TË KUNDROSH NËPËR BIZNESET SHQIPTARE (PJESA II)

Në ato pak hapa që bëme sa hymë, e pyes në mënyrë informale: Po këtë LSI e ka? Është në varësi të Ministrisë së Mjedisit – u përgjigj duke tundur kokën, si të përgjigjesh pa u përgjigjur. Hymë brenda dhe më drejtojë te një zonjë që ishte ulur në një zyrë. I thotë mund ta ndihmosh zotërinë se ka disa pyetje dhe krejt indiferent u largua të vazhdonte dreken. Po zotëria çdo këtu? – mu drejtua mua në vetën e tretë. Unë i thashë jam filani dhe vij në emër të Universitetit të Tiranës. Menjëherë ndryshojë qëndrim sikur thua ti unë isha i SHKB-se. Ju me çfarë merreni këtu? – e pyeta si për të kaluar radhën, se e kisha ndarë mendjen që pyetësorin për të matur në mënyre shkencore inovacionin nuk do ta bëja aty se nuk ma lejonte ndërgjegjja. Si përfundim bëra një bisedë kortezie dhe nga sytë këmbët. Tek kthehesha aty ku kisha lënë makinën nja 100 metra largë godinës mendoja pse duhet të ekzistojnë këto lloje institucionesh kaq parazitare sa jo pyetësor të çosh por ndonjë shishe benzine. Pastaj vjen ajo pjesa tjetër e mendjes që thotë hë se vende pune janë për një grup të pa kualifikuar dhe që po ti nxjerrësh në treg nuk mbijetojnë dot.

Pastaj mu kujtua babai im që në terminologjinë e ekonomisteve amerikan që studiojnë tregun e punës quhet dinozaur, nga ato speciet në zhdukje për tregun e punës dhe që është e vështire te ri kualifikohen. Kur i them unë babait që ti nuk i hyn në punë tregut me thotë se ka dy avantazhe, ka jetuar dhe kohën e tij dhe tani jeton atë timen. Unë i them që ti je daulle nga kompjuteri. Ai me një krenari prej adoleshenti më thotë se ka hyrë në google dhe ka parë fshatin e vet në google maps. Unë qesh, dhe pasi më shikon te pabindur, shton se ka dhe facebook! Unë prapa qesh… Me kujtohet historia e shokut Zylo kur shikoj institucione me të punësuar të tillë, më kujtohen ato skeçet e 1990 e më tej që talleshin me këta burokratë. Por prapa ngelem i mendimit që duhen mbyllur institucione të tilla vatra elektorale dhe parazitare.

Sa bëj të afrohem te makina, shikoj një qen me dy këmbët mbrapa të deformuara dhe që mezi ecte. Më bie pika kur shikoj kafshë në atë gjendje. Edhe ti i mungoje peizazhit këtu thashë. Ishte i dobët, i përvuajtur, dhe i vjetër. Dukesh që në rini kishte qenë i bukur, stoik dhe i bëshëm se e kishte kokën e madhe, madje dhe kur u ul si të ulte gjithë hallet e botes përtokë nuk e humbi stoicitetin me kokën e madhe dhe simetrike. Ndalova dhe po e shikoja me vëmendje, me kujtoji kolonel Shaberin në novelën e Balzakut. Nuk e di pse por aq stoik ishte sa dhe vete koloneli qe përshkruan Balzaku.

Prit aty i thashë si ti drejtohesha kolonelit dora vetë. Vajta në një dyqan dhe bleva një pako me salsiçe. U ktheva dhe ja nxora të gjitha nga qesja. Teksa po i hante vura re qe ishte mbush me pleshta dhe po i pinin gjakun se ishin bërë si tullumbace. I mbaroji salsiçet dhe po më shikonte si te kishte përpara një “efendi”. Prit i them, se aq sa hëngre ti të kanë pirë gjakun ato që ke në trup, pastaj mbahet koloneli me salsiçe. Vajta i bleva dhe byreqe, ja lashë ti hante dhe u ndava i dëshpëruar për fatin e tij.

