Iluzioni i kohës

Pse ke frikë nga vdekja? – tha si të kishte folur nga përrejtë e çmendur të eksperiencës që zakonisht të japin një peshë të fortë kur flet pavarësisht sa i ri apo e re je. Dhe të mendosh që diskutimi nuk kish lidhje fare me vdekjen, të paktën mua as më shkon asnjëherë në mend. Gjithçka nisi me një artificë që unë e krijova në bisedë e sipër për të mos ta lënë këtë të fundit të vinte bark, dhe kjo është shumë e rëndësishme të mendosh kur je në proces njohjeje. Shumë njerëz mendojnë se gjerat janë rastësi. Nuk e mohoj rëndësinë e rastësisë sepse natyra funksionon në një mënyrë entropike të habitshme. Por, po këta njerëz e kanë të pamundur të kuptojnë që raporti i rastësisë me vullnetin e dikujt që punon nga mbrapa për të, është si raporti i talentit (gjenialitetit) me punën. Është statistikisht 1% talent dhe 99% punë. Kështu është dhe rastësia me atë që përpiqet nga mbrapa. Artifica kishte të bënte me një gjysmë pohimi të futur me lezet në bisedë për sa i përket frikës. Dhe unë pohova që frika më e madhe ishte koha, ikën kaq shpejt, po kaq shpejt  Dhe përgjigjia që më erdhi nga ana tjetër ishte po kaq e habitshme për mua. Pse ke frikë nga vdekja, të gjithë do vdesim një ditë! Përpos tautologjisë që ka si përgjigje dhe një shkallë naiviteti të tipit mulliri i erës rotullohet nga era, konteksti është më ndryshe akoma. Konteksti, gjëja më e rëndësishme në mardhënien njerëzore, madje me kohën më mbushet mendja që është edhe në mardhënien kafshërore, ose njeri-kafshë. Personalisht e quaj lufta e konteksteve, dhe pse jo përherë është luftë. Njerëzit gjerat i mendojnë përherë ndryshe, i shikojnë përherë ndryshe, dhe varet nga fuqia motorike e trurit të secilit, nga kultura, nga eksperiencat jetësore që e kanë ndikuar, dhe ndoshta nga shumë gjëra të tjera. Në luftën e konteksteve fiton përherë ai që kupton kontekstin e tjetrit i pari. Në shoqërinë tonë, ne nuk jemi mesuar të kuptojmë kontekstin e tjetrit sepse priremi e para të mos kuptojmë dhe e dyta priremi ti biem gjithmonë vrimës tonë pa kuptuar që zhvillimi i mardhënieve njerëzore është mardhënie kontekstesh. Një filozof grek, nga ata shumë të mëdhenjtë, thosh se dashuria është të parit të jetës në dy perspektiva të ndryshme. Kjo ndodh shumë rrallë, dhe kur ndodh është aq simbiotike saqë dallohet dhe nga të jashtmit. Pra në fund të ditës është çështje kontekstesh, por që në rastin e dashurisë nuk ka fitimtar Do thuash ti deri në këtë pikë që u bë shumë serioz dhe lesh-tjerres ky, por në këtë pikë, ti që ke arritur deri këtu je më shumë mundësi pala me të cilën unë kam qejf të bëj muhabet në vendin e kotësisë, shoqërinë e butaforisë, dhe kohëve të çudiçme por të bukura. Konteksti im në lidhje me kohën, nisa ti shpjegoj palës tjetër, nuk ka të bëj me vdekjen, sepse nuk e mendoj ndonjëherë atë. Madje edhe në ato raste të rralla që e kam menduar ka qenë vetëm kur i kam thënë një njeriu të afërt që në ditën që do ndodh të luhet muzikë dhe të kërcehet. I thashë po ishin këngët e The Doors, do më bësh nder të madh Jo, insistonte pala tjetër frika që ke nga koha, ka të bëjë pikërisht me këtë që një ditë të gjithë do ikim  Dhe ndonjëherë kur tjetri këmbëngul në të vetën për një moment ti fillon e beson mos është vërtetë ashtu, ose mos e ke gabim. Por kjo ngecje zë vend vetëm në njerëzit që nuk kanë besime dhe bosht vlerash të fortë, te të tjerët j√≤, se janë sedërtuar disa mendime si pasojë e proceseve të shëndetshme dhe të qëndrueshme të mendimit. Jo nuk ka të bëj me atë i them! Ka të bëj më shumë me dashurinë për jetën! Ka të bëj me energjinë e brendshme që dikush ka, me vullnetin për të bërë, me kënaqësinë që merr nga çka bën dhe me një varg grimcash lumturie që merr nga i gjithë procesi. Nuk e vë në diskutim, se në varësi të rrethanave, dhe sidomos në një shoqëri si kjo e jona ku mjedisi është vështirësishtë barbar kjo bëhet e veshtire.Feja ka arritur të kontrollojë njerëzimin duke e vënë peshën e jetës te e përtejmja, jo te kjo e tanishmja. E ke vënë re kur çdo fe që të fal mëkatet thotë se kur të vesh atje lartë do të mbajë Zoti me të mira, pasi të vdesësh do shpëlahesh nga mekatet  Ore, po para se të vdes, çmund të mëbësh? Edhe unë i përkas kësaj filozofie, që shikoj se çdo bëj sa jam këtu. Po pse unë e kam merakun e kohës?Janë ca ndjenja që nuk i përjetojnë të gjithë, dhe nuk varen nga sa i pasur materialisht je apo sa pushtet ke. Varet nga shpirti sa të madh e ke, sa mendje hapur je, dhe sa kulturë ke. Kur ke shumë dashuri, shumë energji, shume ide, shumë për të bërë, shumë për të lexuar, shumë për të shkruar, shumë për të vrapuar, shumë për të kënduar, shumë për të ëndërruar, shumë për të rritur, e vetmja gjë që të limiton është koha. Unë si ekonomist, e kuptoj që efekti kohës këtu është ai që të nikoqirisë jetën, sepse po të ishte e pafund ti nuk do bëje asnjë nga këto duke ditur se e kishe të pafund. Kjo sepse natyra njerëzore është mosmirënjohëse dhe i merr gjërat për të mirëqena. Nuk dua ta bëj shumë metafizik si diskutim që po bëjmë bashkë i dashur lexues, sepse personalisht kam hequr dorë nga të tilla diskutime në një moshë shumë të hershme. Kjo për arsyen e thjeshtë se pas qindra diskutimeve të tilla me njerëz nga e gjithë bota vura re se në fund të diskutimit ishte përherë një konkluzion: është çeshtje besimi. Që ather thashë të kam ashtusur mu në metafizikë dhe vendosa ta vë thelbin të gjërat më të ndjeshme, jo detyrimisht të prekshme. Të ka ndodhur ndonjëherë kur lexon diçka aq të bukur dhe të kap një ndijesi boshlliku me idenë se sa gjëra nuk ke dëgjuar nga kjo botë kaq e bukur?Të ka ndodhur ndonjëherë kur dëgjon një këngë për herë të parë që ka dhjetra vite që ka qenë aty dhe thjeshtë ti nuk e ke dëgjuar më parë, e mendon se kush e di sa të tilla ka që të japin një ndjenjë lumturie?Të ka ndodhur ndonjëherë kur shikon një vepër arti që të ndryshon mënyrën se si shikon dhe percepton jetën dhe të kap një ndijesi që do ti shikosh të gjitha por në fund të mendimit tënd është një pengesë që për momentin nuk e shpjegon dot? Diçka sikur të ndalon lumturinë e të ndërmarrit të atij udhëtimi shpirtëror?Të ka ndodhur ndonjëherë të futesh në një bibliotekë që do ti lexosh të gjithë librat se ta do xhani? Të ka ndodhur ndonjëherë kur ke shumë për të treguar dhe nuk të del koha të ulesh e të ndash mendjen si ta tregosh? Nuk ke mundësi dhe do deshe të kishe mundësi të tregosh gjithçka të gjithëve? Të ka ndodhur ndonjëherë kur zbulon një fushë të re dhe të kap një zell që ti futesh dhe asaj por prap në mendje diçka të ndalon?Të ka ndodhur ndonjëherë që je para dhjetra projekteve të shkruara dhe ideve të bukura dhe nuk di nga tja nisësh? Thellë thellë, e di shumë mirë që janë shumë të bukura dhe do kishin bërë dallim por nuk di nga tja nisesh?Të ka ndodhur ndonjëherë të projektosh pasardhesit e tu duke menduar fizionomine dhe dilemën e madhe që të bësh mëkatin e të projektuarit të vetes pa dashje, apo të projektosh diçka mirfilli natyrale siç duhet të ishte? Të gjitha këto, ndodhin në kohë dhe për shpirtrat e mëdhenj, si thosh Stendhal, sfida është përherë me ndërgjegjien e tyre, se si mund të japin sa më shumë! Si mund të luftojnë me brengën që del nga lufta e ëndërrimtarit për të dhënë shumë dhe nga përplasja me kompromisin e realitetit tenton të të mbajë përherë me këmbë në tokë. Një brengë që nuk i ngjason asnjë lloji tjetër, një ndijesi që të le të kuptosh që në krye të radhës një dorëzim pa kushte por që energjia e brendshme të bën të vazhdoshë për të arritur atë kulmoren një sojë si ushtrimi i famshëm kur limiti shkon drejt zeros. Ti e di që po shkon drejt zeros, por e di dhe që ka akoma vlerë deri në fund, dhe pesha specifike e asaj, sado nominalisht e vogël, bëhet përherë e më e madhe, më e vështirë për tu arrirë, dhe më e bukur në fund.Mos kujto se iluzionet nuk janë të bukura, në fund të fundit çfarë është shpresa?! Ti zgjedh që në përqasjen tënde ndaj kohës të hedhësh pak iluzion, pak realitet, por gjithmonë shumë dashuri. Sado naive të tingellojë kjo, mos harro se është gjithmon çështje konteksti dhe ji mendje hapur të kuptosh pse dikush e kupton kështu dhe dikush tjetër ashtu  Kur i ke të gjitha, këto të duken si karamele, por përkohësisht  sepse dhe kur i ke të gjitha prap ndryshojnë kontekstet! 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *