjo, dhe e gjithë tjerrja e leshit që bëra tani, i dashur lexues guximtar që ke ardhur deri këtu, është rezultat i skamjes kulturore që ka arritur shoqëria jonë. Duke mos u zgjatur më shumë në tjerrje, se e di që jemi në kohë të vështira dhe sa më shumë shkruan, aq më pak të lexojnë, njerëzit duan ekstraktin sot. Pak a shumë si jashtëqitja: ekstraktin. Por unë jam i mbushur me guxim, sepse të ngjashmit intelektualisht i kam akoma pak vërdallë; pjesën tjetër e kam humbur te fjalia e tretë. Ndaj dhe po vërtitem të argumentoj.
Së pari, kushdo duhet të kuptojë që instrumenti mund të jetë i duhuri për të arritur një objektiv, por duhet të gjesh kohën dhe vendin. E thënë trashë fare: ti mund të dalësh nga dhoma e hotelit me pirun e thikë në dorë, sepse të kanë thënë që do hash gjellë pasanikësh, por sheh që të gjithë janë në sauna. Dhe me thikë e pirun në dorë, në sauna, ti dukesh më shumë si maniak ose kriminel, dhe jo si një person i uritur.
Në Shqipëri, nga mungesa e kulturës, ne nuk pyesim, sepse kujtojmë se bota rrotullohet rreth nesh dhe çdo gjë fillon kur e kuptojmë ne, kur e shohim ne, ose kur e dëgjojmë ne, edhe pse ajo mund të ketë 100 vjet aty. E ke parasysh si puna e njerëzve që rrinë e bëjnë muhabet në trotuar, pa u bërë vonë se po kalon dikush tjetër, apo se hapësira është publike; ose si ai që të vjen ditën e parë të punës dhe të tregon si bëhet puna ty, që ke 10 vjet me atë andrallë.
E them këtë për t’u bërë njerëzve disa pyetje. Po mirë, more, Zvërneci është më i mirë se Palasa? Është më i mirë se Kune-Vaini? Është më i mirë se Kakomeja? Është më i mirë se Gjiri i Manastirit, aka Piçka e Vogël? Më i mirë se Butrinti? Është më i mirë se Liqeni i Shkodrës? Është më i mirë Shelgu i Vjosës në Tepelenë? Po ndaloj këtu, se do të bëhesh tapë kot.
Pjesa më e madhe e njerëzve as nuk i ka dëgjuar shumicën e këtyre destinacioneve, e jo më t’i ketë parë. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse jo të gjithë i kanë mundësitë për të dëgjuar dhe për të shkuar. Por ti duhet të kuptosh një gjë: të dalçin sytë te Liqeni i Tiranës, ku ti bën sikur bën vrap dhe bën sikur pi bar andej. E ke mu në mes të Tiranës dhe mund të shohësh që në njërin krah janë bërë pesë kulla, ndërsa në krahun tjetër, nga krahu i së shkretës Varri i Nënës Mbretëreshë, që prapë ti nuk e di ku i bie, po shtohen një hotel dhe ndërtime përditë.
Në mes të Tiranës, në mes të ditës, në zonë të mbrojtur, në zonë parku, në të vetmen zonë që ka kryeqyteti, po të shkelet deri sa ti të arrish te rezultati i eksperimentit të bretkosës, që, për arsye kohe, duhet ta mësosh vetë se çfarë është. Por Liqeni i Tiranës nuk ka flamingo me ngjyrë lezbikesh, që të gjithë injorantët me ChatGPT bëjnë postera e slogane, sepse as një fjali për slogan nuk e gjenerojnë dot nga truri i kalbur. Liqeni i shkretë i Tiranës ka vetëm mut. Mut, bre, mut! Të cilin ti bën gjoja sikur nuk e shikon kur kalon, ose ngaqë je mësuar, nuk e vë re.
Po mirë, mo, ka masakër më të madhe se Palasa? Krim më të madh mjedisor, arkitekturor, natyror, intelektual, e me radhë? Dëm që as pushtuesit nuk e bënë, por barbarët tanë e bënë në emër të zhvillimit. Po laguna e Kune-Vainit, e ke parë çfarë kanë bërë psikopatët? E kanë ngrënë të gjallë. Ik deri në Lezhë, se 40 minuta është, edhe pse emri të duket abstrakt.
Po Kakomeja, e di ti që është me vlera unikale në botë? Po, pra, në botë, jo në Gadishullin Ballkanik, siç themi kur jemi kaps. Po Butrintin besoj e mban mend çfarë rëndësie ka? Kur unë tallesha me ministren, se protestoja për një licencë dyqani qoftesh që dha ajo atëherë në Butrint, dynjaja qeshte se kujtonte se unë bëja humor.
Po Gjirin e Manastirit, mo? Që e zuri sëmundja e keqe dhe i preu gjirin. Nuk është më gji tani, është ashtu, e vogël. Po në Liqenin e Shkodrës ke qenë ndonjëherë, ku akoma bandat ndajnë territorin e gjuajtjes me dinamit dhe, si kod omerta, nuk ndihet një qytet i tërë? Po shelgjet e Vjosës në Tepelenë, që ishin një pamje përrallore, si në Yellowstone, i ke parë ndonjëherë? Tani ik kot, se nuk ka më: i prenë, i bënë ashkla.
Ore flamingo, po mirë, kur është hera e fundit që ke qenë në Sazan? Duket çudi, por nuk kushton shumë dhe është afër nga Vlora. Para një muaji, kur çova një mik që kishte ardhur nga SHBA-ja, më vinte turp tek i shpjegoja, se as vetë nuk e prisja ta gjeja ashtu. Pirgje plehrash, shishesh, birrash, e dreq e shejtan! O Zot, ç’të shihje! Pirgje-pirgje gjithandej nga vije, madje shumë prej tyre edhe të karbonizuara, se barbarët u vinin flakën. Turp!
Dhe këtu jam dakord me ty: turp për shtetin që është me brekë nëpër këmbë. Por kam përshtypjen që unë, dhe nuk e di ti, nuk merrem më me shtetin për t’i kërkuar llogari, se ka mbaruar kjo punë. Është si t’i them një prostitute: “Më jep fjalën që nuk do bësh gjë sot, se të kam gjetur punë shitëse akulloreje.” Edhe unë, edhe ti e dimë që nuk do ta mbajë fjalën.
Kështu është edhe puna e shtetit: kur ti e shan dhe çfarë nuk i thua, me të drejtë, për çfarë i kërkon pastaj të bëjë atë që mendon ti se është mirë? Do thuash ti: “Ç’t’i kërkoj?” Prit, se do të shkojmë aty.
Së dyti, t’i biesh samarit se nuk i bie dot gomarit është e hershme këtu. Fenomeni është te prona dhe te kultura. Taksirat, prapë kultura! Te prona, them, sepse gjenerata që kaloi e di mirë çfarë është të vjedhësh pronë, të zësh pronën e tjetrit, përfshirë këtu edhe shtetin; çfarë është të të merret prona se dikush është më i fortë. Dhe ja ku jemi këtu: 100 vite vjedhje prone mes njëri-tjetrit, 100 vite duke ia futur njëri-tjetrit, 100 vite racë e poshtër.
Gjenerata që është sot, ajo që ju i thoni e reja, komplet ndryshe, ose e bukur, është një gjeneratë që këtë proces nuk e ka kaluar fare, sepse nuk ka asnjë marrëdhënie me pronën, por as ndonjë interes për të, sepse nuk ka pasur kohë ta formësojë dhe as nuk i percepton disa procese.
Para ca kohësh drejtoja një ekip që merrej me zonat zhvillimore të rajonit të jugut, si Finiqi, Delvina, Saranda etj. Për të bërë ca matje isha në Sarandë dhe një djalë shumë i ri aty më thotë: “Profe, ka plasur keq fare. Do ndonjë tokë ti këtej? Ta jap lirë ty.” “Po nuk është puna lirë,” i them, “por si i bëhet kësaj toke?” Më thotë: “Ja, ka toka që janë të pashpërndara, ka njerëz që kanë ikur emigrantë, kanë një jetë andej. I njohim ne, se kemi informacion këtu. Futemi, rregullojmë letrat dhe të vëmë ty aty. Ti e merr dhe bën ç’të duash pastaj.”
Ajo që më bëri përshtypje ishte se si ishte përhapur ajo lojë si sëmundje, se sa pa teklif ma tregonte dhe e bënte atë proces, se sa qark i mbyllur ishte procesi dhe se sa marrëdhënie të keqe ka kjo shoqëri me pronën. “Jo, të keqen profja,” i thashë, “profja ka vendosur të jetojë mirë dhe gjatë, dhe e dua shumë jetën!” Qeshi duke mos e kuptuar se çfarë përgjigjeje i dhashë.
Por besoj se kush është i vëmendshëm i sheh tani pasojat: në Sarandë ka dy muaj që çdo tri ditë vritet një njeri dhe ra në burg gjithë zinxhiri i policisë. Për një vendim të thjeshtë që unë mora në 2018.
Po e di ti çfarë është bërë në Vlorë? O bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! Dhe këtu vjen problemi. Një shoqëri që ka të drejtë dhe nuk kërkon dot të drejtën është në ditën e saj më të zezë. Institucionet që duhet të flisnin sot janë hipoteka, apo ç’dreqin e ka emrin sot, dhe gjykata. Jo kryeministri, siç i kërkon ti të flasë, sepse çfarë do të thotë ai? Atë që i leverdis për vete, normalisht, por mban vetëm përgjegjësi politike, asgjë më shumë. E pra, politike. Këtë nuk e ke kuptuar ndonjëherë, se mendon se mban të tjera. Me këto mend, kam dashnore Kim Kardashian unë.
Në xhunglën tonë, çdo gjë që është bërë, me sa kam dijeni, ka filluar që në vitin 2017 me proceset e pronës. Nëse janë grabitje apo jo, le ta gjejë dikush tjetër, por ai francezi që do bëjë punën nuk e di se si i marrim pronat ne këtu.
Së treti, ta bëjë resortin dhe uroj ta çojë deri në Darëzezë. E di pse? Sepse ti nuk e di që plazhi i Darëzezës është ndarë nga njerëz që nuk janë me shije aq të rafinuara estetike. Nuk po them më shumë, se nuk është puna ime, plus që janë edhe njerëz me qime. Dhe po ta marrë një investitor i huaj investimin, do ta bëjë 100 herë më mirë se këta katranët tanë që vuajnë sot e kësaj dite nga sindroma e babëzisë, e gjithëdijes dhe nga moskultivimi i shijes, estetikës, së bukurës, së mirës dhe së pastrës.
Edhe në mos qofshin 4 miliardë dollarë, por 1 miliard, prapë investitori i huaj do t’i bëjë yzmet kapitalit të vet dhe minimalisht do të sjellë të ngjashmit për klientë, bashkëpunëtorë dhe për çdo gjë. Do të rrisë standardin! Dhe barbari i Palasës me pesë “kazzi” nuk do të konkurrojë me gjelltore Mihalin, duke të thënë që, edhe pse nata e hotelit është 280 dollarë, ti nuk ke mëngjes dhe as parking, dhe hajde merre vetë peshqirin, por unë prapë kam pesë yje se më do trapi. Ai do të konkurrojë me këtë të Ivankës, sepse Ivanka e shkretë nuk është rritur në Roskovec, me gjithë respektin për Roskovecin, por e ka kultivuar shijen. Po për ty që nuk e mban mend: sa herë kanë rrahur ose dëbuar një investitor të huaj, ka dalë një barbar nga tanët dhe ka shtrirë kallëpet e betonit, fut e bjer.
E di ç’ke? Mos më beso mua. E bëjmë kështu: në Shqipëri janë pak firma dhe organizata ndërkombëtare që, edhe pse në halenë tonë operojnë, prapë bëjnë dallim. E ke një kushëri apo kushërirë, një shok apo një shoqe, apo një të njohur që punon te një nga këto? Pyete: sado e pakënaqur të jetë aty, a e lë apo e ndërron punën? Po marr guximin të përmend disa emra: Marriott, Deloitte, Vodafone, GIZ etj.
E pyeta një studenten time nëse do ta linte Marriott-in për të shkuar te Hotel Bubqi. Jo! Dhe jo se merr shumë para, por sepse ka ca standarde dhe kritere: orë pushimi, respektohet si njeri, ka orar fleksibël etj. Pyeta një studente tjetër nëse ikën nga Deloitte për te Studio Auditi Lezbiku. Jo! Edhe kjo për të njëjtën arsye. “Profe,” tha, “punët janë të ndara, klima është e mirë, ka ato të vetat, por flasim për nivel profesionistësh, jo matrapazësh që mbyllin letra.” Shiko, pyet vetë, mos më beso mua. Qëllimi im nuk është të besosh, por të vësh mendjen në punë.
Së katërti, pak kontekst rajonal dhe global, sepse ka edhe njerëz që e marrin vesh këtë punë. Në pikën ku ka vajtur puna, je shumë vonë për të protestuar, sepse tashmë, siç ke bërë gjatë gjithë historisë shqiptare, ia ke futur vetes. Ose ndrysho narrativën, ose mos bjer pre e skemës liberale.
Gjithë media ndërkombëtare po luan agjendën që “revolucioni i flamingove” në Shqipërinë që i kopsiti të gjitha, por tani i ka mbetur Ivanka me Jared-in, po bëhet revolucioni i shekullit të ardhshëm. Të gjithë ata që janë aty e dinë që nuk është kështu, sepse nuk kanë punë me investitorin, i cili nuk u ka bërë asgjë. Këtu, për arsye intelektuale, po i diskontoj rrymat e budallenjve që merren me “çifutë”, pushtime apo paranoja konspirative.
Nuk po flas as si gazetar, as si politikan, se nuk jam asnjëri prej tyre, por si ekonomist aq i mirëinformuar sa ty nuk ta merr mendja. Investime të tilla rajoni nuk ka interes t’i ketë në mënyrë kategorike, sidomos fqinjët tanë, që e kanë në politikën e tyre të qëndrueshme këtë punë. Ne jemi me brekë nëpër këmbë; ata i kanë proceset e mirëpërcaktuara prej shekujsh, që ti nuk i koncepton dot fare. Por unë në këtë aspekt do të them vetëm një gjë, sepse nuk mund të flas më shumë: investim i tillë nuk u duhet fqinjëve tanë për të njëjtën arsye pse Shqipëria nuk ka hekurudhë prej 30 vjetësh. Madje, edhe Kosova nuk ka hekurudhë.
E di sa e thjeshtë është të bësh hekurudhën? E di sa kollaj është? E di sa përfitime ka? Nuk ta pret mendja. E di çfarë i bën rajonit Shqipëria me hekurudhë? Po të lidhi edhe Kosovën? Merr një hegjemoni logjistike që ty nuk ta pret mendja. Ekonomia shqiptare ndryshon natyrë kryekëput për 36 muaj dhe pesha që merr është e tmerrshme. Po pse nuk ka hekurudhë Shqipëria prej 30 vitesh? Madje, edhe nëse do ta ketë, unë jam i bindur që, kur ta bëjë, do ta bëjë gabim.
Së pesti, u bëj studentëve një shembull për të ilustruar të keqen e madhe që kemi ne këtu. U them: sa ishte dollari para pesë-gjashtë vitesh? Dhe, për marrëveshje, marrim raportin e këmbimit 1.3. U them: para luftës së arixhinjve në Ukrainë, sa ishte nafta? Gjithashtu, për marrëveshje, marrim një çmim 160 lekë për litër. U them: sa është dollari tani? Më thonë, për marrëveshje, 0.8 kurs këmbimi. U them: sa është në raport përqindjeje? Pasi bllokohen, filloj e bëj vetë llogaritë: i bie afërsisht 40% rënie vlere. U them: me çfarë kuotohet nafta në bursë? Përgjigjem prapë vetë: me dollarë. Sa duhet të ishte çmimi i naftës atëherë me këtë logjikë? U them prapë vetë: duhet të ishte afërsisht 97 lekë për litër. Sa është sot? 220 lekë për litër, dhe e ke me faturë të futurën, o ditëzi!
Dhe duke qenë se dua ta mbyll dhe të mos zgjatem më me këtë pikë, para se dikush nga gjenitë të mendojë dhe të thotë: “O daulle, por nuk është vetëm kursi i këmbimit, është edhe çmimi i naftës në bursë”, i them: mendohu edhe një herë. Sinqerisht, se përtoj.
Pse e bëra këtë parantezë me çmimin e naftës? Sepse, o njeri, ka arsye për të protestuar për këtë, që ti përditë vidhesh me qindra miliona euro. Përditë, mo, o flamingo! Dhe kjo është e keqja e të gjithave: pse një litër kos është 300 lekë, pse qumështi është 200 lekë litri, pse gjalpi është bërë produkt borgjez, pse qershia të shan nga nëna, pse hyn në market me 5000 lekë të reja dhe del si legen, del si i ofenduar, del si i përdhunuar, se nuk kupton çfarë ka ndodhur. Dikur mbushje karrocën, sot të futet edhe nga veshët. Ka ndryshuar cilësia e produktit? Jo, bre, është bërë më keq. Ka ndryshuar madhësia? Jo, bre, është bërë më e vogël. Pra, këtu fillon me ty, me familjen dhe me jetën tënde.
Zgjidhja? Është hera e fundit që do jap zgjidhje, gjithmonë sipas mendimit tim, jo se është ndonjë detyrim. E thjeshtë: indiferencë. Saboto çdo gjë, çdo politikan, çdo thirrje, çdo protestë, çdo media dhe sa më shumë produkte të mundesh që bien ndesh me vlerat e tua. Shiko veten, pastaj fëmijët, nëse ke, pastaj familjen, pastaj shoqërinë, e pastaj, nëse të mbetet gjë, mos shiko tjetër, por gjej një hobi për veten tënde.
Shiko gjërat e vogla: punën tënde, biznesin tënd dhe, mbi të gjitha, ndiq fëmijët e tu. Se nuk po t’i vënë në shkollë, o debil! Ndiqi me vëmendje, mos lër trashëgimtarë pjella të këqija këtij vendi, se ka plot. Unë e ndjek aq shumë sa korrigjoj edukatoren kur më dërgon çfarë bën çuni. Edukatorja, e kënaqur që djali dyvjeçar kishte bërë një ushtrim që për të ishte i avancuar, ndërsa për mua ishte mediokër, se kam kërkesa më të larta, i thotë djalit: “Kush futet këtu, katrori apo trekëndëshi?” Unë i them me qetësi: “Edukatore, ‘kush’ përdoret për frymorët; ‘cili’ ose ‘çfarë’ përdoret për sende, objekte dhe kafshë.” Por e di ti që sot njerëzit janë aq injorantë, sa në TV, në prime time, dëgjon njerëz që nuk dinë të flasin shqip?
O daulle, më dëgjon për veten tënde! Saboto gjithçka në këtë sistem derisa të ngordhë vetë, sepse ti po e mban gjallë. E shikon që ke arritur në pikën ku të dyja palët janë llum e mut dhe nuk ke nga ta kthesh kokën, sepse nuk ka njeri guxim të dalë? Edhe ata që bëjnë sikur dalin, bëjnë sikur; dhe ti e di mirë se, pavarësisht çfarë dëgjon, intuita ta thotë që diçka nuk shkon.
Indiferencë. Zhduku. Lëri të flasin vetë dhe të dëgjojnë vetë. E imagjinon dot ditën e zgjedhjeve ku shkojnë zero votues? Vetëm këta flasin vetë dhe dëgjojnë vetë. A do të ishte precedent botëror? A do të hynim në histori?
Unë këtë ëndërr kam pasur që i vogël: të hyj në histori.

Sot ora 18:00.
Nga ish-studenti jot qe nuk i bere nje dite leksion sepse ishe kunder leksioneve online.
Dikur thoje ne protestat e studenteve se sistemi duhet luftuar nga brenda.
Tani na dilke jashte fare sistemit per te justifikuar frustrimin dhe deshperimin tend, madje te duhet te flasesh me eksperte per te bere nje diskutim. Shume dembele nga ana juaj…
Ne ne shesh jemi te rinj, dhe i kemi paraqitur dhe shqetesimet pertej zvernecit. Ekspertet i paguajm per t’i dhene pergjigje kerkesave, nuk do bej punen e tyre. (“Thjesht mendimin po jap…”)
E dyta askush nuk eshte kundra zhvillimit, dhe eshte interesante si ekonomia jote rehabiliton aferat korruptive te ndertimi. Pak si dy standarde ne shkrim.
Pse u dashka te prishet Zverneci te marre vesh Palasa??? Pse mos thjesht ti bojkotojme ato sic po sugjeroni? Ndoshta bejne kurse te rrisin standardin, qe mos te te shpelajne pas porosise…
Per t’i rene shkurt se nuk e di a do e bojkotosh dhe komentin…
Njerezit aty nuk jane dembelet qe ju qenka mbushur mendja ty nga youtube, me shume mundsi bejne ore me te gjata pune dhe durojne dhe ndonje te shame gjate saj, ka dhe profesioniste e biznesmene qe nuk vuajne nga komplekse si ju.
Endrra juaj eshte e bukur, por e keni aq kulture sa te kuptoni se si mund te kete dite 0 kur ka njerez qe shantazhohen per buken e gojes ne nje politike fasade.
Për veten time indiferente, dhe per ty që shfaqesh i tillë
Kam dëshirë të jem indiferente. Oh, sa shumë kam dëshirë. Kam dëshirë që, kur dikush që njoh dhe që e konsideroj pa nivel më shkruan, të mos i kthej asnjë përgjigje.
Kam dëshirë „të zhdukem“ dhe të merrem vetëm me veten time; ta jetoj botën sikur të ishte veç e imja. Të thellohem në dituri, urtesi dhe te ngopem me shkencë, të merrem nga një fije bari deri te mekanizmat kuantikë të universit; shpirtëroren dhe fizikën, filozofinë dhe artin t’i bëj ushqimin tim të përditshëm. Të jem indiferente ndaj çdo qenieje njerëzore që përpiqet të më ndalojë në rrugën time drejt përmirësimit të vetvetes.
Kam dëshirë të mos kem asnjë rrjet social, të mos përfshihem në asnjë debat pune, të mos mendoj kurrë për askënd që duhet të kalojë vite nëpër banka shkolle e të lexojë gjysmën e atyre që kam lexuar e mësuar unë, para se të guxojë të më drejtohet.
Por ja që unë ua jap aksesin.
Për modesti.
Sepse besoj se i dituri është i përulur.
Dhe megjithatë, sa shumë dëshirë kam të jem indiferente.
Madje, jam gati të bëj shumë për ta fituar këtë aftësi. Jam gati të luftoj. Po, të luftoj. Ndoshta jam gati të bëj luftë.
Por a do t’ia dilja të quhesha indiferente, nëse do të kisha sakrifikuar kaq shumë për të qenë e tillë? A do të ishte indiferencë, nëse do të duhej të luftoja aq fort për ta arritur?
Jo.
Më mirë në luftë me botën, sesa në luftë me vetveten.
E unë jo, une jo, nuk jam indiferente.
Jam aty për debilin që më shkruan dhe i përgjigjem për hallet e veta mediokre.
Jam aty për të sëmurin që po vdes e që e kam pacient. Ia shtrëngoj dorën dhe i them se ka shpresë. Se ku i dihet? Ndoshta ndodh mrekullia.
Jam aty për hallet e përsëritura të shoqes sime, që sillet e rrotullohet në të njëjtat histori.
Jam aty për të gjithë ata që duan një copëz nga ekzistenca ime. Dhe unë jap. Sepse edhe vetë dikur kam marrë. Sepse çdo ditë vazhdoj të marr nga diku.
Jam aty.
Me gjithë arrogancën time. Me gjithë murin tim ekzistencial. Duke u përpjekur të mbijetoj si një shpirt që pretendon indiferencën, por ama njekohesisht e di shume mire se gjithçka bëhet erë dhe gjithçka kalon, dhe ska sesi, dhe ska vlerë „te shpenzohesh shpirterisht“ per asgje.
Por në ditët e jetës sime mbi tokë, une kam zgjedhur të shoh, të dëgjoj, të veproj, të flas.
Kam zgjedhur të mos jem indiferente ndaj asgjëje. Po, po. Kam zgjedhur.
Në shpirt më vlon dashuria për njeriun.
Në mendje përpiqem të mbaj vetëm mendime të mira…oh sa e veshtire është.
Dhe po, kam luftë.
Luftë me veten.
Që të jem njeri. Njeri për veten time. Që të mos bëhem indiferente.
Që, kur të shkoj në anën tjetër, t’i them Zotit:
“Jetova.”
“Faleminderit për jetën.”
6 Qershor 2026
Eni Manoku
Bije dakort me ty profesor deri diku ama me duket se deshperimi dhe merzia e protestave te studenteve ju ka lene pak shije te thate qe ndoshta sdo t’ju largohet kurre. Eshte e drejt qe ne kete sistem te kalbur ka momente qe njeriu mendon se indiferentizmi eshte zgjidhje, ama kete mund ta mendosh per sa kohe nuk te rastis te keshe kontakt te drejtperdrejte me shtetin apo me sistemin.
Jam i sigurt qe te gjithe indinjohemi kur shkojme ne spitale, kur duhet te paguajme tarifa idiote ose taksa pa sens, kur polici ne rruge na merr skuterin apo motorrin e na ve faj kot apo kur na kercenojne me perjashtim nga shkolla apo heqje nga puna. E pra indinjata me aq sa di une eshte e kunderta e indiferentizmit dhe ia vlen ta shprehim nje here te fundit te gjithe bashke sepse ndoshta mund te nxisi nje ndryshim kulturor dhe politik (me shume mundsi jo), qe do te na lejoje te qendrojme e te jetojme ketu e nese nuk ndodh, atehere ta kryejme aktin me te madh te indiferentizmit e te largohemi nga Shqiperia, per t’ia lene ate pergjithmone servilave, horrave me xhinse me pika dhe ketyre qe parakalojne me 100 km/h neper rrugica ku kalojne dhe femije.
Faleminderit profe per inspirimin. Me pikë e presje çdo gjë. Ahh sikur të ishin të gjithë kaq të informuar dhe vigjilent ndaj situatës aktuale ku jemi ne sot, ku e ku do ishte vëndi jonë. Pjesa më e bukur ajo e qershive, ku në fund del e “përdhunuar” në treg 😆😆 lot dmth. Jo për të të bërë qefin, por realisht shyqyr lexova diçka informuese dhe jo me ngjyrime patriotike, nacionaliste apo ku di un. Kto dy ditë kam dal vet në protestë sepse doja ta përjetoja pak edhe unë euforinë kolektive. Nga instagrami dhe rrjetet sociale çdo gjë shfaqet e kuruar deri në detaj sa të prek kaq shumë ty si një i ri i cili jeton në këtë vend dhe ke kaluar çdo vështirësi në këto institucionet tona të qelbura. Por kur je atje në sheshin e “Agorës” ku pretendohet të diskutohen mendime të lira demokratike, realiteti është shumë herë më ndryshe. Nejse, mendoj ta vazhdojmë diskutimin tek ditëlindja e shokut tim sot, Brygut.
P:s besoj inspirimin e këtij shkrimi e ke pasur nga shoqja ime se ndryshe sdo ishte shkruajtur kaq bukur. 😆😆
Respekte profe!