Duke pritur të dilte afshi i ngrohte nga makina se ishte pisku i vapës, po shikoja planin e punës. Një ditë më përpara kisha fol me një zotëri të “Kronos Konstruksion” dhe shumë sjellshëm me kishte drejtuar te zyrat e firmës. Aty, po një ditë më parë kisha lenë pyetësorin se administratorja nuk ishte dhe ta takoja më vonë. Zyrat i kishin brenda një karburanti të “Elda” dhe sa hyra aty u prezantova. Kishte shume njerëz. I thashë se kush isha dhe i përmenda formularin. E pashë atë tha, po nga shtatori se tani jemi me leje te gjithë. Nuk ka mundësi një 20 minutësh këtë javë – i thashë si të kërkoja një mundësi tjetër? 20 minuta për ty tha po për mua do me shumë ajo dhe nuk kam kohë. Të ndihmoj unë tani i thashë. Tani do iki ne banke unë tha, si ta mbyllte aty që nuk bëhet ajo punë, dhe e tha aq prere sa u bëra tym. Kishte shumë njerëz, dhe skenat i kam tmerr ndaj pa folur u largova. Aq me mërziti sa nuk harroj fytyrën.

Bo bo thashë, çfarë dite! U nisa menjëherë te firma e radhës. Më marrin në tel nga “ATELIER 4” dhe me thonë se mund të merrja pyetësorin se e kishin gati. Sa ma ngriti humorin. Kjo firme kishte shërbime arkitekture dhe dizajni, dhe duke ndenjur te salla e pritjes kundrova portofolin e projekteve të tyre. Shume korrekt dhe të sjellshëm. Mu kujtua një fraze qe u them studentëve zakonisht në orët e para: “Ju lutem nxirrni njëherë njeriun pastaj kafshën, se bën vaki dhe u del me mire!”

Herët paradite, kisha kërkuar një firmë te rruga e Bogdaneve. Ishte një kompani e cila që kur e kisha lexuar emrin për herë të parë ja kisha vënë vizën. Shiko çfarë emri: “Financial Web Services”, që kur e kam parë kam thënë do jetë ndonjë kompani piramidë ose ndonjë nga ata trimat që rimbursonin TVSH-në. Sa herë e shikoja emrin e kësaj më kujtohesh një ish drejtor i KESH-it të atëhershëm që pasi deklaroi pasurinë të fituar në kazino nisi të hapte një firme ku u ofronte shqiptareve produkte financiare në internet dhe më vonë u nis drejt Amerikës për të pushtuar me një firmë tjetër Manhatanin dhe për të bërë ndërtime të mëdha.

Nejse, e gjeta adresën dhe në katin e dytë të një pallati shumë të mirë por jo të mbajtur ishin disa dyer me tabela: zyra 1, zyra 2…. zyra 5. Një prej tyre ishte ajo që kërkoja unë, ndërsa të tjerat ishin të zëna nga vëllezërit e Krishtit. Edhe këta të kënaqin se bëjnë shumë punë. Kush punon me fetarët, me kisha xhamia ose murgesha (jo me deshmitaret e Xhehovait) e di që janë shumë fitimprurës se nuk bëjnë asnjëherë pazar, por në fund të pyesin sa do. Ti thua që një ulluk kushton 3 mije euro dhe merr lekat në dorë. Helbete nuk e kanë me djerse…

I bie ziles dhe e hap derën një gocë simpatike me sy jeshil të shkruar, dhe unë që harrova se për çfarë kisha vajtur aty dhe se sa vapë ishte. Ajo qesh e unë qesh dhe si përfundim më pyet se si mund të më ndihmojë. “Ah ta dish ti moj shpirt… po ke ndonjëçaj të ftohtë aty…” Mendova unë, por i thashë tjetër gjë, atë fjalimin që e kisha thëne nja 20 herë deri në atë moment. Ajo më dëgjoji deri në fund dhe pa e shkëputur buzëqeshjen më thotë se: “Ne jemi call center…”, megjithatë hajde brenda tha. U futem brenda dhe ajo bëri të merrte në tel pronarin. I them mos u mundo se nuk ka problem, ma morri mendja që ky tipi i cili e kam ne listë është mashtrues. Jo tha se ne kemi tre vjet këtu! Aq me mirë mendova, thjesht po përforcon argumentin tim. Nisi një muhabet pa lidhje dhe unë fillova ti tregoja asaj se si njëherë kisha bërë një intervistë per call center dhe se si kisha negociuar pagën dhe sa trim kisha dalë etj. Ajo që humbi interesin! Thashë me vete, ore debil po ti si ke bërë nga këto gafa në fëmijëri, çfarë janë këto muhabete peshkopësh tani. Për arsye subjektive që unë i kam qejf po e mbyll këtu këtë rast.

Rrugës për te “Shega-Trans” kisha dy firma të tjera. Ndalesa e pare ishte “Ferlut”. Sa vajta atje ai çuni që shiste pjësë këmbimi më thotë që aty janë zyrat por nuk janë aty. Çar thua more – i them? Këtu janë tha, po nuk ka njeri. Janë me pushime? Jo ore, nuk ka njeri. Financierja është në një zyre andej nga parku, ndërsa pronari e ka zyrën të “X****” nëse do ta takosh. Ore gjithë kjo firme juve, keni menaxherë? Jo tha, është pronari. Me kapi një e qeshur. Çfarë ka – pyeti ai si të kishte bërë ndonjë gabim? Shume faleminderit dhe punë të mbarë – u përgjigja! Çfarë klisheje mendova, pronari i bën të gjitha. Qofsha i gabuar…

Ndalesa e dyte ishe te “Albanian Courier” një kompani mjaft e njohur. Sapo hyra te recepsioni një zonjë nga ato që të imponon respekt me rregullsinë në të folur dhe të gjuhës së përdorur. Shyqyr thashë, ke qejf të flasësh. E sqarova kush isha dhe pse vija dhe i tregova formularin. Unë mund ta bej tha se jam përgjegjëse për burimet njerëzore por duhet te pyes njëherë shefin – tha me shumë edukatë. Lere pyetësorin, dhe një formë kontakti që të të lajmëroj kur të jetë gati. Sa mu be qejfi, si për komunikimin por dhe për predispozicionin që kishte për ta plotësuar. Të njëjtin komunikim dhe predispozicion për ndihmë gjeta dhe te “Tirana Urban Trans”. Madje administratorja, një goce e re, ishte në kërkim të më shumë mundësive dhe që nuk e mbushte realiteti.

Thashë para se të iki në Korçe, Gjirokastër, Përmet, dhe Laç po iki dhe te Shega-Trans se isha thuajse afër. U futa te rruga dytësore e autostradës se në adresë e kishin të shënuar te km 12. Dhe mendova do jetë diku aty. Ik e ik e nuk po me dilte gjë. Para se të arrij deri në Durrës thashë të ndaloj të mendohem njëherë. Pasi kërkova në internet shpejt e shpejt pa ndonjë rezultat, se mesa duket google nuk ka opsion për Shqipërinë në business location mendova të telefonoja dikë. Mirë bëra se më tha që duhet të hyja në autostradë në rrugë kryesore. Mos! – thashë, tmerr, kush kthehet prapë. Kur bëra të kthehesha vura re që kishte rrugë si jo te rregullta që të lidhnin me rrugën kryesore. Por më vinte inat të hyja se gjithmonë i shaj këta tipat që hyjnë vend e pa vend si lopa bajgën. Aq inat i kam, se është zakon tipik shqiptar që secili mendon se është më i zgjuar se tjetri dhe do ti bjeri më shkurt duke kaluar radhën ose duke thyer rregullat. Aq keq më vinte se vapë ishte, nafta po nuk na paguhet dhe bëja të kthehesha e nuk kthehesha dot. Në luftë me ndërgjegjen arrita deri në fillim të rreth rrotullimit dhe si përfundim e nisa nga fillimi i autostradës.

Pasi arrita te Shega hapa derën, ose me saktë u hap vetë dera se ishte nga ato të jashtmet dhe ndenja pak te hyrja se ai ajri i ftohte i kondicionerit më hyri në qejf. Kisha gjithë verën qe nuk i kisha prerë flokët, dhe e dalloj kur me zgjaten më shumë se normalja se njerëzit fillojnë e shikojnë ndryshe. Mirë po unë ngaqë isha mësuar e kisha harruar si fakt, dhe aty e vura re si po shikonte kallaballëku. Për veç kësaj, as nuk isha rrojtur! Aty ishin zyrat open space dhe çdo njeri, çdo gjë e çdo zhurmë dukesh e dëgjohesh. E mblodha veten dhe u drejtova te recepsioni që ishte mjaft i dukshëm.

U prezantova dhe i them fjalimin tim. Prit pak tha sa te kontaktoj me presidentin. Ngaqë isha lodh duke takuar daulle, injorante, pordhace e ku di unë, thash kush takon presidentin tani e te dëgjoj trimërirat e tij.  Isha i interesuar ta shpjegoja, ta lija aty dhe ta plotësonte ndonjë ekonomist, tashme e kisha humbur interesin. Goca u kthye dhe më thotë nëse mund te takoja presidentin se ishte aty. Dakord – i them, dhe nisem pas asaj. Në një tavoline jo shumë të madhe të rrumbullaket ishte ulur zotëria. U përshëndetëm dhe u prezantuam, gjithashtu shkëmbyem kartat. Kur i thashë funksionin që kisha dhe institucionin që punoja bëri një buzëqeshje të lehtë dhe uli kokën. Si të mos i besohej që unë një hipi në pamje nesër dej mund të mësoja dhe fëmijët e tij.

Të tregoj diçka i them që të futemi në kontekst, se për mua është shumë e rëndësishme, dhe shpejt e shpejtë i shpjegova për çfarë behësh fjalë. Më dëgjoji me vëmendje dhe thotë: “Po përderisa qenka për një gjë të mirë dhe të dobishme, po e plotësoj unë! – dhe mori një stilolaps dhe hapi fletët”. Unë u shtanga, se vetëm atë reagim nuk prisja. Burrit të botes jo vetëm që nuk i beri syri tërr nga një pyetësor si çarçaf me një numër absurd faqesh (23 faqe para mbrapa!), por dhe e konsideronte dhe e kishte një predispozicion shumë pozitiv. Biseda ime më të zgjati rreth një orë e gjysmë. Ai nuk lodhesh nga kategoritë e ndryshme, dhe nga pyetjet që nuk kishin fund. Po merrte kohë, pyeste dhe i diskutonte ato me radhë. Ajo ishte një interviste e jo një pyetësor! Nga ajo kuptova aq shume gjera, aq detaje, rregulla, si funksionojnë në terren, marrëdhënia me shtetin, me përfaqësitë, me privatet, me klientët, me taksidarin, për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, etj.

Edhe pse ishte firma më e madhe në Shqipëri në industrinë e vet, kishin flotën më të madhe të transportit, kishin partneritet me firmat më prestigjioze, zotëria ishte me aq këmbë në tokë sa nuk kishe ku vente më. Gjatë kohës që plotësonte formularin, e lexonte pyetjen dhe thoshte do deshëm të ishim te niveli 7 por realisht jemi te 4, kështu që këtu po vendos 4. Ndërsa këtu vërtet jemi më të mirët në treg por prapë jo kënaqshëm ndaj nuk po e vë 7 por 6. E plotësonte me aq diskutim atë pyetësorin saqë për çdo aspekt kishte ndonjë histori nga firma e vet. E thërret dikush dhe kishin mbet dhe disa faqe të fundit pa u plotësuar. Do me falësh – tha, por me ka ardhur dikush nga Italia dhe nuk e le dot më shumë të presë. Dhe i thërret një goce aty afër për ta vazhduar punën. Tani unë desha te kuptoja pse atë dhe jo ndonjë tjetër.

Mora vesh se ajo ishte punonjësja më e vjetër atje, edhe pse dukesh shume e re në paraqitje. Dukesh që e njihte mirë punën që bënte. Në një moment po më shpjegonte me kë punohej më mirë. Ne – tha, transportojmë në gjithë boten. Greket janë mirë në dogana, e dinë mirë informacionin, por si italianët nuk ka, të shpejtë dhe mbarojnë punë. Spanjollët, janë… dhe ngeci pak se nuk po gjente fjalën. Daulle?! – hidhem unë me vrap. Po! – tha, fiks, daulle! Jo vetëm dembelë por dhe të hallakatur. Po ne këtu i them? Ne kemi dy probleme: jemi dhe shqiptare dhe të pa përgatitur. Si përfundim u kthye prapë presidenti dhe fiks në momentin që ne kishim mbaruar pyetësorin. Prapë u çudita për interesin, se e mbaroje aq shpejt takimin dhe u kthye prapë.

Dola nga zyrat e tyre, ishte një vapë e tmerrshme. Isha në qejf! Pastaj mu kujtua se mund të isha në plazh, duke bërë check-in, bërë selfie, ngrënë djathë borgjez dhe pastaj parti me sapun. U ftillova dhe kuptova që ishte ora 3 dhe as kafe nuk kisha pirë gjithë ditën e as një cigare nuk kisha tymosur. Nxjerr listën e firmave dhe vë re se më kishin mbetur firmat në Përmet, Korçë, Delvine dhe Laç. Ore po Këlcyrën me rëntë pika ku e kam?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *