Butaforia e rinisë së përparimit dhe amerikanët!

Si çdo gjë në këtë vend, që të ftillohen njerëzit, duhet që një fenomen të saturohet në atë pikë sa të të vijë për të vjellë ose duhet të vdesë njeri. Që ta konkretizoj: i ke parasysh ato streçet e femrave me leopard? Kur nuk ngeli dhe burrë pa i veshur ato atherë e kuptuan femrat që nuk mbante me ujë pilafi. Ose, e ke parasysh kur flasin njerëzit për rregulla ose për probleme që i kanë përherë para syve? Kur bie ndonjë nga ndonjë skelë pallati ose kur vdes ndonjë minator.

Kësaj rradhe nuk e kam fjalën as për trende veshjesh, e as për rregulla, por për modën e re që ka dalë për të rilindur ose rigjeneruar, ose degjeneruar.

Njerëzit të mërzitur me Çanin dhe Fevziun, se pse nuk po merren më me politikë, u alarmuan duke kuptuar se ky vend kishte marrë fund. A thua se ky ishte sinjali për një armagedon të shoqërisë tonë?! Por ky ishte sinjal për të kuptuar nivelin e shoqërise dhe kohës në të cilën po jetojmë.

Për të dalë nga bataku i mizerjes që ka mbërthyer ekonominë, arsimin, vlerat e shoqerisë, po thirret në ndihmë një Njeri i Ri, njeriu i së ardhmes, njeriu i papërlyer, njeriu që i ka vlerat jo nga familja dhe të fituara vetë, por të ngjizura në kokë kush e di se nga, dhe mendtë ja kanë futur direkt në tru, pa patur nevojë për arsim, për dije, për përvoje dhe për ti kulluar ulluku. Nuk e di të them nëse mendtë ja kanë futur nga poshtë apo nga lart!

Lëvizjen e parë të tillë e vura re para ca kohësh, kur mëmëdheun tonë Shalëqipëri e vizitonte i plotfuqishmi amerikan Loni Kerry. U tha me të madhe në media se ay kishte për të bërë tre takime, një me naltmadhninë, një me opozitën në tentativë, dhe të tretin me shoqerinë civile. T’ëmën ore thashë, ç’na qënkërkësh kjo shoqëri civile që do takojë Ay?! Kthehem në darkë nga puna, për të punuar prapë, se ne të akademisë kur kthehemi në shtëpi nga puna duhet të bëjmë kërkim shkencor, dhe menjëherë po prisja lajmet të shikoja kush ishte shoqëria civile. Prit unë, e hiç, prit unë, e hiç, kur del te Muzeu Kombetar Ay me nja 4 – 5 sojesh. Këtu kërkoj ndjesë paraprakisht sepse une nuk po i gjykoj të pranishmit, por thjeshtë po i paragjykoj. Pashë që aty ishin nja dy nga levizja LGBT, nja dy anonim të tjerë, dhe një anonim tjetër. Çfarë problemi ka të jesh anonim? Këtë do ta shpjegoj në një shkrim tjetër pasi tani më shkëput fokusin.

I habitur pyeta nja dy kolegë  të mi se cilët ishin ata të shoqerisë civile? Po pse kishte njeri që i njihte?! Mbi të gjitha në këtë vend që edhe nga era e asaj të dallojnë. Por problemi nuk ishte te anonimiteti, problemi ishte te mosha. Disa prej të pranishmëve kishin salep akoma në buzë dhe nuk kishin mbushur moshën e alkoolit, sipas ligjit amerikan. Dhe me sa morra vesh, ky investim i amerikanëve është një akt dëshpërimi duke kërkuar rracën e re ose njeriun e ri të shqiptarëve! Bo bo thashë, ku kemi arritur, sa shpresa e amerikanëve për ardhjen në terezi të Shqipërisë të kërkojë shpëtim në çerdhe, kopshte, dhe shkolla të mesme. Po ndalem pak me amerikanët këtu për tu marrë me diçka tjetër.

I njëjti fenomen ndodhi edhe kur Rilindja erdhi me të madhe. Në tentativë për të spastruar partinë Ay hoqi gjithë të vjetrit dhe nga dheu nxorri të rinjë të mire – trajnuar, tru – shpëlarë siç janë zakonisht nëpër parti, dhe gati të ulnin pantallonat në çdo rast, ose të vjetër të rinj, si Piter Pani (lexo Musa Ulqinin). U morën aq shumë të rinj sa nëpër administrata plasën barcaletat dhe butaforia morri dhenë. Herë tjetër po tregoj disa barcaleta se janë perla, tani nuk ka kohë se na thërret detyra në mbrojtje të atdheut.

Edhe nga krahu tjetër në dëshpërim për ti dhënë një identitet, qëllim, gjak të ri, se ai që kishin nuk ishte i vjetër, por i ndotur, frymë të re, edhe këta të PD-së i nxorrën nga dheu të rinjtë. Kryesisht bilbila që nuk dinë të këndojnë dhe zografë që shkruajnë keq. Së fundmi, premtimi se 49 nga 140 deputetë që do garojnë për zgjedhjet e ardhshme do jenë pikërisht nga të rinjtë i egzaltoi të rinjtë kalendarikë që e degjonin dhe i çoi në qiell të 7-të, një lloj si ai kamikazi që mendon se kur të shkojë në atë botë – do ketë një tufë me virgjëresha…

Pse unë i dashur lexues të lodha ty me këtë hyrje të gjatë?! Po sepse mendoj se konteksti është shumë i rëndësishëm! Çfarë mësojmë nga të tre shembujt që përmenda?

Po mësojmë, se në këtë vend nuk do pushojnë se ndodhuri çudirat.

Po mësojmë, se në këtë vend sa do të punosh, të mësosh, të përkushtohesh, prapë mut do hash se nuk funksionon kështu kjo punë, por ti duhet të zgjidhesh! Duhet të zgjidhesh nga dikush, qoftë ky amerikan, demokrat, socialist, miliarderr, apo ku di unë… Në këtë vend shembulli i punës, shkollës, përkushtimit është kur ti duhet të rrish jashtë sistemit. Në sistem hyn po të zgjodhën, ose po pate dosje, ose po pate meleona euro. Do thuash ti i dashur lexues, po pse ore nuk i di unë këto? Atherë më lejo ta them ndryshe.

E para, historia ka treguar se metoda të tilla të krijimit të njeriut të ri nga hici ka patur probleme relativisht të mëdha. Duke marrë shembuj si Hitleri në Gjermani, ai gjakatari në Kamboxhia, dhe Enveri në kasaphanën tonë. Pra për të mos e tjerr leshin akoma, metoda te tilla kane rezultuar fatale për shoqëritë në kontekste të caktuara, sepse njeriu nuk zhvillohet në inkubatorë por brenda kontekstit social dhe ekonomik të një shoqërie.

E dyta, gjithë ky budallik eksperimental bëhet mbi premisën se ky vend ka vetëm qelbësira, hajdutë, të pamoralshëm, delenxhinj, e kesi sojesh, dhe si rrjedhim na duhet ti futim në inkubator që në shkollë të mesme dhe ti nxjerrim nga frigoriferi në të ardhmen. Tmerr!!! Por gjithashtu mbi premisën se këto masa merren për njerëzit e mirë, të drejtë, puntorë, e të përkushtuar të këtij vendi. Po dreqi e morri, ndaje mendjen: ose ka ose nuk ka të tillë!

E treta, shëmbulli që jepet është fatal. Për të mos i hyrë njeriu në pjese, po marr veten time si casus. Po pse ore palaço të punosh pastër, të paguash të gjitha detyrimet, të shikosh prindërit me axhendë një herë në javë, të merresh me 400 studentë në një semestër, të kesh mësuar në shkollë me një vullnet derri, të japësh shembullin pozitiv qoftë dhe kur bën shurrën se mund të mos i lash duart se në fund të fundit nuk po të shikon njeri, nuk qenka ky se si duhet të jetë njeriu i ri?! Po ça më mbetet mua tu them atyre studentëve në fund të semestrit? Rrini, bëni ç’të doni ju, daç bëni pallë, daç mësoni, do vijë dikush tju zgjedhë, dhe ishalla është amerikan! Tmerr!!!

E katërta, promovimi dhe pompimi me zor i njeriut të ri çon në situata qesharake dhe madje janë eksperimente që nuk i ka të nevojshme shoqëria jonë dhe mbi të gjitha rinia. Përfundon në raste, që këta kalamajtë të tregojnë punën kur janë jo jashtë kontekstit, por vite dritë larg atij konteksti. Si ajo daullja që ishte dje në televizor dhe donte të bëhej prokurore… Fëmijët në gjithë botën ëndërrojnë, dhe shyqyr që ëndërrojnë, por në shkollë, në shtëpi, me bashkëmoshatarë, dhe jo në televizjon e institucione vendimmarrëse. Ose si shoqëria jonë civile që në një rast të rrallë që kishte për tju shfryre Loni Kerryt zgjodhi të tregonte për hallet e sumës së disa njerëzve, dhe dy adoleshentëve që e pyetën pse dalin puçra në fytyrë. Tmerr!

E pesta, kur ika në Amerikë në jetën e hershme studentore punova fort. Dhe shembulli që morra ishte se ecën me punë dhe me talent, e jo nëse me zgjidhte menaxheri nga çerja për të më promovuar apo jo!

E fundit, rinia! Kjo rini që po zgjidhet për tu eksperimentuar ka një problem të madh. Arsimin! Sistemi po fabrikon një rini të gatshme për garnizonët e partisë, një rini që nuk e di çfarë është puna, një rini që nuk e di çfarë është kërkimi, një rini që në diten e parë të intervistës të pyet sa e ka rrogën se nuk të rri në  këmbë gjithë ditën, një rini që është e gatshme të luaj letra të kafja e shkollës për 2 orë sesa të ndjeki një aktivitet inovativ, një rini që është e zbërthyer nga respekti, kultura, vlera dhe përulësia, dhe e mberthyer nga lëpirja, hipokrizia, mashtrimi dhe norma e “ma futi ky e ma nxorri ai”! Po në fund të fundit është një rini që kështu mësohet dhe kështu i merr shembujt në shtëpi, në shkollë, në shoqëri, e kudo. Deputetja më e re e parlamentit, mes gjithë traplliqeve që flet, iniciativën e parë e morri për ligjin e vullnetarizmit. Qyqja (!), normale, ashtu quhet puna në parti, vullnetarizëm, se kompensimi bëhet në natyrë.

Duke qënë shumë afër të rinjve, shumë brenda kontekstit, por dhe larg tij mjaftueshëm për të mos deformuar optikën e gjykimit, sugjeroj që këtë krijimin e njeriut të ri ta shtynim për ca kohë se kjo shoqëri ka shumë probleme të cilat duhen vendosur në prioritet.

Meqënëse e nisa me historinë, po e bitis me historinë. Dhe kjo e fundit ka treguar që edhe Amerikanët bëjnë llogari gabim në politikat e jashtme, e sidomos në vende të tilla si Shqipëria. Ndaj ky investim që po bëhet për krijimin e rracës së rë, që duket që në gjenezë që i ka premisat për tu bërë arrogant dhe të këqij, të mos rezultojë në krijimin e oratorëve të kotësisë, por në krijimin dhe promovimin e shembullit të punës dhe vlerës.

 

One thought on “Butaforia e rinisë së përparimit dhe amerikanët!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *