Profesor më dëgjo!..

Kur i thashë që isha nga Shqipëria qeshi, ndenji pak dhe më tha: ”Po Shqipëria është e fundit në Evropë për nga GDP-a?!” – unë ngela se se prisja që pa u hapur biseda akoma të më thoshte një gjë të tillë. S’ma ha mendja i thashë, ke dhe më të lodhura akoma! Ngjiti kokën me qafën dhe kapi syzet duke bërë si i habitur dhe në të njëjtën kohë duke pyetur cilat shtete. Mua më erdhën menjeherë në mendje emrat e Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë dhe ja thashe si për të mos thënë që Shqipëria nuk është e fundit. Në atë moment nuk e mendova, por tani e vë re, sa e turpshme është të debatosh që nuk je i fundit por i parafundit. Nejse! Jo mor!- tha, ska mundësi dhe menjëherë u kthye nga kompjuteri i tij duke kërkuar në Google, Albania. Seç gjeti aty dhe brofi duke më kthyer lap-top-in e tij që të shikoja. E mire i thashë se s’kam ardhur për këtë punë, kam ardhur te pyes… dhe pa mbaruar fjalën më tha duke u rehatuar: “E di çke ti, ulu njëherë!”. E mirë thashë me vete, hajd se po dëgjoj dhe kësaj here pyetjet abstrakte sikur të jesh shqiptar është të jesh alien dhe në të njëjtën kohë po mendoja se ç’dreqin mund të prodhonin ato dy shtete më shumë se Shqipëria. Nxorra nga xhepi një palë tespie metalike që i kisha blerë te komshiu ynë grek pushimet e kaluara dhe u rehatova dhe une. Me fol për ekonominë e Shqipërise – tha! Tani kur të bëjnë dhe keto pyetjet e përgjithshme është njësoj sikur të merr për budalla, ose si ai nxenesi në mëshirë të mësuesit për të marrë një notë kaluese i thotë – “më thuaj ç’di”! Thashë të filloja njëherë si shoku nga fshati, t’i thosha ne kemi këtë, kemi atë, jemi kështu e jemi ashtu, po lere thashë c’kuptim ka?! Në moment mu kujtua ti thosha: “Profesor më degjo, problemi te ne nuk është ekonomik, është më i thellë!” Me të më rënë në kokë ky argument mu kujtuan një mori gjerash të tjera pastaj. Mu kujtua që ne nuk jemi dhe aq të këqinj. Ja mendova, sa pa u liruar vizat të gjithë thoshin shqiptarët do bëjnë kërdinë do marrin plaçkat e do lënë “mëmëdhenë”, mediat u lodhën duke fabrikuar lajme të tipit që shitja e biletave të avionëve po kapte kulmin, disa thoshin do na turperojnë azil kërkuesit, e të tjera gjera të trasha të këtij tipi. Mirëpo asgjë nuk ndodhi. Shqiptarët u sollën normalisht, nuk dyndën kufinjtë, nuk kërkuan azil, nuk bllokuan  trafikun ajror e as nuk dhanë show. Të vetmin gabim që bënë ishte se u çuan media kioskave shqiptare rrugën dëm nëpër pika kufitare nga ku prisnin e raportonin eksodet e radhës. Këtu nuk duhet harruar se komshinjte tanë si Maqedonia, Serbia & Co u bënë subjekt i kronikave madje deri në ekstrem sa të rrezikojne heqjen e rregjimit të vizave. Mu kujtua që dhe në Shqipëri njerezit me dy këmbë janë, që edhe ne kemi bare e restorante, që edhe ne prodhojmë “gjëra”, që jemi ndër njerëzit më pak racistë në botë, që jemi më tolerantët fetarë dhe që në Shqipëri nuk ka eshtra të huajsh, siç ka në shtetet e tjera eshtra shqipëtarësh. Pastaj mu kujtua që edhe ne dimë të votojmë, se në fund të fundit është punë e thjeshtë mjafton të vendosësh një kryq dhe të gjesh vrimën. Brezi i vjetër në mbi katër dekada komunizëm vetëm kryqe dhe vrima i bëri sho-shokut, brezi i ri, po të rinj janë, kapin shpejt, kështu që prandaj mendoj se është punë pa angari. Mirëpo, si ti shpjegoja unë atij që dhe pse të fundit përsa i përkët GDP nuk është problemi ekonomik, por diçka tjetër dhe se pse duhet të ndihesha i turpëruar unë për ca palaço që janë në politikën shqiptare? Po që ti thosha profesorit që kishte një tuf me grada para emrit duhet ta dija njëherë vetë se ku qëndron problemi. Ti thosha që është problem përfaqësimi, prap nuk më dukej shumë e drejtë, se do më thoshte po kur voton zgjedh atë që do. Ti thosha, që është çështje kulture, prap nuk ja thosha dot se të pakulturuar edhe nuk jemi. Mund të jemi të djallëzuar dhe dembelë (ose e thënë më lezet shejtanër), por jo të paditur. Ti thosha që e kanë fajin politikanët, më dukej vetja si grua e keqe duke u ankuar ‘ja ata qelbësirat na katandisën kështu’, plus që dilja te problemi i përfaqësimit prap. Euu… mendova, po bëj si ca budallenj të tjerë dhe po nxjerr nacionalizmin në pah duke i thënë që ne jemi të paparë, ne jemi më të bukurit, Jim Belushi është shqipëtar, thonë dhe Van Dami po ashtu etj. Nuk i thashë asnjë nga keto, e pashë që dhe ai u trash me mua pa marrë përgjigje dhe si për të dalë nga situata bëlbëzova: “Zotëri, ne nuk kemi asnjë problem!”

Kjo ishte përgjigjia më(aq) qesharake sa të dy qeshëm, dhe mua mu duk vetja si ai komunisti që thoshte që lopa jonë është në rregull ka qumësht sa të duash e si ta duash, të paktën unë e bëra pa dashje dhe me humor!

Mirë – tha dhe u drejtua si për të vajtur drejt fundit – Çfarë problemi kishe në fillim?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *