Vera e mbathur (Pjesa I)

 

sea-sunny-beach-holiday-largeKur shkruan rrallë është dhe mirë dhe keq. Në fund të fundit, si me çdo gjë – apo jo? Në qerbelanë ku jetojmë është mirë, se akumulon perla, por është keq se i bie të shkruash gjatë dhe unë e di që ti e ke tmerr të përqëndrohesh gjatë në një shkrim, po nuk pati imazhe kompromentuese ose një përmbledhje të bidait. Por unë e di që ti lexuesi im i vëmendshëm dhe sypetrit nuk je i atillë, ndaj dhe i bie përherë ca gjatë.

Po e nis me një qarje halli metafizike. Sot, pasi ndenja përballë rafteve të supermarketit rreth gjysëm ore, me dilemat e shoqërisë së pordhës – nëse ajo që do merrja për të pirë kishte sheqer shumë apo ishte mjaftueshëm e shëndetshme, i afrohem shitëses. Ajo një personazh kriptik që nuk i qeshi njëherë fytyra, jo më buza. Sot më këputi një perlë.

– Hëë, si je?! –  e pyeta kot, ngaqë duhet të bëj qokën se më duket sikur më njef.

– Sot… – nisi të thoshte, dhe e ndërpreu duke u shfryrë me një ngashërim sikur sapo kish kuptuar diçka që prej kohësh besonte gabim: – Ore, vajti ora 3, çdo ditë mezi pres të shkojë ora për të ikur në shtëpi, po sikur këto ditët që ikin nuk janë nga jeta ime…

Nuk fola fare…

E ke parasysh atë shprehjen: “E ke në terezi ti…” ? – epo të aftët nuk e kanë në terezi fare, sidomos në këtë kohë. Pse në këtë kohë? Po se kanë ardhur kohë të vështira. Njerëzit çohen nga gjumi të flenë gjumë, se është më kollaj të shijosh ëndrrën që ke prapa qëpallave, sesa të provosh makthin që do shikosh po të hapësh sytë. Do thuash ti lexues, si bëj dhe unë, si daulle, sikur ça ka ndodhur, e paskam marrë me pesimizëm të madh. Jo ‘re jo, nuk ka pesimizëm fare në këtë mes, unë e kuptoj që nuk është keq, por është shumë keq.

Ndonjëherë më duket si një Makondo reale dhe jo ajo e imagjinatës përvëluese të Markezit. Kjo verë mu duk si e mbathur… Ore a e mban mend ditën e verës?! Atë ditën me histerinë e koktrkëndëshave, të budallenjve që thonë gëzuar, të byrek-ngrënësve në bar, të çunave që dalin xhiro krah për krah, të fytyrave tërë yndyrë me xhinse me thekë, të burrave që hanë fara duke ecur dhe pështyjnë si pa të keq, për ata që nxjerrin barkun, për fëmijët me emër maceje, qeni, apo ndonjë personazhi të skaduar telenovelash, për të gjithë këta dhe të tjerë, ajo ditë e shenjtë është dita më barbare për natyrën.

Këtë verë puna më bëri të shikoja plazhin ca më herët se çe pa instagrami. Kur kthehesha nga bregu dhe shikoja çadrat bosh, thosha – hë se do vijnë, por kaloi një muaj, dy, dhe unë sa herë kaloja prisja Godonë. Kur kthehesha nga Saranda me një mikun tim, bëjmë të ndalojmë te plazhet e Dhërmaqit, mirëpo u nisëm për të lëçitur sytë, e leçitëm lesht. Ç’të shikoje, plazhi bosh. Ore Loni – i them, po më duket se është korrik – e mes korriku! Duke u ngjitur sipër për të dalë në xhade, ndalojmë në një market. E pyes atë gruan, ku janë njerëzit. Cilët njerëz, ata të tatimeve? – përgjigjet ajo, sikur mua të më kërciste shumë për ta. Jo, ç’tatime, njerëzit gocat… – e pashë që u duka keq dhe shtova dhe çunat. Kur e dëgjova veten për herë të dytë, ajo çunat më tingelli keq. Daulle, mendova, ajo nuk e ka mendjen fare… ti shton dhe çunat. Si përfundim, ne gjetëm një gjiriz në plazh që kishte njerëz dhe që koha ikte si në instagram.

Këtë verë njerëzit u kënaqën aq shumë në instagram, sa edhe instagrami vetë futi gishtat të nxirrte zorrët! Megjithatë, këtë verë pati më pak shkuma parti, pati mjaftueshëm sa për ata që duhet të laheshin patjetër, dhe ndarja klasore vihet re dhe te shezllonet. Meqë jemi te shezllonet. Në Jalë, ditën e parë pagova 5 mijë lekë për çadër, të nesërmen, ai tipi më thotë 7 mijë. I them – “O plako po dje dhashë 5, sot ça ka ndodhur?”. Më thotë – “Ka dhënë urdhër menaxheri që meqënëse kanë mbetur dhe pak ditë, ti bëjmë 7”. Mirë – i thashë, – do të jap 7 mijë po të më japësh faturë. “Ça fature?” – më pyeti ai. “Ça të kesh ti.” – ja preva. “Më mirë çohu nga shezlloni”- tha… Unë, si i revoltuar, u çova dhe i thashë se do ta denoncioj te komisariati dixhital! Ai as nuk më pordhi fare. Me bisht ndër shalë ika te tjetri, se duhet të qetësohesha se në darkë këndonte Noizy.

Mezi po prisja darkën, se unë jam një adhurues i paparë i këtij zotërisë. Bëjmë të hyjmë dhe ndalohem nga gorilla që rri te dera. Nuk i vë faj, ai duhet të sillet patjeter si i fortë me ça materiali ka aty. Marr vesh, që unë, meqë më ka bërë mami me ca gjëra shtesë, duhet të paguaj më shumë se ato që mami i ka bërë pa këto gjërat, madje dyfishin. Varja thashë, një herë më jepet shansi në jetë të shikoj Jim Morrison. Jo, më fal, Noizyn, se për pak e ngatërrova me atë legenin e çmendur që bënte muzikë. Hyra dhe çfarë nuk shikoje aty! Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! Adoleshentë pa qëllim në vetvete dhe me familje debilash. Këtë po e bëj parantezë: Unë besoj fort se fëmija është pasqyrë e prindërve, e sidomos në atë moshë. Vajzat me një mungesë të theksuar respekti për veten. Çunat të frustruar, si barbarë të egër, që me një heshtë në dorë janë gati për gjah. Secili në tavolinën e vet, ashtu si primitivët caktonin territorin e tyre, dhe po qe se kalon perimetrin, vihet në punë sedra, pastaj fortësia, e pastaj…

Une i qetë në tavolinën time, po prisja atë… atë… që më rëntë pika, kisha kohë që e ëndërroja! Në rumpallhanën e krijuar kalon një kamarier si xhepist Kakavije dhe me nxitim e kap, i them të më sjellë një koktejl. “Jo”- thotë, – “je në tavolinë dhe duhet të merrni shishe.” Eu bre burrë! “Po pse shishja ka dhoma të vogla brenda?!” Ai më shikon si i hutuar, dhe pa e vënë në lëvizje trurin më thotë se duhet shishja, e kaq. Ore i them, unë dua X pije, ky shoku do Y pije, kjo shoqja Z pije. Kjo shishja jote i ka të gjitha në një? Jo tha, do pini të gjithë një pije! O perëndi e madhe, mendova, kur nuk e ke pastorin me vete ti këndojë në vesh këtij. Pas shumë orësh del Ay, Ay dhe vetëm Ay! Talli trapin dhe iku… Kjo shoqëri e meriton atë lloj trajtimi. Aty mu duk e njëjta gjë si me politikën. Edhe politikanët sillen ashtu sepse e dinë që njerëzit e meritojnë të trajtohën ashtu… Pa pretendime, kënaqen me pak! Kallinj bosh, që edhe kur shfaqin pretendimet e tyre duken qesharake.

Optimist për të ardhmen, se kisha gjithë verës që prisja të vinte puna, jo punë që nuk erdhi, po as ashtu nuk erdhi. Çuditërisht në Tiranë vura re që kisha vënë pak bark, dhe thashë më mirë të filloj vrapin tani sa është pak, se me moshën dhe ngarkesën në punë, po e lashë, do bëhem si biznesmen. Në këtë moshë barkun e vë re shumë dhe sidomos me konkurencën në qarkullim dhe në kryerjen e disa funksioneve të qenësishme për shëndetin dhe karakterin. Thashë do nis prap vrapin nga liqeri! Liqenin e kam patur tmerr, mirëpo ngarkesa, stresi, lodhja, më bënë të bija në dashni me të. Kur vrapoj sikur kaloj në një gjendje transdeshente (do thoshte Tur Zheji), jam me sy hapur, por aq shumë ëndrra dhe skenare shikoj e ndërtoj, në një botë krejt tjetër, që vetëm te vrapi dhe biçikleta i gjej. Ndaj dhe shumë njerëz më thonë, që kur jam nga liqeni bej si interesant nuk u flas me gojë. Jo ore daulle, nuk jam në tokë fare. Po liqenin e kam patur inat, se ka qënë përherë personifikimi i barit, manjakëve, pleqve që nuk i duroj dot – se sa herë i shikoj më kujtojnë se çfarë do bëhem, barbonave që nuk kanë ku pallohen, debilave që vrapojnë me fustan ose me xhinse e që hedhin një kile parfum të hapur, e kështu me rradhë. Mbaj mend, një e njohura ime, më tregonte si pa të keq që tek ishte futur me makinë te liqeni me një hajdar dhe kishin nisur të palloheshin, dikush me maskë e thikë u kishte hapur derën dhe i kishte vjedhur. Unë që nuk mbaja dot të qeshurën kur ma tregonte… të mendosh që nuk ka as 6 muaj që ka ndodhur.

Nejse! Tani e vetmja gjë që kam inat është barbaria me këta që dalin xhiro për të shtyrë sahatin e jetës. Kur dalin xhiro, instikti i fshatit i shtyn të ecin te korsia e vrapit, ajo me dhé të kuq, se u duket e pashtruar, ose u kujton fshatin ose trotuari i komplekson.

Mirë i dashur lexues, nëse në këtë verë të mbathur ke ardhur deri këtu dhe pyet se pse dreqin është e mbathur vera… ose këto që the ti, unë i dija… Unë e di, që ti e ke të vështirë të përqëndrohesh, ndaj për mbathjen e verës taksirat e ke të presësh pjesën e dytë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *