Vera e mbathur (II)

Me gjithë pritjen për punën, këtë verë u pa se kohë të vështira po jetojmë. Janë shumë të vështira, e kam seriozisht. Ndonjëherë ngushëllohem me faktin që e gjithë bota është në krizë vlerash, por kur dal jashtë kësaj qerbelaje, ose kur kujtoj vitet e shkollës e punës jashtë nuk më del hesapi.  Njerëzit ja vënë fajin politikes dhe e kanë shumë gabim. Ata që ikën, e që u duket sikur nuk kanë ikur akoma futen garuzhden, këta që erdhën kanë futur lopatën dhe ditën për diell, as turp e as kurrëfarë kompleksiteti. Një fotoshop e një dorë boje dhe dynjaja bën gjoja sikur e ha. E bukura është se edhe njerëzit janë ftilluar poshtë në “bazë”, si i thonë në gjuhën e partisë, por janë aq të pa fuqishëm sa nuk reagojnë dot. Janë një sojë si kur nuk çohesh dot kur je sëmure, vetëm se shoqëria jonë është sëmurur me breza. Me kujtohet, kur erdhën këta dhe u emerua një drejtor në një dikaster që nuk kishte lidhje me profesionin. Pa zbuluar me tutje ky zotëria u bë drejtor në një institucion ku të gjithë ishin inxhinierë pyjesh dhe arkitektë, ndërsa ky kishte mbaruar gjuhët e huaja. Një herë dëgjon se punonjësit po flisnin se kush do bëhesh koke turku i pari…

Në mbledhje drejtori u thotë të vërtetën.

Pa merak, – tha, nuk heq njeri se unë, gjithë shoqërinë e kam nga gjuhët e huaja…

Tëmën ore… – ju lirua shpirti njërit nga inxhinierëve.

Kur them është keq, nuk e kam nga mungesa e optimizmit, se për ata që më njohin e dinë sa me optimizem dhe humor e marr jetën. Madje në krye të rradhës studentëve u them që po nuk bëtë humor me këtë realitet është mëkat, të paktën me humor u tregon njerëzve që ti e di çfarë ndodh dhe nuk mund të të marrin për budalla ose të marrë. Për të pamundur mund të të marrin, por jo për budalla!

Ky vend drejtohet nga çuditëbërës ku bërja e çudive është zhbërje e ligjësive ekonomike, sociale, fizike, politike, dhe e çfarëdo lloji. Në këtë qerbela në mes të ditës ndodhin gjëra që janë jashtë çdo logjike e prap nuk i kërcet as të madhit e as të voglit. Këtë verë vura re që njerëzve u humbi shpresa dhe përtej çdo llojë besimi kanë ardh kohë të vështira… kohë kur nuk njihet besimi por lufta për mbijetesë. Kohë kur kap ça të kapësh është bërë lajtmortiv i jetës së përditshme, dhe jo puno që të meritosh. Kohë ku ti punon për vite me rradhë dhe në fund të ditës shpërblehet bundra apo bundri. Kohë ku shkollës i ka humbur soji e sorollopi. Kohë kur teza e maturës shtetërore e Të GJITHA PROVIMEVE del sheshit si të ishte ai sherifi i juridikut para një dekade dhe asnjë, ore ASNJE nuk ndihet për një skandal me përmasa kombëtare ndërsa Zhvejku i ministrisë së arsimit numëron bëmat dhe arritjet e proletariatit. Kohë e vështire kur ky vend çahet nga kultura dhe inovacioni saqë shqiptarëve po u dalin nga veshët të dyja.

IMG-20160819-WA0002Kohë kur dynjaja braktisi telenovelat, bixhozet, burrat, gratë dhe u investuan te reforma në drejtësi. Kalon apo nuk kalon, kjo ishte çështja! Masa e vegjetuesve as nuk e kuptoi se çfarë ishte reforma dhe se ça dreqin dilte prej saj. Debilat nuk e kuptuan që gjyqtarët pasi kanë vjedhur tërë jetën tani meqë do quhen të pastër do tu behet rroga 3000 euro dhe pensioni 2400 euro. Pse? Se kanë bërë vezën e kuqe, kanë çuar këtë shoqëri këtu ku është me padrejtësitë me të mëdha se vetë Turku e çdo pushtues tjetër. Po doktorët që të shpëtojnë jetën, të paktën në teori? Po mësues e pedagogë që të gdhëndin fëmijën, të paktën në teori? Po polici që të mbron jetën, të paktën në teori? Kohë ku zhbëhet çfarë do llojë teorie, kur zoteria privatizon ujësjellësin sepse është me miliona euro fitim. Që nga koha e Adam Smith, makroekonomia i njeh të tilla raste si monopol natyral, për arsye që varjojnë që nga siguria kombëtare, e deri te risku i lartë, etj. Ndërsa ne nuk i njohim këto sepse nuk ka nocion të sigurisë kombëtare kur vidhet banka kombëtare, thesari i shtetit, e brekët e shtetit. Makutëria dhe lopate futja ka arritur në atë pikë degjenerimi sa njerëzit vetëm vezhgojnë nga habia ose nga mpirja që u dhemb aq shumë ajo qe u ka vajt në palcë!

Në këtë kohë jo vetëm lopatë futësit por dhe këta që duhet të ruanin portën kanë dalë nga rruga e perëndisë. Opozita ka gjetur derexhenë te njeriu me butaforik se vetë Ver Llapa, te vetë zotëria kuq e zi. Opozita është si në efekt valiumi. Kur takova njëhere një eksponent të ri të opodhitës u sugjerova ca trajnime që të ndërtonin një frymë te të rinjtë se atje e vija re që kishin mungesë të theksuar dhe sidomos në kohën qitetarit dixhital. Sa herë u them studenteve, ndani idetë tuaja pa frikë se ai që do mundohet të kopjojë do ta bëjë jashtë kontekstit dhe përherë keq. Kështu ndodhi! Nisën një tur trajnimesh nga Përmeti në Dibër dhe e bënë tap gjithë rininë e shkretë… Mu kujtua kandidatja për zgjedhjet lokale në Durres. Kur zonja nga qiteti vinte te zona e Kënetës dhe u premtonte “lokeve” dhe fshatareve “muze ndërplanetar” (whatever the f**** that means) duke ua bere kokën daulle, me lezet ai esnafi që ishte me këmbë në tokë i përmblodhi mirë dhe rrjedhimisht fitoji. Kur rinia e pushtetit dergjet brigjeve të Jalit e Dhërmiut, rinia e opozitës është katandisur në kokpalarë, partizanë dhe lokaleve me tavolina bosh se përgjigjja që u vjen nga elitarët që do udhëheqin pakënaqësinë popullore drejt fitores dhe do tu japin atyre një shpresë e vizion është se tani nuk kanë lekë as për ujë pa gaz në  mes të Korrikut se janë në opozitë! Kur të vijnë, do kenë…14088480_10154272534000325_8135656072530720481_n

Në kohë krize, qoftë ekonomike, qoftë shoqërore, qoftë vlerash njerëzia kalon në menopauzë mendore. Në kapsllikun sezonal media shqiptare bën perjashtim se nuk pyet për sezon por e ka këtë tv fundit konstant. Kur them media e kam fjalën për kanalin turk TVKLAN, ose këta snajperat që përdoren sa herë duhen tendera si Shqiptarka.com, lajme24, e ku di unë. Gazetaria është kaq pa shtyllë kurrizore sa që as për njeri-tjetrin nuk sensibilizohen. Diarreja që përsëritet në emisione të darkës, ku në mëngjes ti vdes e në darkë e ke gati emisionin arrin në nivele përtej banales. ANAListë të cilët bëjnë gjithologun për çdo temë dhe pisanjos karakteri 360Gradë.

Screen Shot 2016-08-16 at 9.26.58 AMNdaj dhe lajme nuk ka më, ndaj dhe kronikat janë tjerrje leshi pa fund, ndaj dhe turren drejt sensacionit të paqënë, ndaj dhe mediat të ashtuquajtura kombëtare nuk mbushin dot 24 orë pa Fejsbuk. Dhe pastaj pordhojnë lajme si: “Goditet Shalsi” – ku në fakt atij zoterise i ranë me vezë, ose “Çmendet rinia” – se një grup kraheshkulurash (siç thotë një koleg i nderuar) po bëjnë dush në shkuma parti të heqin yndyrën dhe tualetin e djeshëm te Santa Quarranta, e nuk qënkan të çmendura se janë pa punë e prostituohen për nje telefon apo ku di une… Se për pasion ka harruar dynjaja të pallohet…

Për të mos folur për atë tipin që ka tre vjet që zë televizorin me intervista kaps nga plazhi dhe prap gazetar nuk u bë. Me një anglishte përtej banales, me një komunikim sikur ka gjithë jetën që nuk e fut dot marshin e tretë, dhe me një mungesë profesionalizmi që përkthehet në “hajde me se do mbushim orën”. Për të mos folur për zhburrerimin dhe zhgrarimin e gjithë sistemit, sepse gazetaria nuk është më gazetari por dhjetari. Në të njëjtin edicion lajmesh krietari del se është në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme, në një kronike përuron kopshtin “Tri Fletat e Fatit” dhe në të njëjtën kohë është në Jalë me naçut e rinisë. Po dreqi e mori, një në një edicion, një në një tjetër që ta hajë dynjaja…

E ç’te të them më unë aman?! Ka marrë erë gjithandej, por nuk ka shpresë dhe dritë në fund të tynelit. Një mpirje si e opiumit… Kohë të vështira, apo jo?

Kohë të vështira po jetojmë, madje shumë të vështira! Kohë ku Balkanweb citon jeta osh qef si burim informacioni dhe emisionet e pasdites janë bërë si spirra psiqike,

kohë ku nuk këndohet më dhe festohet me qofte e kur martohet i bardhë me të zi del në lajme…Screen Shot 2016-08-23 at 2.27.07 PM

kohë ku Blushi flet për ekonominë dhe Land Balla për pyjet,

kohë ku tatimet janë bërë tapë dhe i vendosin OJF tatim mbi fitimin,

kohë ku Koçua do bar dhe opozita bebelina,

kohë ku Lali ta do më shumë fëmijën se vet prindi dhe ku tetë Marsi festohet me përpallim latin,

kohë ku të rrasin brenda për një presh dhe ku Fullani është i përsekutuar,

kohë ku Braçes nuk i plas fare dhe kryeprokurori ankohet për mungesa pa arsye,

kohë ku në spital nuk shërohesh dhe ku policat i kanë bërë si lodra Lego,

kohë ku u ka vajt njerëzve në palcë dhe ku financat i drejton D. Jovani,

kohë ku vrasja quhet gabim teknologjik dhe ku në vend të atdheut vihet partia,

kohë ku vdekja e Sadnës është zi kombëtare dhe datëlindja e Skenderbeut, dinjitarit të fundit Shqiptar, nuk i bëhet as një kronikë në vend të lamjeve të sportit kur luan Tërbuni…

kohë ku  për të marrë vërtetim pronësie për pronën tënde duhet të paguash 1200 euro dhe kur për të marrë pronën e tjetrit nuk ka vevojë për vërtetim,

Kohë ku pistoletes i thone këllëf telefoni, dhe ku njerëzit martohen me facebook

Kohë kur Kreshnik Spahiu butaforik është më i rëndësishmi në opozitë, dhe kur Klani flet turqisht nga 7 e mëngjesit në 7 të mëngjesit tjetër e kur TOPi te rënia ekonomike shikon rritje optimizmi…

20160825_135120Kohë kur adoleshentët e shprehin dashurinë duke i shrydhur puçrat njëri tjetrit…

Kohë kur biznesi po flet me veten ndersa qeverriu flet për rritje ekonomike publiçitare

Kohë kur… Ma thuaj nje fjale ti aman, lexuesi im i vëmendshëm! Pa më thuaj një kohë kur…!

One thought on “Vera e mbathur (II)

  1. Edhe pse keto i shikojme dhe i perjetojme cdo dite, perseri vazhdojme jeten tone monotone duke shpresuar se ndonje dite do na e sjelle zoti mbare!!! e te ikim nga ketu, nga vendi ku kemi lindur e ku jemi rritur dhe te ndertojme jeten jo me per ne, por per femijet tane .I prita me shume shprese keto! por zhgenjimi ishte aq i madh sa qe mu vra shpresa se nje dite mund te behemi shtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *