Pse shkruan në errësire dhe kush lexon në errësire?!

Problemi më i madh në shtypin e shkruar shqiptar është mungesa e ideve dhe argumenteve që mbështesin këto ide. Kjo mungese nuk vihet re vetëm në këtë aspekt të jetës shqiptare por dhe me tej, për të mos thënë që është karakteristika kryesore e saj. Në një shoqëri të majmunizuar është normale që një zhvillim i tillë ku çdo gjë që pre-supozohet të jetë e re, pas pak merret vesh që është kopjuar, mirë apo keq pak rëndësi ka.

Analiza është një “zhanër” pothuajse i zhdukur, edhe kur tentohet për një të tillë autori nuk del asnjë here nga kuadrati i politikës mediokre. Analizat e specializuara si ato ekonomike, në mjekësi, shkencë apo më tej janë shumë të rralla. Ka raste kur shikon një titull i cili prek një temë e cila është në debat e sipër ndërkombetarisht por në Shqipëri jo(!), çuditesh dhe fillon të lexosh çka dashur të thotë më tej autori. Është qesharake, që sa fillon artikulli ose analiza në fillim nuk shtrohet tema si në çdo analizë por bëhen qokat e radhës për kauzën që kanë interes pastaj vazhdon me lëvdata e me më the të thashë.

Autori nuk e merr mundimin të jap as argument, as statistika dhe as të shpjegojë se pse dreqin po e mbron këtë kauzë. Kjo është një situatë tipike sa herë miratohet ndonjë ligj i ri që kap interesa thellësisht ekonomike (nga njëra anë dhe banale) ose sa herë përgatitet tereni për të bërë diçka që prek gjithë shoqërinë por përfitimet i kanë vetëm një grup i ngushte njerëzish. Dikush mund të thotë se gjithë kjo e ka një sens. Po e ka një sens, sepse në fund të fundit njerëzit do diskutojnë dhe analizojnë problemet e ditës dhe realitetin që i rrethon. Pra nuk mund të ketë si temë diskutimi dhe analize diçka që nuk e prek fare Benin te kafja e lagjes që po ha fara apo Mirën te parukeria po te lagjja. Po mirë, nuk është ky tregues se sa i pa vlerë është realiteti Shqiptar?!

Për tu rikthyer në temë një pyetje tjetër është dhe më shqetësuese: Nuk ka cilësi sepse “nuk mund” apo “nuk do”?! Kam një përshtypje se në specifikën e jetës shqiptare të dyja pyetjet nuk kanë ndryshim nga njëra tjetra. Këto pyetje të kujtojnë historinë e Çufos që kur e pyetën se pse gënjente u përgjigj tërë shend e verë se ia donte trupi. Me këtë dua të them se nuk është se niveli mediokër i gazetarisë është thjeshtë se i urdhërojnë të shkruajnë kështu, ose se nuk dine (se ç’është e vërteta janë shejtane), ose se nuk munden. Nuk dua të them që këto nuk janë arsye, përkundrazi janë dhe që çke me të, por dua të them që është dhe kjo se ua do një çik trupi! Çmimi i cipës në fytyrë në Shqipëri është njësojë sikur e kanë marrë të shkretën nga Kina, dhe sa për turp ne kemi verë shumë të mirë.

Megjithatë është dhe një aspekt tjetër që për disa bëhet i rëndësishëm kur e kanë punë apo pasion leximin. E kam fjalën se sa të mërzitshëm dhe kapës që janë grup fjalët qe shkruajnë disa, dhe kur lexo j më vjen aq keq për atë te shkretë letre që është marrë nga ajo e shkretë pemë. Për të qënë komplet i sinqertë mendoja se ish presidenti Z.Mejdani kishte shkrimet më të mërzitshme të mundshme. E kam fjalën nga këta emrat e mëdhenj që janë të shpeshtë në shtyp dhe fjala çoku u dëgjohet, se të qe për të mërzitshëm ka daulle plotë që harxhojnë letër(edhe pse kjo deri në një farë pike është subjektive se dikush mund të mendojë të njëjtën gjë për autorin e këtij shkrimi). Pse them se mendoja që ishte zoti

Mejdani, them kështu se kur lexova z.Zaloshnja zbulova ca ishte migrena dhe revolta ndaj një artikulli. Përveç se shkrimet e zotërisë janë aq të mërzitshëm sa përtoj ta shpjegoj tani por problem është se nuk ka as vije logjike. Besoj se nuk mund të presësh shumë nga dikush që e nis shkrimin me: “Edhe pse nuk jam specialist në këtë punë, do shkruaj për të thënë opinionin tim!”- Zotëri, mendimin mund ta ndashë te kafja me Benin ose te parukeria me Mirën, teorikisht Ti ke akses në vende të tilla si shtypi elektronik për arsye se pre supozohet të dishë diçka më shumë ose të kesh informacion më tepër dhe rrjedhimisht të kesh diçka më shumë për të thënë ose më të zgjuar.

Mendoj se çdo njeri me një formim mesatar e kupton që media e sotme ka më shumë funksion lavazhin e trurit sesa mirë informimin e njerëzve ose të shërbejë si tavolinë virtuale debati. Një shembull konkret është dhe i fundit i moguleve të medias siç është Rupert Murdoch. Katër prej gazetave më të mëdha në Britani kishin të njëjtën punë siç kanë gazetat në Shqipëri, vetëm se në Britani e bënin në mënyrë më të sofistikuar. Kur përmendet Murdoch menjëherë më vijnë në mendje disa si-vëllezër të tij shqiptarë, por sa më shumë mendoj rrethanat e tyre aq më shumë zvogëlohet ngjashmëria me mogulin e huaj.  Kjo sepse Murdoch nuk u zgjua nga gjumi një ditë të bukur me shtatë televizione, pesë radio e dhjetëra gazeta, gjithçka krejt papritur! Por ishte një punë e gjatë, një proces e një sakrificë.

Si përfundim, për tu rikthyer prapë te pyetja se kush shkruan dhe kush lexon. George Orwell thoshtese duhet të takohemi në një vend që ka sa më pak errësirë. Për mendimin tim, edhe pse çuditërisht në këtë rast njëra palë përfiton ashiqare, të dyja palët janë në errësirë. Në përfundim nuk kam ndërmend të jap ndonjë zgjidhje sepse po të thosha që zgjidhja është dalja nga errësira thjesht do bëja një tautologji të bezdisshme. Për hir të së vërtetës kjo zgjidhje (pra te dalim nga errësira) u mor seriozisht për disa kohë në Shqipëri, por më vonë kur u ndërprenë shkëputjet e energjisë elektrike nëpër shtëpia njerëzit menduan se me atë rast u erdhën dritat dhe në mendje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *