Shoqëria kopile

Mora rrugën për Janinë dhe përfundova te protesta e parë kundra importit të plehrave apo mbetjeve si i thonë borgjezët. Një koleg më telefonon dhe më thotë që hajde se na thërret detyra qitetare e civile që ti bëjmë ball këtij demoni qe po rrezikon të ardhmen tonë. Në vend i thash, ti e di që unë jam patriot vatani dhe për këto raste të këput. Të them të drejtën nuk e ndjej veten patriot fare. Ore nuk më kërcet fare, jo kombëtarja të luaj po dhe kabineti qeveritar bashkë me ta. Dhe këtë nuk e them për ndonjë snobizëm apo ku di unë se çfarë. Megjithatë, i dashur lexues kjo është një çështje tjetër se çfare quaj unë patriot, ndaj ta them herë tjetër kur të bëjmë muhabet prap. Për sa i përket protestës, dua të jem aktiv, po se ç’kam një ndijesi të brendshme që më pengon, sikur nuk ma ndjen, ose sikur më duket tullumbace. Kjo nuk do të thotë që jam pro ligjit, por në fund të fundit çfarë ka mbetur këtu pa bërë dhe thua ky ligj i dha fund kësaj derexheje.

Nga ana e psikologjisë sociale dhe politike raste të tilla mund të jenë ato që quhen në literatyrë “trigger events ose “tipping point” por që zakonisht përdoren nga opozita të ndërgjegjshme dhe vigjilente, ose shoqëri civile dhe jo debile. Që po të thosha, lexues i dashur! Arrita në protestë dhe nga cepi i Parkut Rinia ku është monumenti i 100 vjetorit të pavarësisë ku nuk ngeli patriot pa bërë shurrën dhe vjedhur bronx u nisa me miqtë e mi. Bashkë me turmën drejtë marshimit të së ardhmes… Pyes mikun tim se ku ishte destinacioni fundor i ecjes dhe se kush e udhëhiqte protesten. Të parën nuk e dinte, ndërsa të dytën tha: “Një grupim kundra plehrave”. Si në të tilla raste në këtë qerbelanë tonë janë dy palë të cilat nuk kanë informacion për temën dhe një palë e tretë që nuk i kërcet fare të ketë informacion se është në mes, dhe si e till është e siguruar. Rrugës mu kujtua ajo që dëgjova më herët që protestën e organizon shoqëria civile dhe se më mirë të mos e ndotnin me praninë e tyre përfaqësues të ndonjë partie politike. Mirë po kush ishte në protestë ky është problemi.

Tani në raste të tilla nuk ka problem kush është në protestë sepse nuk duhet të jesh diçka specifike për të protestuar. Unë mund të ndihem si kepucë, dhe prap do dal të protestoj pse vijnë erë këmbët e atij që më vesh! Kujdes lexuesi im i vëmendshëm, mos e humb fillin këtu‚ çështja nuk është kush ishte në protestë, por çfarë është shoqëria civile dhe për çfarë po protestohet? Të them të drejtën, protesta ishte e këndshme. Koha ishte shumë e bukur dhe kishte femra plot. Njerëz që bënin selfie dhe shprehnin revolten e tyre se mendojnë se kundershtia bëhet me facebook. Nuk e kanë vënë re që ca e ca mendojnë se opozita bëhet me facebook dhe ka¬† ngelë në atë derexhe. Duke kundruar për fytyra të bukura dhe frymëzuese. Dalloj një shokë shkolle të hershëm që është mjaftë i angazhuar me të djathtën ose nga ata që në forumet e pakënaqura të së djathtës së sotme njihen si “mjelësit e forte të partisë”. Në distancë vura re që nuk u gëzua që më pa, por as dhe nuk u mërzitn, një lloje sikur të kish parë një avaz të vjetër. U nda ga grupi i vet i partisë dhe ndaloi të përshëndeteshim. Ahh thashë me vete, sa kohe ishte në kal nuk më foli një herë me gojë, harroi gjith ç\’kisha bërë për të kur ishim të vegjël.

Kur erdha une nga emigrimi (lexo: shkolla) kisha në telefon vetëm numrin e babit, dhe kur i bija ndonjerit ishte me shërbim. Edhe ky një nder ta ishte. Megjithatë, këtë nuk e di pse ta tregova ty, lexues që tani ndoshta je mërzitur, por mu duk mirë ta tregoja. U ka nxjerrë partia? – e pyeta si pa teklif. Po dolëm njëherë tha, po aha, hiç. Çfarë ka, i them. Nuk u bindën?! Po pse do vijnë, nuk u do menderja. Ky në protestë ishte grupimi i kamufluar i opozitës, që me mjeshtëri komunikimi publik qeverriu i nxorri jashtë loje se zuri hapsirën mediatike. Pastaj është shoqeria civile. Akoma nuk e kuptoj se kush e përfaqëson dhe se çfarë është kjo?! Sa herë shikoj njerëz që pretendojnë të jenë përfaqësues të shoqërisë civile me vjen çudi se është bërë term i dalë në modë dhe duket si trendi të thuash tani që je përfaqësues i saj. Por zakonisht vullnetarët e shoqërise civile janë ose njerëz të dështuar nga jeta dhe i vënë fajin gjithë dynjasë, ose nga këta që bëjnë artin e vet me çorape mbrapsht, ose injorantë pa shkollë e profesion, ose këta që duan të hyjnë në politike pa dashje, ose këta që duan 5 minutën e famës dhe të dalin në televizor. Vë dorën në zjarr nëse ndonjë pa dashje bie në gabimin statistikor dhe ka lexuar ligjin ose diçka rreth ose më tej tij.

Fataliteti i kësaj shoqërie, si me çdo gjë tjetër, është te mungesa e vërtetësisë dhe meritës. Shoqëria civile nuk është e vërtetë ashtu si nuk është rroga që të jep shteti, ashtu si nuk është diploma që të jep shkolla, ashtu si nuk është patenta e makinës, ashtu si nuk është jeta e natës, ashtu si nuk është komshiu yt, e kështu me rradhë. Mungesa e vërtetësisë te njerëzit i frustron dhe ngre piramida rëre të destinuara të bien shpejt ose të fëlliqen publikisht shpejt. Nuk ka patur kauzë dhe ndonjë tjetër luftë parimore të fituar nga shoqëria e ashtuquajtur civile. Pse? Por sepse në momentin që këta të pretenduarit merren me mbushjen e jetës së tyre njerëzit e shoqërise së vërtetë civile janë në punë, në shkollë apo duke u marrë me atë që dinë mirë të bëjnë. Shoqëria civile është mjeku, kontabilisti, pedagogu, mësuesi, inxhinieri, parukjerja, e kësi llojesh. Por kursesi nuk mund të jetë paraziti, larva, vemja, shumëkëmbëshi, kameleoni, dhe butaku. Dikush mund të përmendi protestën e armëve kimike që ishte një luftë e fituar nga shoqeria civile! Për të mos fol më tepër nga sa mund të them, ajo ishte shoqëri civile sa çishte dhe Mjafti dikur një e till, ose lëvizja e butaforikëve patëriot Kuq e Zinj.

Nëse në kohët moderne doni të shikoni se si protestojnë profesionistët dhe shoqëria civile, ajo që është në punë, keni nje shembull perfekt rishtazi. Ndaj arrogancës qeveritare, prepotencës ministrore, dhe injorancës ekonomike dhe administrative të atyre që na qeverisin u bë një protest e fortë lobuese kundra ligjit të profesioneve të lira që rriste në mënyrë absurde kostot e këtyre profesioneve. Por këto profesione ishin doktorë, inxhinierë,dentistë, kontabilistë, etj. Nuk pate ndonjë nga këta të hallakatesh rrugëve, por morën lapsin dhe zografisën gazetë më gazetë, shfrytëzuan të gjithë fuqinë lobuese dhe zbythën taborët e injorancës më të madhe qeverisëse që kish pare ky vend, madje edhe më të mëdha se të Haxhi Qamilit. Do thuash ti lexues im i dashur: Ore po për ambjentin kush do flasi? Po për lumin? Po për parkun? Po për hashashin? Po për prostitucionin? Po ti do flasësh ore daulle! Po po ishe pa punë, kot sa flet, po ishe pa profesion, kot sa flet, po ishe pa identitet kot sa flet, po ishe pa merita në shoqëri nuk je shoqëri civile por debile, e si rrjedhim nuk të pjerdh njeri. E pe atë Dardajanin me mustaqe që protestonte për liqenin? E pe si u fëlliq? E pe si u denigrua? E pe? Po kështu ka për të ndodhur gjithmone kur je një hiç, do përdoresh e do flakesh tutje siç ndodh me shume njerëz që nuk janë të vërtetë sot. Por hyjnë si kopila nën petkun e shoqërisë civile, e ndaj kjo e fundit është kopile e jo civile. E çfarë është civile rreth tyre xhanëm?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *