Më mirë i vdekur, njeri koti thoshin!
E mbanin për punëtor, por budalla. Shpesh e tallnin edhe me dy gungat që kishte në ballë. Punë të çuditshme bënte për moshën që kishte. Nuk kishte mbushur njëzet vjeç e punonte si varrmihës. Puna që bënte e kishte mbajtur larg familjes, i takonte rrallë! Edhe pse e quanin budalla, fshatar, e tallnin për punën që bënte, me gungat e ballit, dialektin si fliste dhe me detaje të sjelljes së tij provinciale, e tallnin madje dhe pse gjithmonë e shikonin duke qeshur. Por asnjeherë nuk pati problem me njerëzit përvec nje rasti dy vjet para se ai te vdiste, po që nuk ishte gjë për tu mbajtur mend. Punonte shumë dhe po mendonte të fillonte një punë të re. Për atë, punë e re ishte të bëhej krye organizator i varrmihësave të bashkisë. Në monotoninë e përgjithshme të tij, një ditë të lodhshme pune, pa ngrënë dhe në një ankth se mos nuk merrte gradimin i vjen një ide…
Mendoji të hapte një varr aq të thelle sa se kishte parë ndonjëherë historia! Tha se po të bënte këtë do të tregonte aftësitë e tija. Shkon në varreza dhe fillon ta hapë… Por këtë ide ja kishte treguar dhe një shoku të tij të punës dhe e kishte marrë me vete si dëshmitar. Kur po hapte gropën, kishte hyrë aq thellë sa mezi dëgjohej kur pyeste shokun nëse ishte ende aty apo jo. Në punë e sipër poshtë ai po vazhdonte të nxirrte dhe… Shoku i punes si dëshmitar duke u shtrirë e rehatuar për të dredhur një duhan, pa dashje cëmbit pirgun e madh me dhe. Për një kohë shumë të shkurtër ai pa ti binte dheu nën kembë. Vazhdoji të dridhte duhanin, e ndezi dhe fillojë të tymoste. Kur cigarja e dredhur pa kujdes dhe me një erë shkarpash të djegura arriti drejt fundit, atëhere ai u kujtua që nuk po dëgjonte më atë pyetjen që në fillim i dukej normale, nga mesi i ditës ju bë acaruese dhe aty në të ngrysur u mësua dhe i jepte pergjigje duke hedhur një gur poshtë që tregonte praninë e tij si dëshmitar. Aty i bie cigarja nga dora dhe me një fuqi frike dhe paniku gërmon dheun e rrënë prap në gropë.
Arriti deri sa nxorri trupin e pajetë të krye organizatorit të varrmihësve. Të paktën kështu e mendoji ai, se kohët e fundit ishte bërë normal emërimi i tij pavarësisht se jo zyrtarisht. Por kur ai zbuloi trupin ishte tre orë pasmesnate. Nuk e kuptojë se kishte qënë një dëshmitar i pavëmendshëm i vdekjes…
Lajmëron kë mundet! Lajmëron në fillim kolegët, pastaj shokët e tij dhe çuditërisht në fund familjen. Trupi i varrmihësit të pa graduar u morr nga familja dhe po atë ditë pasdreke u caktua varrimi. Nisen të gjihtë shokët e tij në rrugën e largët drejt familjes për ti dhënë lamtumirën e të kryenin formalitetet e rastit, pavarësisht se kush më parë e kush më pas, por atje ishin të gjithë. Kur arrintën të gjithë, u mblodhën e po flisnin për shokun e tyre se si, qysh, tek…
Ca ishin ulur në tokë e ca në kembë…
Ca bënin si te prekur e ca si “seriozë”…
Ca sikur qanin dhe nja dy prej tyre qeshnin nën dhembë me të tjerët…
Te gjithë ishin duke pirë cigaret njera pas tjetrës.
Kur erdhi momenti të futeshin në shtepinë përdhese me një oborr të madh përpara, me shumë lule dhe një hardhi te madhe, të gjithë morrën nga një paketë cigare me vete se duhesh hedhur sipas zakonit për ngushëllim…
Shumë njerëz duhet të hapnin për tu futur brenda! Në fillim vinte një para-korridor, pastaj kaloje te korridori i shtepisë me hapësirë jo normale dhe ku nga mund të shikoje dhomat e vendosura majtas e djathtas dhe gjithashtu të binte në sy arkitektura e shtëpise pa kurrëfarë fantazie.
Te dhoma e parë djathtas ishin shumë gra ku kishin rrethuar arkivolin dhe po qanin me ligje dhe madje disa gra edhe e ‘godisnin’ arkivolin. Një mesoburrë i shemtuar, me një ballë të madh me syze dhe me një zë të çuditshëm u tha që të vazhdonin në fund majtas. Aty te dera ku u adresuan, ishte dhoma e burrave dhe ku një djalë te të tridhjetat, tek i cili të binte në sy ngjyra e kuqe e fytyrës nga puna në fusha, u tha se duhet të takonin në fillim atë me kapelë…
Me tu futur te ajo dhoma vije re tri divanë të vendosur sipas murreve të shtepisë dhe te ai përballë qëndronte ai që duhej të takohej i pari dhe në të djathtën e tij një burrë tjetër. Pasi takuan atë më kapelë, që më vonë u morr vesh se ishte gjyshi dhe më pas ai në krah që ishte babai, u ulen në vendet që u liruan nga disa burra të tjerë që kishin mbaruar sebepin dhe nuk po çoheshin nga përtesa.
Ai çuni që ishte te dera erdhi me një tabaka të vjetër me shumë gota rakie në të dhe secili mori gotën e rakisë dhe tha ngushëllimin. Për moshen që kishin do të tingëllonte ëmbël dhe ngrohtë një ngushëllim naiv dhe i thjeshtë, por të gjithë kishin menduar dhe gërmuar që rrugës “proverbën” që do të thonin.
Çfarë nuk u dëgjua!
Nga ngushëllimet më me peshë dhe më goditëset dhe deri te frazat e poezive qe hera herës tingëllonin qesharake.Sado që vinin re që stononin me situatën arriti një fazë ku u nis një garë e pavetëdijshme kush ishte më i forti… Por kur te gjithë kishin lagur buzët me raki, kaloi persëri ai çuni me tabakanë, ku si u tha një person aty duhet të njomnin buzët dhe të linin gotën bashkë me paketën e cigareve në tabaka.
Pasi të gjithë kishin lenë gotat dhe kishte renë ëmbël një qetësi, një burrë i pranishëm aty e prishi atë që në një menyrë të ‘drejtë’ mund ta quaje cast reflektimi për vete faktin e çuditshëm që erdhën rrethanat e atilla, duke filluar të tregonte me zë të lartë dhe injoranca e tij e bënte të dukej si pa të keq, se si djali i tij kishte patur po të njëjtin ‘aksident’, por kishte shpëtuar paq.
Filloi një tendosje dhe jo nga budallallëku i atij, por nga një e qeshur e brendshme e disave. Nuk guxonte njeri të çohej! Kur njëri merr guximin dhe çohet, takon prap babain dhe gjyshin duke i ngushëlluar. Pas tij brofën te gjithë në këmbë duke bërë të njëjtën gjë. Pasi dolën jashtë si të tensionuar u mblodhën prap e po bisedonin. Kishte dhe katër orë deri sa të bëhej varrimi. Menduan të hanin ndonjë gjë se anjëri prej tyre s’kish futur gjë në gojë perveç cigares.
Por duke pyetur si në vend të huaj dhe te humbur, mundën të gjenin vetëm një lloj mejhaneje ku nje burrë i cuditshëm shërbente.
Aty në atë ambjent jo të pastër mbushën barkun dhe dolën prap duke u grumbulluar jashtë shtëpisë së të ndjerit. Aty u bë një muhabet normal dhe me një zhvillim dhe humor si pa të keq, ashtu si ndodh zakonisht në një grup shoqëror. Me pas u kthye prap situata në gjendjen që duhet të ishte, por e shtirur. Filloi prap serioziteti i tepërt ose nga shtirësia dukej i tillë. Secili hidhte propozimet e tij idiote, të pafytyra e të felliqura me qëllim që tu tregonin njerëzve të shtepisë së të ndjerit se sa shumë e vlerësonin të ndjerin.
Në atë moment ishte interesante të shikoje lloje të ndryshme pafytyresish, lloje të ndryshme shtirjesh, të shikoje kthetrat e një egoje injorante, të shikoje ndergjegje me drejtësi të shtrembëruar dhe trupa fizikë që rrethanat i bënin të dukeshin sende… Papritur vjen ai mesoburri me syze dhe thotë se është hapur arkivoli. Aty ngrinë të gjithë dhe njeri pyeti me atë naivitetin e munguar se cfarë duhet të bënin. Ai burri tha se kalohet rrotull arkivolit i bihet në faqe dhe se kush ka zemër e puth të ndjerin. Me të mbaruar këto fjalë iku. Filluan të pyesnin njeri tjetrin: ‘… si kush ka zemër?! …’
I thoshin njeri tjetrit që të ecnin para, por asnjëri nuk levizte. U nisen disa dhe me pas vijojë pjesa tjetër mbrapa. Shumë njerëz ndodheshin në hyrje të shtëpisë, dhe te dritarja e dhomës që shikonte nga oborri dukeshin shumë gra që po lëviznin në mënyrë të çrregullt dhe të binin në sy dy që i binin kokës me grushta, kjo përvec të qarave me zë të lartë që jepnin një tonalitet makabër situatësë.
Kur u futën te dhoma ku ishte arkivoli e humbën të gjithë toruan. Hynin normal dhe dilnin me fytyrën si cipë qumështi. Disa dilnin duke qarë dhe disa gati për të nxjerrë zorrët. U ulën jashte oborrit dhe s’po flisnin. Kur vijnë të tjerët, panë gjendjen si ishte dhe nuk patën guximin të hynin brenda se kishin frikë se mos u binte të fikët. Po rrinin në një suspansë të rendë dhe që pesha filloi të shtohej kur njeri prej tyre nisi të qante me zë.
Një tjetër po kafshonte duart nga pamja që kishte parë dhe disa të tjerë u zverdhën aq shumë, sa u mbeshtetën ku të mundnin. Pas një qetësie të thellë që u thye nga një fjali si gjysëm e pavetëdijshme: ‘… pse nuk vdiq ky njeriu i lig, por ai… ‘. Bëhej fjalë për njërin aty! Çuditërisht shkaktoi të qeshura dhe te ata që po qanin.
Kjo për një që e shikonte nga jashtë situatën u morr si një deshmi e një karakteri dhe ruajtje të seriozitetit te fortë… Varrezat ishin larg dhe u nisën bashkë me turmën e njerëzve. Sapo kortezhi po hynte në varreza shiu i dobët që kishte filluar mori nje vrull në zbritjen e tij nga qielli si për të treguar dicka… Toka u bë aq baltë sa përvec pluskimit nën kembë, një rrezik i madh kanosej për shkarje duke parë dhe vendosjen e varrezave në një kodrinë të pjerrët. Gjatë varrimit, zhurma e shiut nuk lejonte të dëgjoheshin fjalimet përkujtimore që u mbajtën, në fillim nga eprorët e punës e më pas nga i ati. Sikur kishin dalë nga ai lumi i pisët që kalonte aty afër.
Vunë re që filluan të lëviznin ca lopata që po hidhnin dhe, në atë moment njerzit filluan të lëviznin duke ikur jashtë varrezave.
E donte zakoni të hanin drekën e të ndjerit… Kur u futën te ajo tip mense u ndjenë si çuditshëm. Zunë vendet, ndezën cigaret dhe filloi muhabeti si të mos kish ndodhur gjë. Vendet ishin ndarë sipas një llogjike aq të cuditshme dhe po aq dhe normale. Në një varg tavolinash u vendos shoqeria me kolegët, ku në krye ishin eprorët. Duke e krahasuar me të qarat, ulëriturat dhe më pas zhurmën e shiut, ishte një qetësi e përgjithshme sepse muhabeti bëhej me grupe të vogla. Pas një qetësie në pritje e sipër të shtrimit të drekës, një shok i tij, fillon e flet për të ndjerin dhe se si e njihte ai atë…
‘… Djalë i ri! Punonte shumë, plus që ishte larg familjes. Edhe mbasditeve nuk pushonte, kapte ç’ti zinte dora. Ca kohë isha në një dhomë me të dhe e shikoja gjithë ditën të perqëndruar në punën e tij…’
Serioziteti dhe solemniteti me të cilin ai fliste duhet të ishte prekës. Por e tradhtonte fytyra dhe mënyra e pështirë që fliste. Disa bënë sikur e mbështetën duke tundur kokën dhe gjithashtu tregonin dhe një mirkuptim. Disa mezi po mbanin të qeshurat dhe pickonin njeri-tjetrin pa u venë re.
Arsyeja kuptohej thjesht nga ata!
Për te njejtat gjera që tallej, vihej në lojë madje dhe përbuzej, po për të njejtat qe njeri i mirë pas vdekjes… Pasi shtynë drekën, takuan prindrit e të ndjerit dhe u nisën grupe-grupe prej nga kishin ardhur.
Rrugës ashtu siç ishin në grup njëri prej shokëve pyet si pa të keq: ‘A kishte dashnore ai ?!…’
‘ Me siguri po, se kështu ishte i mirë ai, me sy blu, bjond’- thotë tjetri.
Një gjendje e cuditshme u krijua dhe më pas plasën të qeshurat. Por të qeshurat ndaluan kur njëri prej tyre bërtiti : ‘E bëtë dhe të bukur tani që vdiq?! … ‘